Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: 85-Vjetori i shkrimtarit Vullnet Mato

138
Sigal

12 Nëntori i këtij viti, trokiti në dritaren e kujtesës së lexuesve të tij të shumtë, me 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të mirënjohur Vullnet Mato. Dua të theksoj së pari, se poezia e këtij poeti të shquar, qëndron mbi një shtrat të fortë strukturor, me bazë të gjerë konceptesh të përpunuara në mënyrë të përkryer, nga pena e fuqishme e këtij mjeshtri të madh. Në aspektin etik të përcjelljes së mesazhit, përpunimi i vargut, ndërtimi i strofës dhe i gjithë shtrirjes ideo-artistike, bëhet me stilizime nga të gjitha llojet e  ngjyrave letrare dhe me shtrirje idesh, nga realiteti i thjeshtë, deri në filozofi. Mesazhi i vargëzuar i tij, shpreh madhështinë e një mendjeje, e cila di të zgjedhë fjalët e kuptueshme për lexuesin e gjerë. Në poezitë me temën e dashurisë për atdheun, ky autor shprehet: ”O zëra të rinj të kësaj toke me gërxhe thepisur!” Thirrje e një shpirti, ku vagëllojnë hapësirat e një kombi të shpërbërë nga lakmitë historike të fqinjëve e të shpërndarë në disa shtete. Vargjet e tij lapidare, rrokin kohërat, nga rapsoditë e lashta, të legjendave, të kreshnikëve, deri në ditët tona, të braktisjes së vendit nga emigrimi i moshave të reja… Shpërthimi i shpirtit të këtij poeti, është sinonim i një atdhetari me ndjenja të thella kombëtare, që penën nuk e lëvron vetëm si mjet të talentit, për të hedhur ndjesitë poetike, por shkon përtej perceptimit të formateve standarde të poezisë… Ky kapërcim i guximshëm, bëhet i ndërtuar me një metrikë epiko-lirike, i konceptuar si format me shumë dritare, nga ku mund të shohësh pa fund horizontet lineare të shtrirjes së atdheut. ”O krijesa të shkëmbinjve me kollitjen e barutit!”. Nuk është vetëm ndërtimi ideo-artistik i vargut luftarak të tij, por edhe mënyra e konceptimit të gjithë shtratit poetik, me përdorimin e disa figurave letrare, që nuk njihen ose nuk vihen re nga shumë krijues… Përdorimi i retorikës, në këto vargje, na jep përjetimin e efekteve të drejtpërdrejta, që lidhen emocionalisht me shtjellimin artistik të kësaj teme:”O Shqiptar me shtatë zemra në gjoks,/me fijen kuq e zi, lidhur te këmba për fluturime/që cepin tjetër të përmalluar, kur e tendosni nga kjo anë, e keni të lidhur fort, te zemra ime! “ Strofa e fundit finalizon shpirtin e poetit, me dëshirën për të penguar shpërbërjen e blerimit njerëzor, dëshirë e endur bukur në ”tezgjahun” e tij poetik. Ky poet nuk përmbahet ndaj mbartësve të kanunit dhe zakoneve të shkuara në kohë, kur zhvillimet e sotme, kanë një hapësirë të gjerë gjykimi e veprimi, për jetën në liri e me të drejta njerëzore. Ndryshe nga normat kanunore, që e kanë quajtur femrën objekt për të lindur fëmijë dhe nderi e dinjiteti i saj, ishte i kushtëzuar nga dhuna deri tek fisheku ne pajë; poeti, njohës i mirë i traditës, shprehet me argumente të qarta artistike, për të dhëne mesazhin, se brezi i ri duhet të eci me ritmin e zhvillimeve bashkëkohore. Gjithashtu vargjet epike të këtij autori, burojnë natyrshëm, me bukurinë e rrallë të eposit tonë, ku trimëria dhe guximi janë të mbrujtura, që në këngët e djepit, ku janë rritur kreshnikët, në shtratin e tyre alpin. Të shkruara me art e bukuri estetike, ato janë modele të bukura për brezat. Në poezitë e tij, kemi kalërimin e një pene, që shkon mbi ylberin e shtrirë mbi ”brezin purpurak” nga brigjet malore, deri lart në qiell, “mbi retë pupëlore”… Fjalori i përdorur, përshtatet mrekullisht me të gjithë elementët letrar, ku bie në sy mjeshtëria e përdorimit figurativ, ku çdo lule është vendosur në vazon e duhur. Në lidhjen e fortë midis figurave letrare, si gjithmonë në krye qëndron metafora kryeneçe: “Në fund mbetjet i nxora nga kafazet ku flinin, retë, lumenjtë, detet, i çova andej nga erdhën, ylberin e lashë mbi brigje, të bënte purpurimin, se më erdhi mesazhi i shenjtë, të kalëroja penën!”