Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Anija e Nostalgjisë

47
Sigal

Do i hipi Anijes së Nostalgjisë,

ku vetë jam astronaut e vetë jam udhëtar.

si në një kujtesë të mermeruar,

si fëmijë hapnxituar,

si kovaç e sermëtar,

si skallav a druvar,

si bari e si lavërtar.

Asnjë

të mos më ndalojë në doganat e tokës dhe qiejve.

Kam një pasaportë universale.

Kam me vete shkronjat e para në abetare.

Kam fotografitë e parë.

Kam poezinë e parë për dashurinë.

Kam këpucët e para të fëmijërisë.

Kam çibukun e babait, në vite zverdhur.

Kam një shall të vjetër, të mbledhur.

Do ta ngrej supgjakosur muzeun

me këto relike thesare.

Fuçinë e boshatisur të verës

ballin fëminor me xixëllonjat e pranverës.

Kam puthjet e para petalekaltra,

një gur të marrë nga vatra.

Një biletë kinemaje mbetur në xhepa

një album me gjethet e thara nga dega.

Kollaron e parë të dhëndërisë.

Një laps ku vizatova diellin rrezeflorinjtë.

Një bllok me çeqe

kam për Anijen e Nostalgjisë.

Në gjithë bankat e viteve

vijnë ëndrrat, si mokrat e mullinjve.

Vijnë tollumbacët e shpuar,

rrugët nga kam kaluar.

Lumenjtë ku bënim garë me gurë,

jehonë e zërit si në skenat me zhurmë.

Dorën e nënës me përkëdhelje,

lojë e bukur me petale luledelje.

Lotin e fshehur për mirënjohjen,

urimet për ditën e re me gjuhë bote.

Qetësohuni dallgë!

Mos ma mbuloni me mjegull këtë qiell me kaltërsi!

Vjen ajo e uritura dhe e pasura,

e heshtura dhe supelodhura Nostalgji!