Suplementi Pena Shqiptare/ Mësimet e vëllezërve Frashëri janë aktuale edhe sot

445
Prof. Dr. Alfred Frashëri
Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave
Ermal Frashëri, S.J.D. Harward University, U.S.A.
MËSIMET E VËLLEZËRVE FRASHËRI JANË AKTUALE EDHE SOT PËR SHQIPTARËT NË SHQIPËRI DHE KOSOVË
U TREGUAN SHQIPTARËVE RRUGËN E PAVARËSISË DHE TË PËRPARIMIT, KJO NUK ËSHTË NOSTALGJI
Naim Frashëri
“Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar
Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”
Gjergj Fishta
“….a thue m’kto vorre sod ndo ‘i kunorë Atdheu ka per t’u a çuem
Si peng çmimit e bindijet e nderjet
Per shka ata psuene per Liri t’bekueme?”
Vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, në ballë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, u treguan shqiptarëve se sa i bukur është atdheu i tyre dhe si duhet luftuar për t’a bërë të lirë, se sa trima, të mënçur e punëtorë, sa fisnikë janë shqiptarët, sa e bukur dhe e ëmbël është gjuha e jonë, shqipja. Ata shkrinë jetën dhe pasurinë për Shqipërinë.

Abdyl Frashëri ishte ideologu dhe luftëtari i Rilindjes Kombëtare, që luftoi për lirinë, pavarësinë e Shqipërisë, për tërësinë e Atdheut, punoi për t’i treguar botës se kush ishin shqiptarët dhe atdheu i tyre. Siç ka shkrojtur Teki Selenica (1928), ishte ndër të parët ndërmjet “… një grusht njerëzish që kishin ndjerë trumpetën e gjamës së topave të kohës së rilindjes kombëtare të popujve të Ballkanit, duke parë rrezikun e Atdheut të tyre, më 10 qershor te vitit 1878 në Prizren bënë një mbledhje të madhe”. I parë, midis të parëve Iliaz Pashë Dibra, Ali Pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, myderiz Omer Efendi nga Prizreni, Sulejman Vokshi nga Gjakova, ishte Abdyl bej Toska (siç e thirri Luma) ai që mbajti fjalën e hapjes së mbledhjes më 10 qershor 1878 dhe kryetari efektiv i Lidhjes. Ai ishte nismëtar i një sërë mbledhjesh në zbatim të vendimeve të Lidhjes së Prizrenit për të organizuar degët e Lidhjes në të gjithë Shqipërinë e Jugut, midis të cilave kryesorja ishte ajo në teqenë ë Frashërit në mesin e muajit korrik 1878. Karakteristikë e veprimtarisë atdhetare të Abdyl Frashërit është ngritja në nivel gjithënjë e më të lartë dhe më intensive e luftës për çështjen shqiptare. Ai qëndroi besnik luftës së tij. Edhe kur u shpërnda Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri, së toku me Sulejman Vokshin, Myderiz Omer Efendi si edhe me krerët e malësorëve, u përpoqën të organizonin forca të reja për luftën kundër Portës. Është i mirwnjohur memorandum që i drejtoi kryeministrit të Italisë Francesko Kripsit, ku midis të tjerave i shkroi “…Populli shqiptar është i vetmi komb që ka zhvilluar prej kohësh një rezistencë energjike kundër pushtuesve turq… Shqipëria meriton pavarësinë më tëpër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”. I dalluar si personalitet politik atdhetar, ai iu kundërvu edhe rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare. dhe synimeve dhe veprimtarisë së fqinjëve të Shqipërisë. Ai përpiloi projekt deklaratën për pavarësinë e Shqipërisë dhe ishte njëri ndër autorët kryesorë të platformës politike, të cilën e publikoi gjatë pranverës së vitit 1878 nëpërmjet organeve të ndryshme të shtypit europian. Populli i thuri e i këndoi këngë patriotizmit të Baba Alushit dhe Abdyl Frashërit: Kush e desh Shqipërinë kush/ Shënjti baba Alush/ ……./Abdyl beu me dituri/ Abdyl beu nga Frashëri/ Ç’u përpoq o i varfëri/ Qindra herë vajti fërnjgji/ Prishi punë e tij/Prishi tri barë flori/….

