Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Gocë e berberit

62
Sigal

Si legjendë e gjallë, udhëve të Fierit,
shfaqet bukuria jote, moj faqehënë,
mes këngës hyjnore gocë e berberit,
vargjeve të saj nuri të paska rënë.

Thonë ishe e bukur, rënë prej qiellit,
baluket e zeza ballin të kishin ngrënë,
dhe pse i prisje me gërshërë t’sherperit,
prape brenda natës ballin ta kishin zënë.

Kjo bukuri e paparë,zemëronte diellin,
aq sa rrezja kur të prekte të kishte inat.
dhe pse s’të linin të shëtisje Fierin,
pas gardhit rrinte djemuria dit’ e natë.

Ah, moj muhaxhire, ç’i bëre miletit!
Endërrimesh, si zanë i vije në gjumë.
Ah, ç’i bëre djalërisë, moj gocë e berberit!
Zemrën ua theve, shpirtin më shumë.

Ngjyrë e buzës sate, marroste çdo djalë,
bukuria derdhej vello syrit të Myzeqesë.
Ah, si s’të puthën, sikur njëherë në ballë,
askush s’të mori nuse dhe pse fort të desh!

Erdhe si fllad dhe si fllad i ëmbël ike,
mbete nëpër vargje bukuri e rrallë.
Më qafë more dynjanë, moj bukuri nazike,
kush ka mbetur gjallë, të kujton me mall…

FIERAKE E BUKUR

Rrëzë Apollonisë rendje duke kënduar,
dhe s’kishe aspak turp, fierake e bukur,
zemrën ç’ta këputi një djalë i dashuruar,

para tij përdridhesh si nuselale e zbutur.

Mezi po prisje,të çelte sythet pranvera
se të pëlqen të luash kolonave,si flutur,
sa të këput meraku për djalin,si përhera

po kur e sheh së largu,buza tretet skuqur.

Kur kthen kokën pas digjesh përvëluar,
fushës paqësisht shkel barin e vesitur,
kjo aroma jote ,lidhi djalin këmbë e duar,

u tret pas gjurmës,nëpër muzg djersitur.

Mes fluturimit erotik shkoje ëndërruar,
prej flokut rrëshqiti shamia përmbi gur,
nëpër gjoksin e djalit,u valëvit fluturuar,

sa vure dorën ta merrje,seç të ra një nur.

Sa kohë kishe që prisje çastin e bekuar,
dhe mbi krahët e tij re,si hënë e ndritur,
kur fllad i vajzërisë rrëqethi djalin urtuar,

ty lulen e paprekur,të puthi buzë dridhur

E MAGJEPSE DJALIN

Si era që shpupurit pranverën gjelbëruar,
ia preke gjirin djalit me dhela të çuditshme,
moj goca firake me shtatë ngjyra ylberëzuar,

e marrose djalin pas balukes së magjishme.

Shtambën e shtrëngoje dorës e gazmuar,
burimit iu afrove,si sorkadhe buzë etur,
freskove gushë e faqe dhe sytë e praruar,

thithe gjithë burimin, sa e le të shterur.

Se erërat e Apollonisë të kishin turbulluar,
si njomëzake pas statujave ishe joshur,
mes ëndërrimesh,kishe mbetur nusëruar,

aq sa djalit,duke pritur,durimi i ishte sosur.

Shkoi i zëmëruar se ti s’i the ;të dua!
Poshtë pemës fliste me vete si i çartur,
por kur dëgjoi këngën e vashës s’iu durua,

si krua i rrëmbyer iu derdh buzës së plasur.

Kur djalit ia hoqe qeleshen,ai buzëqeshi,
se balukja varej ballit si fija e perit,
ia preve siç i prisje vetë me gërshërë teli,

se kot nuk të thërrisnin,”e bukura e fierit”!

Sa të donte babai,si të ishe uji i pakët,
që ti të mos i mbaje të fshehta asnjëherë,
dhe pse digjeshe prej ndjenjës së flakët,
s’i thoshe dot për djalin,që puthe atë verë.