Aromë e barit të korrur,
shtrirë livadhit
lakuriq
një ëndërr buzëdeti ti.
Flladi
flakërimë, freski e trëndafilit.
Mbështjellë në lino gruri,
trupi yt
dridhmon magji të padukshme.
Përjetësisht
një re në horizont…
Vështrimi im është harruar aty.
Elegji për Frederik Rreshpja-n
U ngrita këtë mëngjes!
Pashë yjtë, bari me vesë,
trëndafilat kishin çelur,
aromë ajrit ishte derdhur.
Një Poet i kishte hedhur
nëpër mug e nëpër gjerdhe,
nëpër ëndrra, plagë e derte,
se ish bërë me to Kometë.
Atë vrejta: Një Kometë,
një Kometë të bërë me Jetë!
Dhe Kometa bishtë gjatë
vinte rrotull nëpër natë;
rreth e rreth e vorbull ecte,
pak kish qiell, por nuk ngecte.
Flakërimë digjej, s’venitej;
qante, ndriste, qante prapë;
si fëmijë buzëqeshte
hidhte trendafilë e derte,
dhe më flit me zë të shtruar,
si burim që dil nga shkëmbi
nëpër zheg për të freskuar:
“Dita – natë, më natë qe nata;
jeta ime ashtu iku!
Bëra dashurinë që s’pata,
ndeza drita që s’m’i fiku,
e jetuara derte e frikëra.
Shpika kohra, mite shpika!
Dhe gjithçka, edhe të gjitha
me fjalë në zemër i rrita!
I rrita fjalët në zemër,
i rrita bëra poema
dhe poemat që unë shkrova
nuk shikonin pyjet shtrembër,
nuk qenë shoqëri për gjëmba;
bënin krahë me puhinë
mbi petale trëndafili
uleshin mbi vesë e ndrinë.
Ndrinë e digjeshin si zjarri
që të ngrohnin Arbërinë…
Arbërinë që të ngrohnin,
se akull në bark i kish rënë
dhe kishte barrë të rëndë:
Copë copë ish Arbëria,
në shpinë i rrij robëria!
Ca bënë marshe dhe hymne,
klithma e vaje ca të tjerë;
unë s’e lashë trëndafilin
që përdhe lulet t’i shtjerë.
I mblodha vesa kur binte,
i mblodha përplot aromë
dhe me to bëra poema
të mos kenë akull zemrat
por të jenë dritë e lotë…
Dritë nga dritë e trëndafilit,
lotë nga vesë e lule e prillit.
Dhe zemra t’i jetë njeriut
si buzëqeshja e fëmiut!”




















