Paralajmërimi i fortë i Metës: Populli do armatoset nëse policia nuk i lidh zagarët që dhunojnë në fushatë

234
Kreu i Kuvendi ka lëshuar një paralajmërim të fortë nga Lezha, ku ka qenë për të vizituar mbështetësin e LSI-së të fshatit Rraboshtë i cili u dhunua natën e kaluar. Meta tha se do armatos popullin nëse policia nuk i lidh këta zagarë, duke iu referuar autorëve të sulmit.
“Do ta them unë, do ta armatos unë popullin nëse policia nuk i lidh këta zagarë”, deklaroi Meta nga Lezha.
Presidenti i zgjedhur ka thënë më tej se nëse populli mblidhet, i tregon vendin drejtorit të policisë, për të cilin tha se është këtu për të mbrojtur qytetarët.
“Mos e detyroni popullin të mblidhet para komisariatit. Nëse populli mblidhet, i tregon vendin drejtorit të policisë. Drejtori i policisë është këtu për të mbrojtur qytetarët”, tha Meta, teksa takoi familjarët e të dhunuarit të LSI në Lezhë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes, ku tre persona të maskuar dhe të armatosur dhunuan kryeplakun e fshatit Rraboshtë, Gjovalin Gjini, mbështetës i LSI.

Gjini po blinte në dyqan në momentin kur tre persona të maskuar e kanë dhunuar duke e sulmuar me mjete të forta. I plagosuri u transportua në spitalin e Lezhës për të marrë trajtimin mjekësor, ndërsa më pas u largua për në banesën e tij.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, ku katër persona të pa njohur nga ana e kryeplakut, të cilët kanë qenë të maskuar në fytyrë dhe sipas deklarimit të personit kanë patur armë zjarri, e kanë dhunuar shtazërisht.

Pasi e kanë ofenduar shtetasin e lartpërmendur, kanë filluar që ta godasin me sende të forta (shkop bejzbolli) duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Gjithashtu kanë goditur me mjete te forta edhe automjeti duke i thyer xhamin dhe shkaktuar dëmtime të tjera.

Gjini pas marrjes së ndihmës mjekësore është larguar për në banesën e tij pa dëmtime të rrezikshme për jetën, si dhe ka deklaruar se personat autorët nuk i ka njohur dhe se nuk ka asnjë konflikt me ndonjë person konkret.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të implikuar në këtë ngjarje si dhe sqarimin e plotë të motiveve, fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarje.