Më thuaj miku im
Pse e kap për leckash ëndrrën,
Si guxon kur titrat e saj
Janë kode që ti nuk i kupton?
Pas ëndrrës së zhdjergun
E pas hamendjesh të zhegituna
Pse kacaviresh pas viaskave të fatit
Për të vozitur pak më vonë
Në rudinat e hapësirave të asgjësë
Të shtruara si qilima nga askushët?
Më thuaj, miku im, të lutem shumë
A mundesh me e ndez ashklën
E fundit e të bërë shkarpë
Nga bliri plak që tendoset e tkurret
Prej t’hollimit të halleve të përditshme
Me ethet e rritjes së filizave të njomë.
E me mazën e buzëve të spërkatura
Me lëng qershie në djerrinën e lagët
Në stomin ku thinjat thinjen sak!
Më thuaj, të lutem miku im
A është lindja e diellit mbi Korab
Njera nga magjitë ku njerëzit besojnë
Më shumë se vozitja me varkë në Had?
A i varin diku mbi asgjë ëndrrat
E vargojtë e gjakut i lëkundin?
Më thuaj, mos hesht e mos ik
Pa më thënë se koha po na çmend,
Duke na i lodhur ruazat e kurrizit
Për të na bërë më të fortë se hiçi!
Teshtima të molisura numëroj
Në sarkofagun e duhmave të lagështa,
Të varreve të harruara në periferi
Ku urtanët e poetët pa hise nuk janë!
Teembramja mos shko larg
Pa më thënë se një hije mortale,
Të nguc me i ba bashkë zemrat
E kjoftëlargut me ja dhanë për meze!
Pritjen shekullore mos ma trishto
Ma palos e ma lër në fund të kopshtit,
Se vjen fëmijëria ime turravrap aty
Për të dëgjuar se ç’ka deshte me më thanë!





