Në këto përpjekje dhe luftë të shqiparëve u rrjeshtua edhe Naimi. Në vjershën e tij “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” ai u drejtua shqiparëve:“O djemt’ e Mëmëdheut, o trima atdhetarë,/ ….lispet dhe sot të jemi, si kemi qem’ një here/ të lidhur, të bashkuar, vëllezër kurdoherë”, dhe hodhi kushtrimin: Liria duhet fituar me çdo kusht dhe me çdo sakrificë. Dashurinë për atdheun e këndoi shqip në poemën e tij “Bagëti e Bujqësi”: “Ti, Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin Shqipëtar/ Zemrënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr”, u dha shqiptarëve eposin e tyre kombëtar, nëpërmjet historisë dhe të heroit legjendar të tyre, u mësoi shqiptarëve në “Historia e Skënderbeut”: “hapni sytë dhe punoni,/ të gjithë për Shqipërinë, tjetërë gjë mos kërkoni/ ajo sjell mirësinë”/

Naim Frashëri na mësoi edhe se pjesë e cilës botë jemi ne shqiptarët, kur shkroi: “/Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë/ Kaqë gjë kemi mësuarë/ Të nderojmë mëmëdhenë/…………./ Jak’ o ditë e bekuar/ 
Që lind nga perëndon!/ At’an’ e ke ndriçuar/ E ne pse na harron?
Shpirti i gjerë i Naimit dhe ndenjat e tij njerëzore u shpalosën me bukuri dhe vërtetësi në shumë e shumë vjersha si “E vërteta”, “Dituria”, “Dashuria”, “Bukuria”, “Fjalët e qiririt”, “Jeta” Vaftëria”, “ Mejtimi”, Gjuha e zemrës”, “Plaku dhe vdekja” etj., etj., si edhe përshkruan dukuritë e natyrës si pranvera, dimri, Dielli, në breg të detit, etj. Në vitin 1882, Naimi shkroi në vargje shqip poemën epike “Qerbelaja”, për tu dhënë shqiptarëve eposin fetar të bektashizmit, ku midis tw tjerave shkruan: Zot i madh, për Qerbelanë!/ Për Hysejn’ e për Hasanë,/ …../ Për gashërinë time,/ Shqipërinë mos e lërë,/ të prishet e të bjerë,/ po të jetë gjall për jetë,/ gjithë ç’i duhet, ta ketë,/ të rronj’ e të mbretëronjë,/të jetë lulëz’ e zonjë!

Duke lexuar dhe mësuar vjershat e Naimit, ne njihemi mirë me universin poetik të tij, me botën e tij shpirtërore, me mëndjen e tij të shquar dhe kuptojmë se çfarë detyre i kishte vënë vehtës në të mirën e njërëzisë dhe Atdheut tone, Shqipërisë. Ne sot flasim në gjuhën shqip të bukur të Naimit.

“Ai ishte flamurtar i rilindjes shqiptare, është ç’ka është Gëte për gjermanët, Shekspiri për anglezët dhe Viktor Hygo për francezët, ai u futi shqiptarëve shpirtin e zgjimit, u frymëzoi atyre idealin kombëtar dhe dashurinë për atdheun”, ka shkruar Syrja bej Vlora. 

Prandaj, i pikëlluar, poeti i madh i Lunxherisë, Andon Zako Çajupi, shkroi kur vdiq Naimi: “VdiqNaimi! Vdiq Naimi! Moj e mjera Shqipëri/ Mëndeje-larti, zemër-trimi/ Vjershëtori si ai!

