Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Osmani: Do të doja …

38
Sigal

Nuk e di, por seç ndjeva një mall për atë sot!

Më kot mundohem që imazhi të mos më dalë përpara.

Më jepni të pijë, të mbysë një dert në një gotë.

Dhe të më falni dehjen e kam me të qara.

Do doja t’i puthja sërish buzët e atij!

Nga prushërimi i tyre të shkrija si kallaji,

flakët e buzëve me buzët e mija t’ja përpijë

tek përhapen si fushë me lulëkuqe maji…

I’a dua shpirtit flakërues, edhe hirin…

Në zjarr të tretem si prush vatre pastaj

nëse ky krater më djeg brenda gjirin,

shpërthimi le të prekë çdo skaj.

Ndoshta do të desha të dehem teksa pijë,

të më duken dy buzë si dy kupa me verë.

Vetvetja, si vajza e valëve bregut të rrijë,

ndërsa atë, statujë të më presë në derë…

 

 

S’dua t’ia di…

 

E di prej Zotit jam maroke,

por shpirtit ndihem perëndi,

do më hajë dheu i kësaj toke,

prandaj dhe nuk dua t’ia di.

Përhumbur jam në timen botë,

një rruzull mbushur dashuri,

kush dashuroi dhe s’derdhi lotë!?…

dhe s’dashuroi përsëri !?…

Për mirësinë s’përdora masë,

me sytë e shpirtit i peshoj,

nuk më mungon asnjë “dërrasë”,

që botën prapë dua njësoj.

Edhe ata që s’ndiejnë flakë zjarri,

që kurrë në shpirt nuk patën prush,

që s’dinë se kush të ngre nga varri,

nga varri kush të ngre veç, kush!?

Ajo hyjnorja, që bën ilaçet,

shërimi i shpirtrave bohem,

se zemra është me lule bahçe

dhe dashurohet si Hyrem.

E di prej Zotit jam maroke,

por shpirtit ndihem perëndi,

do më hajë dheu i kësaj toke,

prandaj dhe nuk dua t’ia di.