…  Poeti natyrshëm “të merr për dore” bashkë me fatin e lindur në një truall të begatë, ku flenë gjithë të mirat dhe bollëku i kësaj natyre, nga më të bukurat në botë. Jo pa qëllim autori jep mrekullinë e këtyre pamjeve, nga shushurima e gjethnajës, gurgullima e ujit kristal, deri te begatia e shpateve pjellore. Duke u kujtuar bijve e bijave të krahinave të braktisura, madhështinë e papërsëritshme të vendlindjes. Përkushtimi dhe perceptimi i talentit të tij, në artin e shkruar letrar, lidhet me shkallën e lartë të profesionalizmit dhe përvojën letrare. Mjeshtëria e përpunimit të vargut, na jep mundësinë të shohim me sytë e poetit të gjithë itenerarin, që përshkon rrugëtimi i tij, që nga: “Lindja me pergamen të programuar/deri te bindja për të plotësuar misionin që i ka vënë koha, /Vetëm kur të plotësojë misionin e kësaj jete, do të më ndalen, truri, zemra, dhe fryma,/ të flenë në qetësinë e prehjes së përjetshme, duke lënë pas vargje, të shkruar me vetëtima…” Ky krijues, me vlera të patjetërsueshme, si poet, prozator dhe publicist i vlerave kombëtare, është modeli i një njeriu të kompletuar me cilësitë e larta njerëzore dhe intelektuale, të cilat i ka vënë në shërbim të së mirës shqiptare. Mëndja e artë e këtij profesori, e ka kthyer poezinë, në shpatë kundër fenomeneve negative të shoqërisë sonë,  që ende vuan pasojat e tridhjetë vjetëve më parë, duke mos dalë dot nga ujërat e turbullta të kohës! Duke trajtuar gjerësisht problemet shoqërore, pena e tij ka merituar respektin, jo vetëm lexuesve vendas, por edhe të diasporës shqiptare të Rumanisë, të cilët e kanë pagëzuar me titullin: “Nderi i Kombit”, si shkrimtar me cilësi të rralla njerëzore e kombëtare. Nga shkrimet e tij, kupton, se ky poet, nuk mund të krijojë, nëse vargut të vet nuk i jep shpirt e gojë. Si gjithmonë pena e tij gërmon thellë në mentalitetin e shoqërisë shqiptare, duke u mbështetur fort tek e vërteta, e cila reflektohet në çdo poezi, ku ai stigmatizon botën e errët, të një pjese njerëzish, duke përdoruar pyetjen retorike: “A je njeri i vërtetë?”, duke i hapur rrugën lexuesit, që të zgjedhë vetë mënyrën e interpretimit të mesazhit poetik. Autori thotë: “Gjithçka mund të bëhesh në jetë,/por është tepër e vështirë të jesh njeri i vërtetë!”… Thurja e lirikës së tij, me mjeshtërinë më të bukur artistike, me ngjyrimet më të sakta poetike, i jep vendin e merituar dashurisë për shoqen e jetës. Lirika e bukurisë së jetës familjare, është mesazhi më i qartë, se ka vetëm një dashuri, që buron nga zemra e shoqes së jetës dhe shihet në sytë e saj. Ky poet ka zbrazur prej shumë vitesh një krijimtari të pasur me vlera kombëtare, që ruan identitetin dhe origjinalitetin e saj, që frymon se bashku me dertet e popullit te vet. Poezia e Vulllnet Matos, vjen aq natyrshëm, sa prek mendjen e çdo qytetari kudo ku ndodhet, prek shtresat në nevojë dhe njerëzit me pensione stimuluese. Ky poeti i bën krijimet aq tërheqëse, me gjetjet e bukura artistike, saqë dhe lexuesin e bën të fluturojë në krahët e fantazisë, për t’iu afruar së vërtetës. Kur