Nw një rradhë më ta, në ballë të luftës për çështjen shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, qëndronte edhe Samiu vëllai më i vogël i tyre. Ai botoi më 1899 manifestin politik e ideologjik të Rilindjes “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, ku përgjithësoi rezultatet e luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve në atë fund shekullli të 19-të dhe u ndriçoi rrugën nëpër të cilën duhet ecur. Në këtë manifest, Samiu shkroi: “Shqiptar është çdo njeri i pjellë prej shqipëtarësh e që flet shqip, po shqiptar i vërtetë ësht’ ay që ka mendjen e zëmrënë shqiptar”. Që të ndërgjegjësonte shqiptarët por edhe të huajt ai tregoi se shqiptarët “janë në robëri të poshtëruar, të shkelur dhe të shpërndarë”. Për kombësinë e shqiptarëve ai shkruan: “Shqiptari, mysliman qoftë, orthodhoks qoftë, katolik qoftë është gjithënjë shqiptar. Besa nuk sjell kurrë ndarje e çarje midis tyre…..”. Duke ju përgjigjur pyetjes “Me se mbahet kombësij e një kombi?” dhe na mëson “Më parë me gjuhë të tij….. “Pa gjuhë shqipe nuk ka shqitarë dhe pa shqiptarë nuk ka Shqipëri”. Prandaj rilindasit bënë përpjekje të mëdha për gjuhën shqipe dhe ruajtjen të pastër të saj. Poeti atdhetar Filip Shiroka, qysh më 1898 shkroi me dhëmshuri, në vjershën “Si po prishet gjuha shqype?”: Çojmë n’dhe t’huej djalin m’u msue,/ kombin tonë m’e përparue,/ dhen tonë m’e nderuemun;/rri n’shkollë djali pesë – gjashtë vjet,/ kur vjen n’Shkodër, shqyp nuk flet,/ Shqypen ka harruemun!!!!/kur flet shqyp, asht çud m’e ndi/ Gjys-për-gjys tue e përzi/ me fjalt t’gjuhve t’hueja!E kshtu gjuha po shëmtohet,/dhe kshtu kombi po mjerohet.

Sami Frashëri u tregoi shqiparëve se “Ne jemi m’i vjetri komp i Evropësë. Kemi të drejtë në dhet’ t’ Evropësë më tepër se çdo komp”. Këtë të drejtë të shënjtëruarë shqiptarët janë të zottë të ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë”. Krahas kësaj ai u tregoi shqiptarëve edhe rrezikun nga fqinjët lakmimtarë, Samiu i vlerëson si rrezik të madh edhe përçarja dhe grindjet midis vehtes, si rrjedhojë e përçarjes fetare dhe padijes. Samiu thekson me të madhe se “Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është dë dorë të shqiptarëve”. Rrezik tjetër është varfëria, e cila sjell grindje, ndarje dhe mosdashuri. Rreziqe këto, që shumë nga të cilat, janë para nesh edhe sot e kësaj dite. Dhe, që nga shekulli i robërisë së rëndë, na la amanet dhe porositë, që me aqë madhështi kanë qënë renditur në një poster në hyrje të Shtëpisë Muze të Vëllezërve Frashëri, në Frashër, por që sot për fat të keq e kanë hequr: Jemi shqiptarë dhe jo turq e kaurë; Fetë i përçajnë kombet; Shqiptarët të gjithë duhet të duan njëri tetrin, të kenë vëllazërinë në mest; Shqipëria është një dhe e pandarë; Duhet të jemi të bashkuar. Bashkimi duhet të futet në gjakun e sejcilit; S’ka në jetë më i lik njeri se tradhëtari i kombit dhe i mëmëdheut; M’i dashur se kombi, m’i dhëmshur se mëmëdheu, m’i ëmbël se gjuha e tij s’ka gjë tjetër për njeriun; Një njeri sa do të mira të ketë për veten e tij s’mund të jetë faqebardhë, po të ketë kombin dhe mëmëdheun e vet fatzi; Të hiqet Turqia dhe të vijë një sundues tjetër, është sikur një shtazë të ndërojë samarin dhe jo lirinë. Samiu e mbylli librin “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” me thënien e tij lapidar “Bashkimi bën të mundëshme gjërat e pamundëshme, përçarja bën të pamundëshme edhe gjërat e mundëshme”.

Edhe thënia lapidar e rilindasve “Pa atdhe nuk ka fe” dhe mësimi i Vaso Pashës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria” dhanë një kontribut të ndjeshëm për bashkimin e popullit shqiptar, i ndarë në tre fe.

