Suplementi Pena Shqiptare/ Majlinda  Sota Mullai: Kur je i vogël dhe anasjelltas!

18
Sigal

Një fëmijë gati një vjeç shihte vëllain e tij tre vjeç tek ngjitej dhe zbriste në vazhdimësi nga karrikia, që ndodhej aty afër ku ndodhej i ulur i ati i tyre. Pas pak kohësh që shijonte spektaklin zbavitës të vëllait të tij më të madh, i vogli kërkoi të bënte dhe ai të njëjtën gjë. Imitimi- thonë që nga Platoni, Frojdi e deri tek shkenctarët kontemporanë – është zbavitja dhe rruga më kurioze e nxënjes. Kështu dhe i vogli, gati një vjeç, mori e dha për disa herë, por dëshira e tij vazhdonte të mbetej e parealizueshme. Më pas ai duke i treguar me gisht dhe duke insistuar filloi t’i kërkonte të atit, i cili e mbante në prehër, ta ulte në karrigen bosh që ndodhej në anën tjetër të tij. Dhe babai, pasi pa që fëmija e tij me lot në  sy dhe duke bërtitur ngulte këmbë, ashtu bëri. E uli në karrige dhe me njërën dorë mbi shpatullat e tij kërkonte ta shoqëronte tek ai gëzonte xhestin tashmë të mundur, që deri atëhere kishte qënur i pamundur. Kjo lojë zgjati pak minuta kur fëmija si i kënaqur nga dëshira e tij tashmë e realizuar me ngulm të madh insistoi që i ati të largonte dorën nga shpatullat e tij. Insistoi aq shumë saqë babai i tij u bind dhe e la të lirë, por nuk zgjati as pak sedonda kur i biri, si një dëng leshi u përplas në dysheme. Filloi të qajë e me duart e tij të pamundura filloi të godas babain e tij që i heshtur dhe i humbur nga pritja e pafundme në atë sallë, rrinte vetëm duke e parë. I vëllai i tij ai tre vjeçi, pasi pa të gjithë skenën ju afrua dhe i tha: “ ejjj.., mos i gjuaj babit, ti vetë deshe të hipësh dhe të rrish ulur në karrige pa ndihmën e pa dorën e babit”. Por i vogli, i cili shqiptonte vetëm pak fjalë, vetëm grindej, ndërsa nuk donte të dëgjonte atë çfarë i vëllai i tij më i madh i thoshte. Tre vjeçari i mërzitur nga mos reagimi i vëllait më të vogël, vazhdoi të marri mbrapa, për të shkuar përsëri në vendin e tij, por gjithmonë duke përsëritur: “ejjj.., të thashë, mos i gjuaj babit, ti vet deshe të rrije ulur ja kështu si unë, por nuk e bën dot, sepse je akoma i vogël dhe unë jam më i madh se ty. E kuptove, mos i gjuaj babit”. I vogli tek pa të vëllanë të ulej në karrige ashtu pa sforco, pushoi si qari, por nuk ndaloi duke ndërmarrë tashmë një iniciativë tjetër akoma dhe më të vështirë se e para. U ngrit nga toka dhe filloi të zgjatej duke varur trupin e tij, i cili tashmë qëndronte ashtu i tutur nga frika në maj të gishtave të atyre këmbëve të vogla. Por këtë radhë kuptohej që dëshira që ai kërkonte t’i plotësonte vetes së tij ishte akoma më e vështirë se ajo e mëparshmja. I vëllai ngrihet përsëri nga karrikja e tij dhe i shkon afër duke i bërë të shihte dhe të kuptonte se sa i vogël ishte. Por i vogli nuk dëgjonte dhe vazhdonte të ngulte këmbë ashtu pa dëgjuar se çfarë vëllai i madh i thoshte. Ashtu tejet i mërzitur vëllai i madh, e merr të voglin dhe e vendos përballë tij dhe me dorë vazhdon dhe mizuron gjatësinë e trupit të tij. Gjatësi kjo e fundit, e cila lë të lira sytë e vëllait të madh pra lë të lirë vëzhgimin e tij. Dhe ashtu duke vazhduar ta maste me vetveten i thotë: “e shikon pra, ti nuk mundesh të shohësh atë që shoh unë prandaj dhe nuk kupton përse nuk mundesh të rrish apo të ngjitesh në karrike ashtu sikur rri apo ngjitem unë”! Dhe vazhdoi: “Sytë e mi shohin çdo gjë dhe kjo tregon që unë kam të drejtë dhe ti nuk duhet të qash, nuk duhet të kërkosh me forcë të bësh atë që unë bëj, sepse unë e bëj ngaqë jam më i madh se ty. Babai i tyre, i cili po priste që dikush nga zyra, ku kërkontë të hynte, ta thërriste, mbeti pa fjalë teksa në mendje përsëriste fjalët e të birit tre vjeç:”.., e shikon.., ti nuk shikon dot atë që shoh unë.” Po more bir, ke të drejtë, – thotë ashtu nën zë babai i dy fëmijëve, teksa dikush nga dera që u hap thërret një emër, i cili nuk ishte i tij. “Më duket”, vazhdon ai, “sikur edhe këta nuk shohin atë që shoh unë, por me një ndryshim që këta janë të gjatë aq sa jam dhe unë dhe sytë e mi përballen drejt për së drejti me sytë e tyre.”Dhe ashtu i dëshpëruar nga pritja e gjatë vazhdonte dhe pyeste veten, “vallë, sytë e tyre, ja dalin të shohin të mitë sy!?” Emrat që dëgjonte, sa herë që dera hapej, e vinin në gadishmëri, por me shumë vështirësi ai arriti të kuptojë që tentativat ishin të kota. Ai mbeti i ulur në atë karrike pritjeje, ndërsa shihte fëmijën e tij të vogël, atë gati një vjeç, të ngrihej, të ulej, të rrëzohej dhe njëkohësisht të kuptonte që koha donte kohë për të parë dhe ai atë që akoma nuk shikonte ashtu sikurse e shihte vëllai i tij më i madh. “Ҫfarë pret akoma”, dëgjon tek i thotë egoja e tij e brendëshme. Mos vallë ke ndërmënd të rrish ulur këtu derisa të mësosh dhe të voglin, sikur ka mësuar i madhi, të ngrihet e të ulet në karrige ashtu pa lëvizur nga kjo sallë pritje!? Ngrihu i thotë ajo egoja e tij, ndërsa e rreh dhe i bërtet nga brënda më keq se dora e vockël e vogëlushit gati një vjeç. “Ҫohu nga këtu, ik, dil nga këtu dhe bëhu i lirë, dhe me siguri që të tjerë të lirë të ndodhur jashtë nga ky vend do të shohin lirinë tënde.  Ngrihu dhe lëviz nga këtu, sepse i vogli nuk duhet të mësojë sesi qëndrohet ulur  këtu, pikërisht në këtë vend ku dhe emrin nuk ta thërrasin. Pra, ngrihu nga ky vend, përsëriti ai, ku dhe emrin kurrë ta thërrasin. Ngrihu dhe lëviz, sepse dhe i madhi, djali yt nuk duhet të kuptojë dhe të spjegojë vetëm atë liri të mësuar nga krahsimi i bërë vetëm me vëllain i tij të vogël. Ngrihu dhe lëviz, sepse vetëm kështu do mësosh se vetë liritë janë të pambaruara dhe mbeten pikërisht të tilla vetëm atëhere kur ato, pra liritë, janë të pakrahasuara.”