Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Ti je masa e të gjitha dashurive

45
Sigal

Ti je masa e të gjitha dashurive

 

Për ty zbrita nga Olimpi me pajtonin e Herës,

se ti më kërkoje me krahët e erës;

pafundësive nga rrjedh vesa e pranverës,

që ushqen dejtë e përrenjve të jetës.

Me dëshirë më fute thellë në zemër,

të shpërndaja polenin, që ka çdo femër.

Të ëmbëlsoja gjakun e venave të tua,

të lidheshim me fije shpirti, deri në thua.

Se ti s’kishe zemër të zakonshme burri,

nga rrahjet e saj, flutur bëhej truri,

drejt të panjohurave, që joshin çdo grua

me aromën e misterit në zgjua.

Ende përflak qiej, me rrufe trazimtare,

tempull perëndie, përballë teje ngjaj.

Me urdhër të dashurisë, të bindem si manare,

se jam krijesë e lindur në shpërgënjtë e saj.

Ndaj them, je masa e të gjitha lumturive,

që më bëjnë mua grua fatbardhë!

Je masa që shkrin akujt e të gjitha ndjesive,

që lindin unike dhe rrënjëzohen në gjak.

 

 

Burrat si ty, kështu dinë të dashurojnë

Ti më ke dashur e përtej gjithçkaje më do!

kur vuaj, sytë e tu rrëmbushen me lotë,

përrenjtë e vjeshtës fashiten e murmurojnë,

se burrat si ty, edhe përrenjtë i qetësojnë.

M’i fale me bujari rrezet e syrit tënd diellor,

dhimbjet më ke qetësuar, kur isha lehonë,

nga buzët më shkrive gricën e vdekjes ulkonjë,

se burrat si ty, kështu dinë të dashurojnë.

Ti më do, se jam pak Helenë, pak Penelopë,

pak nimfë Kalipso jam, po ti të tillë s’më do,

se të pëlqen kur vjeshtohem stinëve, nga pak,

burrat si ty, vjeshta ime i bën më të zjarrtë.

Ti më ke dashur e përtej gjithçkaje më do,

me fije shpirti, pas vetes më ke lidhur fort,

për të shijuar fshehtësitë e dlirësisë së plotë,

se burrat si ty, kështu dinë të dashurojnë.