Mbrojtja e tërësië së trojeve shqiptare ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes të gjithë rilindasve. At Gjergj Fishta u bwri thirrje shqipetareve: “Për Shipni t’mos u dhimet jeta./ Ma mirë dekë nën dhe me u kja/ Se me marre gjallë mbi dhe/ Për dhe t’vet kush dekë ka ra/ Ai s’ka vdekun, por ka le”.

dhe në vjershën “Korrupsioni”: “Qi të mjerës moj Shqypni/ Kthellë hi i keni në mushkni,/ Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,/…

Më 25 maj 2016, Shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare Përmeti përkujtoj 170 vjetorin e lindjes së Naim Shqipërisë, siç e quan populli Naim Frashërin, duke organizuar një konferencë shkencore, në vazhdën e një veprimtarie 12 vjeçare për këtë përvjetor, së toku edhe me ish Komunën e Frashërit. Për të ardhur keq ishte se asnjë institucion shtetëror, madje edhe shkollë që mban emrin e tij nuk u kujtua për të kremtuar këtë përvjetor. Edhe ne 2017 ndodhi e njejta dukuri, nuk u kujtua njeri! Duke hyrë për në sallën ku zhvillohej konferenca në Tiranë, një i ri i tha shokut të tij “Po me të vdekurit akoma do të merren këta?”. Më goditi si bombë një fjalë e tillë. Do të ishte gjysma e të keqes po të vinte kjo pyetje nga mentaliteti “modernist”: “Në kohë të reja edhe mësimet nuk mund te jenë ato të shekujve të kaluar!”. Por harrohet, apo dëshirohet të harrohet se mësimet e reja, që janë të domosdoshme se pa ato nuk përparon shoqëria e ditëve tona, nuk mohojnë dot disa mësime e të vërtetave absolute si drita e diellit, që nuk njohin vjetërsi. Dhe këto mësime ja dhanë shqiptarëve Rilindasit e mëdhenj një shekull më parë, në ballë të së cilëve qëndrojnë Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Samiu, Naimi dhe të tjerë rilindas, udheheqesit Ymer Prizreni, Iljaz Pashë Dibra, Ali Pashë Gucia, Sulejman Vokshim, Ismail Qemali, luftëtarët Isa Boletini, Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, rilindasit e kulturës Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Vaso Pasha, Zef Jubani, Jani Vreto, Hasan Tasimi, Ndre Mjeda etj.

Rilindasit, në veçanti Sami Frashëri u tregoi shqiptarëce se “Ç’do të bëhet Shqipëria”. Ai ka pyetur: “ A mund të qëndrojë Shqipëria si është?”. Kësaj pyetjeje i përgjigjet se Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të qëdrojë ashtu siç ishte dhe se “Shqipëria sado q’është e varfër dhe e paditur, ka njerëz të zot për të qeverisur vendin e tyre”.

Qysh në vitin 1876, Sami Frashëri kishte arritur në përfundim se sistemi despotik i ka sjellë telashe të mëdha Peradorisë Osmane dhe e ka lënë atë mbrapa nga vendet e Evropës (Gazeta “Sabah”). Edhe njerëzit që janë për sistemin despotik mendojnë se funksionarët janë krijuar për të dhënë urdhëra, kurse popullin si shërbëtor ose argatin e shtetit. Prandaj, ai nuk e kërkon që shteti shqiptar të jetë mbretëri, ose e thënë thjesht të mos jetë “sulltanat” despotik. Për Shqipërinë e pavarur ai na meson që shqiptari të ndërtojë një shtet përparimtar, me strukturë shtetërore demokratike: shteti të drejtohet nga Pleqësia e zgjedhur dhe me parimin e rrotacionit, pa patur “pleq” të përherëshëm. Këshilli i Përgjithëm i zgjedhur gjithashtu me të njëjtët parime si Pleqësia, nën të cilin janë organet e pavarura të drejtësisë – Prokuroria e Përgithëshme, Gjykata e Lartë, si edhe Këshilli Kombëtar (Qeveria) me Ministritë.

