Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: E largëta e afërt

281
Sigal

E largëta e afërt

e vështroj çastin, rrugën ku hedh hapat,
ty që të flas a që më thua diçka,
një vështrim që më bie vjedhurazi mbi fytyrë
e një mendim që kalon tinës pranë meje
i vështroj…

e vështroj çastin, kam vështruar mëngjesin.
e kam vështuar dhe të djeshmen,
diçka më ka dhëmbur, diçka e kam përbuzur,
diku s’ma ka ndjerë dhe aq,
diku jam marrosur dashurie…

kështu unë, kështu ti, dhe ai përtej kështu,
gjithë ditën e lume vështrojmë. natën flejmë.
po për më larg… kemi vështruar më larg?
për më larg sytë i kemi mbyllur:
ka rrëshqitur ajo më larg, një e vërtetë e humbur ajo më larg,
një fushë e panjohur e largëta,
edhe pse…

hëna nuk do të flasë, nuk e trazon era,
fushat e largëta të saj, shkëmbinjte që thërmohen asgjë janë për ne
janë mundësi për të vendosur raketa pronarët e botës.
asgjë është një takim i Putinit me Trampfin, asgjë është për ne,
kurizitete dhe aq, ca mërzira, ca marrëzira, hatërmbetje e aq.
për pronarët e botës është pazari i radhës. nuk e vështrojmë
edhe pse…

kërkoj një të vërtetë të humbur në një fushë të largët,
pa esencë,
si të kem ikur diku me sytë e mbyllur
e veshët e zëna nga dylli,
dëgjoj vetëm zërat e brëndshëm të gjakut
nëpër udhëtimet e tij të vështira kapilarëve…

e largëta e afërt as më flet, as i flas! dhe as i flet dhe ti!
edhe pse nuk i shpëtojmë dot asgjësimit prej saj
nuk jemi ne pronarët, jemi prona
shtypim sytë me gishta-
vetverbim! do të thotë,
e dukemi të qetësuar.
çuditërisht të qetësuar
edhe pse kopështin vrasës e kemi oborr të shtëpisë…

kopështi vrasës! lozim aty si në rininë tonë
loznim arave të pakorruara dashuritë e vjedhura,
tanimë të braktisura ato, bari i rritur fsheh helme
shigjetat aty janë gati të vrasin buzëqeshje foshnjash
dhe shkurret gjëmbamprehtë janë shkretëtirat e të drejtës.
jemi prona…

pse ecim nëpër këtë çudi, pse,
pse?