Suplementi Pena Shqiptare/  Mimoza Çobo: Do vij të vdes në pragun tënd…

199
Sigal

 

Penelopë e dashuruar mbeta, nën tisin e hënës.

Nga marazi enda pëlhurë, venat e zemrës.

Nëse s’vjen, të më kërkosh, pa u shuar ylli në mëngjes,

përmbi gjethe do jem tretur, bulëz me vesë.

Më mirë një flutur, të më thithë, me buzën e saj,

në embrion fluture, le të kthehem pastaj.

Larvë fluture, s’kam qenë në jetë, asnjëherë!

Krahë me luspa pluhuri s’kam tundur nëpër erë.

Në pranvera, kur shumohen fluturat shtegtare

dhe nëpër vjeshtra, kur kapërcejnë fusha e male,

në lëndinën e shpirtit tënd,e etur do të zbres,

të thith nektarin që s’ka thithur asnjë krijesë.

Qiellin e hirtë vjeshtak, përmbys do ta kthej,

portën e zemrës, me puthje do ta thyej.

Prej meje s’shpëton dot, as në qiell, as në tokë,

as në lëndinat e parajsës, nuk shpëton dot!

Nëse sipër luleve, hedh dorën e më merr,

sa dy petale do rëndoj, ky shpirti im i mjerë.

Mbi buzë do lë puthje e do shtegëtoj sa më larg,

si flutura Monarke, do vij të vdes, në tëndin prag.

 

Ah, Zoti im, më bëj zog, në mundsh!

Ah, Zoti im, më bëj zog. Në mundsh,

pak qiell më jep e një copëz jetë!

Të kërkoj djaloshin, që më deshi shumë,

thonë, me yje dhe engjëj ai flet!

Diku mes pyjeve, nën një pjergull,

e kanë parë të veshur me mjegull.

Mbi flokë i bariste një flutur e bardhë,

mbi buzë i këndonte një gjinkallë.

Thonë, si somnambul rend në livadhe,

shuan etjen, ku vënë buzët sorkadhet.

Më kërkon nëpër gurgullima burimore,

si dikur, kur freskoja hiret vajzërore.

Thonë, mbledh nektar nga lulet e prillit,

për mua i ruan, në kosheren e gjirit.

Kur dëgjoj ç’thonë, më pushton një mall i ri,

në prehrin e tij, me dëshirë të ulem të rri.

Ah, Zoti im, mos më ler qiejve të humbas,

pragmuzgjet e jetës me të, dua t’i ndaj.

e di,një ditë do të tretem,si një psherëtimë,

marrëzisht dashuruar,me somnambulin tim !

Ah, Zoti im, më bëj zog, në mundsh,

pak qiell më jep e një copëz jetë.

Të kërkoj të dashurin, që më do shumë,

fryma t’më shuhet, kur pranë tij të jem!

 

Fryma s’më del po s’të pashë pranë 

Fryma s’më del, po s’të ndjeva thellë në eshtra,

të më zbusësh me puthje, ndjenjat e egra.

Të gjarpërosh butësisht, hireve të shpërthyera,

të më helmosh e ngjallësh, ndjesitë e vyera.

Fryma s’më del, pa ndjerë të dalldisurat ledha,

pa thyer mallin egërshan, me të miat dredha,

pa ndjerë ekstraktin e rrënjëve të tua, në vena,

pa më ndalur zemra, kur më gjuan me shigjeta.

Fryma s’më del, po s’të ndjeva pranë, si ngahera ,

po s’erdhe të zbusësh buzët e lënë djerra,

të këpusësh sythet, siç këput petalet era.

Eja, pa le të më dalë shpirti, nëpër dhera! …

Stinët pa ty janë dimra të ashpër me ngricë,

përrenj qumështi, nëse kanë ngrirë në cicë.

Nuk i shkrin afshi polar, që ndez fijen e barit,

as Venusi që djeg asteroidët, me egërsinë e ajrit.

Fryma s’më del, po s’të pata vesë mbi qerpik,

po s’më ushqeve me nektar shpirtin përditë,

po s’më ktheve muzën ,që më dhanë perënditë,

po nuk ndeze me frymë, xixën e dashurisë.

Fryma s’më del, po s’të pashë edhe njëherë te dera,

po s’më puthe e përqafove, si ngahera,

t’më pëshpëritësh fjalë zemre dhe në qofshin gënjeshtra,

pastaj, le të hedh vallen e vdekjes, pa brenga…