Dhe në kuadrin e organizimit të këtij shteti të ardhshëm shqiptar, Sami Frashëri na mëson: “Pas diturisë kujdese shqiptarëve e m’e madhe nevoja e tyre do të jetë për punët e përgjithëshme, të cilat do ti sjellin begati e paisje të madhe Shqipërisë”. Rrugët, hekurudhat, portet detare, sistemimin e lumenjve dhe tharjen e kënetave, nxjerrjen e mineraleve dhe pyjet është lista e punëve “më të neojshme e më të vyer “, të cilat duhet të bëhen në Shqipëri, që ekonomia e shtetit shqiptar të përparojë dhe që do “ta bëjnë Shqipërinë më të pasur, duart e këmbët zgjidhurë”…. “Metalet do të kërkohen në gjithë anët e Shqipërisë dhe të nxirren kudo që gjenden…. Në kryeqytet të Shqipërisë, përveç shkollave të dyta e të tretat do të jetë një gjithmësime (Universitet)….një këshillë diturie (akademië) duhet të jetë në kryeqytet….për të shpënë përpara dhe shkronjënë, istorinë, dhekërkonjënë (gjeologjia), metalet e të tjera punëra të Shqipërisë…..” .

Në konkretizim të ketyre mësimeve, veprën e tij “Probleme Shqiptare”(viti 1943, ribotim 2001) Mehdi Frashëri (i amnistuar me rastin e 15 vjetorit të Çlirimit më 1959 me dekret Nr. 3005 nga Kuvendi Popullor dhe sot Qytetar Nderi i Përmetit) shkroi “…Në kohën e arthme të afërt, vajguri i Shqipërisë si në Kuçovë ashtu edhe në Pathos, … formon një burim pasurie kombëtare dhe një objekt të rëndësishëm për të ardhurat e shtetit” dhe se në ç’do rasë monopolizimi i kaburanteve në duart e huaja, është një vetvrasje, se në rast nevoje shtetit i mungon faktori kryesor i çdo lëvizje”.

Pyjet janë ndër pasuritë më të begata dhe të rëndësishme të vendit…. Krahas shfrytëzimit dhe ruajtjes së këtyre pasurive natyrore, që shteti të përparojë dhe të jetë i pasur duhet edhe të punojmë dhe të zhvillojmë bujqësinë dhe blegtorinë, si edhe “mjeshtëri në të cilën kanë mësuar vendalinjtë: leshi, liri, pambuku, mëndafshi, hekuri, druri t’arrihet të punohet sa të mundetë më shumë, që të mos ketë shqiptari aqë shumë nevojë ti sjellë këto nga jashtë”.

Me këto mësime, ne duhet të kuptojmë mirë se është prodhimi industrial dhe bujqësor ai që sjell përparimin dhe zvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, pasurimin e popullit dhe të shtetit. Ekonominë e shtetit nuk e zhvillojnë restorantet dhe banakët e kafeneve, as edhe shpikja e të ashtuquajturës “Industria e turizmit”, që janë shërbime ndaj komunitetit. Shtetet e përparuara në botë u bënë ata që zhvilluan industrinë për shfrytëzimit e pasurive natyrore, të prodhimit e të mirave materiale dhe bujqësinë.

Sami Frashëri e lidh ngushtë zhvillimin ekonomik të shtetit edhe me problemin financiar dhe organizimin e domosdoshëm në këtë drejtim.

Në kuadrin e qeverisjes të shtetit shqiptar, Sami Frashëri e konsideron të domosdoshme që krahas organizimit të pushtetit qëndror të rekomandojë edhe për pushtetin lokal dhe në veçanti për kompetencat që duhet të ketë sejcili nga këta pushtete, në raport me njeri tjetrin dhe me popullin.