mbaron së lexuari lirikat e këtij poeti, të vjen në mendje thënia popullore: bjeri pragut të dëgjoje dera… Kjo formë artistike, bëhet e dashur dhe mjaft e afërt për lexuesin. Lirikat e tij, shpesh janë klithma, për qëndrimin e padenjë ndaj femrës, ndaj nënës që rrit fëmijë, duke vënë në dukje, se ngritja e dorës ndaj bashkëshortes, shënon humbjen e dinjitetit burrëror, humbjen e respektit dhe çdo tipar qytetarie. Lirika e bukurisë së jetës familjare jepet si dhuratë për lexuesit dhe është mesazhi më i qartë, se në këtë, jete ka vetëm një dashuri të vërtetë, që buron nga zemra e shoqes së jetës dhe shihet në dritën e syve të saj. Lirikat e tij, vijnë për lexuesin, jo vetëm me bukuri estetike, por dhe me mesazhe të qarta jetësore. Me gjetje artistike interesante, ai stigmatizon lakminë e pasurisë, luksit dhe karrierës së disa personave të korruptuar. Dëshirat poetike të këtij poeti lirik, të zgjojnë shpresat dhe besimin, se e ardhmja do të jetë më e mirë.Ky shkrimtar i shquar, ndërton në prozë, nga ato tregime të rralla, që mbajnë brenda karakterin burrëror të shqiptarit. Kjo vihet re në tregimin e famshëm të tij: “Fjalët që ndalën mortin” ku dy jetë trimash, dikur, armiq, pajtohen në prag të vdekjes. Ai përshkruan tiparet e njerëzve malësorë, që për nga fuqia e bashkëbisedimit të ndërsjellë të dy burrave trima, arrin të ngelesh pa frymë, që fuqia e fjalës së mençur, arrin të sprapsi dhe vdekjen për disa çaste. Fuqia e frazës gati magjike të këtij mjeshtri, që, siç tregon fotoja e ilustruese, ka ecur mbi mushkë shtigjeve të malësisë së Dukagjinit, për ta dëgjuar ngjarjen nga goja e protagonistit, kuptohet te fraza e ndërtuar mbi bazën e njohjes së vërtetë. Me një përmbajtje heroizmi të pashoq, ai na sjell në ditët tona, heroizmin e Norës së Kelmendit e simbole të tjera të grave trimëresha, për të cilat, më herët ka shkruar poezi të mrekullueshme, për heroizmin e Bubulinës, apo të grave Suliote.  Duke u shprehur pathosin: “Ah sa e bukur je moj heroina ime Norë, me atë vdekje të pashuar që më ke në sy! Lum kush shpatën tende merr në dore, të bëhet përjetësisht e pavdekshme si ty!”… Vargje të tillë, janë më shumë se madhështi poetike. Veprimtaria letrare e Vullnet Matos, shquhet edhe për ndihmesën që u jep ai talenteve te reja, duke redaktuar e bërë gati për botim, mbi 300 libra të krijuesve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Në parathëniet e dy romaneve më të fundit të tij, kam shprehur mendimin tim për këtë mjeshtër të madh të fjalës dhe të stilit. Te romani “Uria”, romancieri Mato, njihet për forcën e jashtëzakonshme të fjalës artistike, me të cilën godet shkakun kryesor. Po kështu te romani “Vajza e Kyçur” dhe “Mësuese Freskita”, bie në sy suksesi i dukshëm i këtij  shkrimtari, që me stilin origjinal e të papërsëritshëm, arrin të përshkruajë në mënyrë unike, ngjarje të përjetuara, duke i dhënë dinamizëm dhe energji artistike rrëfimit në prozë. Pa u futur në analizë të thellë të jetës intelektuale të shkrimtarit Vullnet Mato, dua të shprehem, se krijimtaria e tij, nxjerr në pah përmasat e vërteta të këtij personaliteti poliedrik, që tashmë ka zënë vendin e vet në historinë e letërsisë shqipe. Vepra kreative e Vullnet Matos, gëzon një popullaritet të gjerë midis lexuesve të shumtë, në mbarë trojet arbërore e më gjerë, duke u radhitur përkrah përfaqësuesve më të shquar të letërsisë shqipe. Në këtë prag të 85- vjetorit të lindjes së tij, i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të mbarë!