Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Sfidë poetike!?

243
  • ESSE

Sigal

 

  • Natyrisht që përmbajtja poetike është e kufizuar. Rrih e rrih, konsumi merr hirrë të stër- rrahur.
    Ne jemi ende duke u përpjekur për të asimiluar dhe për të mbrojtur virtytet e rëndësishme të epokës romantike, të tilla si respekti për individin, dëshirën e tij për një komunitet njerëzor të pafrenuar nga ndarjet klasore dhe tirania politike, përpjekjet me natyrën e panënshtruar dhe paditurinë shkatërrimtare të paditurisë tonë etj. Ne jemi gjithashtu ende duke u përpjekur të luftojmë rrymat e errëta të kulturës tonë, të tilla si nacionalizmi brutal dhe kultivimi i saj në shpinë të përparimit dhe bashëkpunimit të popujve: shtigjet që duhet të gjejë kombëtarizmi ynë në vorbullat e globalizimit e të egërsisë konkuruese e fqinjësore dhe nganjëherë edhe hutimit para aspekteve irracionale njerëzore, natyrës së bujshme të kulturës së trashëguar etj.  Poetët luftojnë ende te emancipojnë njeriun përpara rrethanave, mendjen përpara njeriut, shpirtin përpara mendjes…Këto tanimë nuk mjaftojnë për një rigjallërim substancial të vlerave poetike.
    E ardhmja e shëndetshme e poezisë tonë ndoshta do të varet, në një masë të konsiderueshme, në aftësinë për të arrirë një kuptim më të qartë në atë që duket më e balancuar në vlerat e trashëgimisë me ecurinë këmbëngulëse nëpër vlerat e romantizmit, duke parë më kthjellët ku jemi, ku kemi qenë në gjëndje për të arrirë deri tani dhe ku po vemi. Arti ynë poetik gjallëruar befasisht nga hyrja triumfaliste e vargut të lirë, trazon tanimë togun e metaforave dhe, në kushtet e orekseve të rritura për të bërë zë të ri në malësinë pyjore të vjetër të poezisë, ka filluar të vyshket me shpejtësi. Eshtë një udhë pa kthim! Nëse kultivon vetëm ritmin, rrezikon rënien e poezisë nga një art në një aktivitet. Vargu i lirë do të jetë vërtet i lirë nëse thotë diçka për të qënë i lirë nga trashëgimia e rregullsisë poetike. Revolta ndaj vargut të lirë është bërë  çështje dite dhe qartazi prerë tregu konsumon më lehtë krijesa mjerane metrike të thuruara në presa me mishra të bollshëm nga tregu mediatik. Ndjenja kërkon edhe ritëm edhe rimë, por jo vetëm. Metrika shpesh ka një magji, një fuqi të brendshme për të tërhequr në vargun poetik fjalët dhe mendimet tona të vërteta më bukur e më freskët se sa ato që na vijnë në mendje. Ritmi i jep vargut jetën artistike dhe e njëson me veçoritë e autorit. Ritmi mundëson rrjedhshmërinë në lexim, paharrueshmërinë, mundësinë të ngacmojë nëpërmjet zërave mbikuptimor. Ritmi detyron përqëndrimin, mbajtjen e frymës, gjallërinë vajzërore aq të domosdoshme për lirizmin e poezisë dhe tragjizmin e saj. Si të shërohej metrika për të shmangur rënien e poezisë? Ky ishte problemi që nuk u zgjidh e që shpuri në vdekjen e poezisë së vargut të rregullt dhe lindjen e vargut të lirë.
    Si të shërohet ritmi i vargut të lirë dhe metafora e tij për të shmangur rënien e poezisë? Ky është problemi që duhet të zgjidhet për të shmangur rënien e poezisë? Afrimi tek proza poetike nuk është zgjidhje!  Ngritja në këmbë e ngrehinës së vjetër të metrikës nëpër  çështje që shqetësojnë publikun nuk është art, por mjeshtëri.  Shihet një sfidë, jo larg, por mëngjezin tjetër!  Eshtë propozuar diku një amalgamë ritëm/metrikë si rrugëdajle e poezisë së shekullit të XXI. Eksperimentet vlejnë nëse arrihet të krijohet jo një produkt konsumi për eskursionet turistike në poezi, por një qënie e re poetike që t’i themi: Poezia e shekullit të XXI!