Sami Frashëri tregon me forcën e fjalës dukuritë që dëmtojnë dhe rrezikojnë kombin shqiptar kur shkruan: “…Sot, shumë shqiptarë, mund të themi, s‘janë shqiptarë as me mend as me zëmrë. Kombin e tyre dhe gjuhënë s’e duan as e nderojnë, s’duan të këndojnë e të shkruajnë në gjuhë të tyre, edhe shumë kanë turp edhe të flasin shqip”. Dhe ky rrezik për Shqipërinë dhe kombin shqiptar ekziston edhe sot, më fort se kurrë, si një nga drejtimet luftës që na bën arradha antishqiptare, prehë e të cilës bien shumë njerëz, nën maskën e globalizimit.Janë“Shqipërisë nuk i duhet mbret”, “M’i dashur se kombi, m’i dhëmshur se mëmëdheu, m’i ëmbël se gjuha e tij s’ka gjë tjetër për njeriun”.

Veprën e tyre e vazhdoi edhe vëllai më i vogël Mehmeti. Edhe ai ka qënë luftëtar i çështjes kombëtare. dhe kryesoi Komitetin “Bashkimi Shqiptar”, që së bashku me Haxhi Zeka, Ibrahim Temoja, Dervish Hima e Jorgji Meksi, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Ilo Unezi etj, punoi për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm.

Po pse i rendita mesimet e Rilindasve, vetëm për ti kujtuar e nderuar? Jo, por për të analizuar ç’kemi bërë këto njëqind e katër vite pas shpalljes së pavarësisë, ç’po bëjmë sot dhe ku na shpie rruga e nisur.

Mësimet e Rilindasve frymëzuan në dhjetra vjeçarë atdhetarët shqiptarë në luftën dhe punën e tyre dhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë, ndërtuan shtetin shqiptar, fituan mbi murtajën nazi-fashiste dhe çliruan atdheun. Me këtë fitore, u krijuan kushtet dhe u realizua përparimi i Shqipërisë, nga vendi feudal i prapambetur në një shtet me industri e bujqësi të zhvilluar, më shëndetësi dhe arsim të kohës falas, duke zhdukur edhe analfabetizmin. Programi ekonomik i rilindasve u vu nē jetē vetëm pas çlirimit tē vendit mē 29 nēntor 1944. Kērkimi dhe nxjerrja e naftēs dhe mineraleve tē tjerē tē dobishēm u bënë me pērparēsi, gur themeli i zhvillimit tē qēndrueshēm tē ekonomisē shqiptare. Ky zhvillim shkoi krahas edhe me formimin e specialistēve tē degēve tē ndryshme. Pēr tē argumentuar kapacitetet e industrisē shqiptare mjafton tē pērmendim prodhimin maksimal tē arritur nē vitin 1984: 1,007,000 ton/vit bakër dhe 960,000 ton/vit kromite, 2.250.000 ton/vit naftē (1973).

Nuk ndërtuam një shtet siç na mësuan rilindasit në shekullin që kaloi, dhe nuk e kemi edhe sot. Shteti shqiptar ka qënë një mbretëri, pastaj një diktaturë partiake dhe asnjëherë nuk ka qënë zbatuar platforma për qeverisjen e vendit, të paraqitur qysh në Lidhjen e Prizrenit me rolin vendimtar të parlamentit të zgjedhur nga sovrani dhe me institucione shteterore të pavarura dhe të kontrollueshme. Gjendja e një shteti të tillë detyruan dhe po e detyrojnë shqiptarin të braktisë atdheun e vet në përmasa biblike. Sot ka mbi 1.5 milon shqiptarë në emigracion dhe këta janë pjesa më e gjallë dhe më e kualifikuar e kombit.

Nuk ka nevojë për shumë komente që të argumentohet së në këtë shekull pas shpalljes së pavarësisë, ne jo vetëm që nuk zbatuam porositë kryesore të gjithë Rilindasve por kemi ecur edhe në të kundërt: Klasa politike gjatë këtij njëqind vjetori e ka hedhur poshtë mësimin e Abdylit: “Do të vijë dita kur Europa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit më mire se çdo popull tjetër i lindjes……”.

