Ti nuk ke vetëm një emër
Më lër të të thërras, me një emër të lashtë,
sa vetë krijesa jote mbi koren e saj të zjarrtë,
të të quaj ty nënë, mallëngjim, dashuri e paqtë,
zot, heroinë, më thuaj me cilin emër do të të flas?
Shpirtin më të bukur gjeta në gjoksin tënd,
ku shkrihen gurët e halleve, një nga një,
se brenda dhembshurisë tënde, fle një luaneshë,
e patrembur, stoike, do të thërrasë, mbretëreshë.
Vetëm ti di të ndjesh e përqafosh çdo ndjenjë,
të falësh dashuri, atje ku shpirtrat vetëm qajnë,
dhimbjen t’ia qetësosh lëngatës së pashpresë,
dhe moshën ta sfidosh, si një lojë kalamajsh.
Dashuria jote përkëdhel diellin kur nuk qesh,
ndan ujin e trazuar që than filizat e sapodalë,
këngës ia merr shtruar sipas zakonit arbëresh,
rrënjët thellë në tokë, lidhen si mishi në gjak.
Më lër të të thërras, me një emër të lashtë,
sa vetë krijesa jote mbi koren e saj të zjarrtë,
të të quaj ty nënë, mallëngjim, dashuri e paqtë,
zot, heroinë, më thuaj me cilin emër do të të flas?
Gërshetat e nënës
Ruaj ende në retinën e syve, gërshetat e tua,
o shpirtargjendja, nënokja ime!
Ndonëse kaçurrelat ballin ta kanë zbukuruar,
gërshetat çuditërisht aty kanë lënë hije.
Ruaj ende në kujtesë, gërshetat me vesë,
kur rendje fushëtirës së Myzeqesë,
shaminë e hollë, kur shkiste supeve lehtë,
gërshetat e gjata derdhur barit të blertë.
Kujtoj gishtat me kallo, pa unazë floriri,
kur thurnin gërshetin sapo zbardhte agimi,
fëshfërimën e flokut, melodi shushuritëse,
ardhur nga mugëtirat e tretura të lashtësive.
Se ti s’kishe gërsheta, si gjithë gratë e tjera,
por kurorë rreth ballit, si gjyshja, e ndjera,
herë si Shota Dardane me pamje trimërore,
herë faraoneshë, me pamje amazone.
Ruaj ende në retinë, gërshtetat që doja pa masë,
tufëzat e flokëve ku thurej ëmbëlsia e dhimbja bashkë,
aromën e baltës së bardhë dhe të kënasë,
nxjerrë nga gjethet e bimës të lashtë.
Edhe pse nëntëdhjetë e dy vjeçetani ti je,
për mua ke mbetur e bukur dhe e re,
se shpirtin dhe zemrën e ke porsi flori,
që të bëjnë të dukesh, si në rini.
Lermë të puth ballin e bukur!
Lermë nënoke t’i puth duart,
gjurmët që suferinat aty lane!
Sypërlotur, ti mos më thuaj:
gjethe të fishkura tashmë janë!
Lermë të puth ballin e bukur,
ku sfilojnë vitet me radhë,
ku ua pret udhën, thinja flutur,
stolisur fronit, nuse e bardhë.
Ah, kjo thinjë e bardhë si bora,
që natyrshëm flokëve ka dalë,
më shkel synë, më flet me ojna:
S’priti të zbardhej më ngadalë!
Sa fjalë shpirti, s’ti kam shkruar,
sa blerojnë, kur ti rri heshtur,
sythe fjalësh, do mbledh urtuar,
t’i qëndis nëpër vargje qeshur.






















