Ti fluturon larg strehës,si zog i lirë,
dhe unë e mjera s’kam kujt t’i flas
qaj si thëllëza,vetmuar në mugëtirë,
e zemër dalldisura loton,sa plas.
Dhe mbaj vesh,nëse troket,në derë,
si zogu i dimrit vetmuar nën një lis,
hirtëzohet syri dhe shpirti nxjerr vrer,
mbi buzët e mpira,dimri vallen nis.
Oh,ç’u zbardh fije e fundit,gjithë floku!
Qerpiku dallgëzuar fryn e shfryn,
në derë mbeta fishkur,si lule shtogu,
strehës hyri bora,vetëm ti nuk hyn.
TË PRES NËN LULE TË BARDHA…
Kuqëloj një gonxhe e dashuruar,
nën degë të çelur, a mbi bozhur,
nëse vjen dhe s’më gjen zgjuar,
zgjomë me lule,pa bërë zhurmë.
Nëse përngjaj Mona Lizë hëne,
veç një petal vërmë mbi buzë,
nëse derdh mbi të pjalm zemre
më zgjoftë ëmbël e saja muzë.
Mblidh mbi mua lule të bardha,
radhitur flladit nën qiellin blu,
e arratisur në qofsha në ëndrra,
kthem me një puthje mbi buzë.
Falmë dashuri e më duaj si grua,
dhe pse dhimbje gjirit,më ke lënë,
nën kumbull,do të pres vetmuar,
gjersa të vish e të hedhësh rrënjë…



