Kemi hedhur poshtë porositë e Samiut: “Duhet të jemi të bashkuar. Bashkimi duhet të futet në gjakun e sejcilit…Bashkimi bën të mundëshme gjërat e pamundëshme, përçarja bën të pamundëshme edhe gjërat e mundëshme”. Sot jemi ndarë në dhjetra e dhjetra parti armike më njëra tjetrën aq sa jane regjistruar 18 parti per zgjedhjet e 18 qershorit 2017 ndersa 26 nuk janw regjistruar duke i bojkotuar. Jemi ndarë jo vetëm në tre fe, por edhe në më shumë sekte fetare se sa gishtat e duarve, në veriorë dhe jugor, etj. etj. Është bërë e modës, për çdo prekje të interesit personal të krijohet një partiçkë e re. Edhe partitë janë ndërtuar me stilin e sulltanatit, ku ligjin e bën kryetari i përjetshëm.

S’po na pëlqenka më gjuha shqipe, gjuhës që Naimi i këndoi “Pa shihni ç’gjuhë e mirë!/ Sa shije ka…”. Na pëlqekan fjalët “kurrikulum”, “show”, “face”, “audit”, “test”, madje “vetting”, në vend që të përdorej fjalë shqip, që të kuptohen nga të gjithë, etj., etj.

Ne u karakterizuam në këta njëzet vjetët e të ashtuquajturit “tranzicion” në vetshkatërruesit më të mëdhenj të vendit, në të gjithë historinë e Shqipërisë. Nën thirrjen “terapia e shokut”, prishëm me rrënjë industrinë e ngritur me djersën dhe gjakun e shqiptarëve, shkatërruam sistemet e ujitjes dhe të kullimit të tokave bujqësore dhe sot përmbytemi, shkatërruam pyjet dhe shkaktuam një erosion të parapë, shkatërruam sistemin arsimor me të ashtuquajturat tekste alternative të zgjedhura nga mësuesi, dhe kompanitë e sudeve i zëvendësuam me universitete private, më një numur të paparë në asnjë vend të botës mbarë, që janë kioska diplomash për të gënjyer rininë, universitet publike janë lenë në gjendje të mjeruar për kërkimet shkencore, botimin e librave e praktikat e nevojshme në terren, duke u hequr atyre bazën e dallimit nga shkolla e mesme. Institutet shkencore në përgjithësi janë mbyllur, madje edhe ata nga më kryesorët si Instituti Gjeologjik i Naftës dhe i Gazit, Instituti i Tokave, Intituti i Studimeve dhe Projektimeve Hidroteknike etj., etj. Kantiere të naftës si edhe minierat e xeherorëve shfrytëzohen kryesisht nga të huajt. Gjatē periudhēs se tranzicionit 1990 – 2016, ēshtē zvogēluar edhe nxjerrja e mineraleve dhe i naftēs e gazit. Për naftën dhe xeherorët nuk jepen të dhëna se sa nxirret dhe sa përfiton shteti shqiptar, sa punëtorë kanë qënë të punësuar dhe sa punojnë sot në ato industri.

Kjo analizë na krijon mundësinë të kuptojmë edhe një dukuri tjetër: Për fat të keq, u shkri edhe Komuna e Frashërit, Komuna që duhet të ruhet si monument historik, sepse është Komunë shqiptare qysh nga koha e Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të.

Prandaj pēr tē ndalur këtë rënie dhe siguruar zhvillimin e qēndrueshēm tē ekonomisē shqiptare, përparimin e vendit. duhet të vemë në jetë mësimet e rilindasve, që jo vetëm nuk vjetërohen por shkëlqejnë e na ndiçojnë rrugën më shumë se kurrë, për ndërtimin e shtetit, si edhe prodhimin e të mirave materiale industriale dhe bujqesore, që duhet të jetë me përparësi.
OKB dha alarmin: më 2100 popullsia e Shqipërisë përgjysmohet.

Naimi sikur i ka dalë përpara edhe një mendimi që sot përflitet aty këtu: “prapë me të vdekurit po merren?”. Në vjershën “SHQIPËRIA” ai ka shkruar: Pse të jeshë Shqipëria,/ Ta mbulojë babëzia./ Duke pasur burra trima/ Të humbet si vetëtima?/ Ah! Mos! Zoti mos e dhëntë,/ Ejani të mbledhim mëntë!

Le ti thërresim mëndjes sot, sa nuk është von!