Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Dil moj, dil!!!

Dil moj, dil!!!

Dil, moj dil te Shatërvani

NOA

se pa ty s’rrjedh Lumëbardhi

Dil, moj dil, të Urë e Gurit

jepi dritë e gaz Flamurit

Dil moj dil, matu me lulet

gur i malit për ty zbutet

Dil moj dil, matu me qiell

kur ti flet nxjerr synë një diell

Merr një këngë ta dëgjojë Zhuri

se të pret një zog te supi

Këmbëzbathur shko në shpate

mblidh për mua manushaqe

Merr një këngë si det në bjeshkë,

thuaj erës që të heshtë.

Dil, moj dil më shpejt nga pragu

se për ty zgjohet zambaku.

Dil, moj dil e puth pranverë,

bëhu flutur, luleshqerrë

gjerdano lule në ballë

vër në gjoks një shall të bardhë

Se për ty merr sy kalaja

kënga merr të tjera maja

Nënë këmbë rizgjohet vallja

nëpër hone ikën nata

.

Merr një flakë e hidhja gjoksit

Thaja moj pikën e lotit

Nëpër ballë vër xixëllonja

Të mos lërë ca pengje koha

Nëpër male zgjoi gurrat,

nëpër odat ndizi furrat.

Porsi zanë vrapo në pyje,

numuro me mijëra yje

Bëhu flakë në shpuzore

e zgjo ditët vajzërore

Ndale hapin te Marashi

E kudo ndaj lule gazi.

 

 

Lejlekët e Strugës

Si një lëndinë më bëhet rruga

pa baltë, pa gurë e pa gjëmbaçë

me krahë hapur më priska Struga

Me mjaltë flake prag më prag.

Pa zbresin yjet ndë gji të fushës

rinia vjen në këmbë e duar

po ç’jeni ju, lejlekë të Strugës

Që prishni gjumin e trazuar??!!!

Si mal me tinguj lartoj brigje

nga Shën Naumi vjen shenjtëria\

Në brinjë të ëndrrës ngjitem, ngjitem

mbi krahë lejlekësh ndrin magjia

E mbytem krejt në thellësi

e përgjak duart ndër shkëmbinj

te bar i virgjër prek fëmijëri

në sqep lejlekësh pres një agim.

Kërkoj, kërkoj lejlekë Struge

me shpirt të ngrohtë, të përmalluar

kurorë me valë hedh mbi supe

kudo ku hap një derë me duar

E shoh tek puthen sqep më sqep

Kur drita del në Mal të Thatë

tek thurin vjershë me bojë të blertë

e krahët –o ua rreh një fllad

Rizgjoj pa fund lirika shelgjesh

rizgjoj dhe shpirtin lasgushian

Po ndalni pak, o krahë lejlekësh

më merrni vargun e zgjoni mall

Herë vajtimtar e herë të lumturuar

në këngë lejlekësh lexoj një libër

ndë kallamishte si zog i zgjuar

jam bërë si sfinksi i rilindur.