Suplementi pena Shqiptare/ Dhimitër Shtëmbari: I sëmuri

Gjatë katër vjetëve në krye të Hipotekës së Bashkisë të qytetit N… Besniku kishte vënë goxha lekë. Askujt nuk i kishte kërkuar ryshfet me gojën e vet. Mbas zgjedhjeve të fundit politike, partia, anëtar i së cilës ishte Besniku, humbi. Humbi punën edhe Besniku. Vërtet me dhimbje, por i bëri dorëzimet në kohë. Mirëpo shkëputjen nga puna e ndjeu fort. Pa kaluar ca javë, Besniku u bë tutkun. Lëvizte kot së koti nëpër rrugë dhe llafosej me vete! Edhe në shtëpi nisi të llomotiste kohë e pa kohë. Ditën, por më shumë natën. Familjarët u shqetësuan shumë. Edhe pse ngulte këmbë që të mos paraqitej para ndonjë mjeku, djali i madh e dërgoi te një neurolog. Por edhe barnat që i rekomandoi ky mjek nuk i bën efekt. Keq e mos më keq i shkoi shëndeti. Djalit i paskëshin thënë, se duhej ta dërgonte të atin te ndonjë psikiatër. Dhe ai ashtu kishte bërë. E pat dërguar edhe te ky, por s’kishte qenë i mundur shërimi. Besnikut filloi t’i shtohej të folurit me vete. Në qoftë se më parë vetëm sa belbëzonte, tani nisi të fliste me zë të lartë. U shqetësuan edhe mjaft nga shokët e vet. – Merr ndonjë psikolog në shtëpi, se mbase ia kuron ai sëmundjen, – e pat këshilluar Vjollcën, bashkëshorten e Besnikut, një nga kushërinjtë e afërt. Ashtu qe vepruar. Ishte marrë një psikolog në familje, i cili ishte mbajtur aty për disa ditë. – Nuk qenka për mua ky njeri! – u kish thënë psikologu familjarëve para se të largohej. – Ky paska nevojë për kurim mjekësor. Ditët kalonin dhe gjendja e Besnikut vazhdonte të rëndohej. Një ditë në shtëpinë e Besnikut duket një e moshuar, e afërt e tij. – E dini çfarë duhet të bëni? Ky duhet dërguar te ndonjë mjek popullor. Pa dërgojeni te Abdullaj, mjeku popullor në fshatin K… Këtij mjeku atje i thërresin për shkurt Dullë. Te ai kanë gjetur derman goxha njerëz… Kaq kish thënë e moshuara dhe ishte larguar si hije. Qe menduar sa qe menduar Vjollca dhe, më së fundi, i qe mbushur mendja që të shkonte te doktor Dulla. Vërtet ishte pa një gramë shkollë, por flitej se bënte çudira.  Shkuan në shtëpinë e mjekut popullor. – Po hë, ç’e mirë ju solli këtu? – kish pyetur i zoti i shtëpisë. – Eh, kam një hall të madh, doktor, – i qe drejtuar e porsaardhura. I zoti i shtëpisë i pat shoqëruar të dy gratë në dhomën ku kryente vizitat. – Pa më flisni pak më shkoqur, – foli Dulla. – Çfarë të flasë unë e shkreta! Hallin e burrit kam. Që kur e kanë hequr nga puna, se ka qenë drejtor në Hipotekë, nuk i mbyllet goja. Flet me vete! Ditë, natë!… – Llafoset kot më kot?!– pat ndërhyrë Dulla. – Po, po, flet me vete. Kohët e fundit, edhe me zë të lartë… – Po çfarë thotë?
– Oi, çfarë thotë! Po ja, hipotekë, projekt, gent-plan… Shqipton ca emra njerëzish që ne të tjerët në familje as nuk i kemi pas njohur dhe as nuk i kemi dëgjuar … – Çfarë emrash konkretisht? – Emra deputetësh, ministrash, biznesmenësh … Dulla u hoq pak mënjanë, hapi një si libër dhe nisi të lexonte diçka në të. Në fund qe kthyer nga Vjollca, duke i thënë: – Tani unë do të bëj disa pyetje, por do të më tregosh vetëm të vërtetën. – As mos e verë në dyshim këtë gjë. Vetëm të vërtetën do t’ju them. Në këtë çast Dulla i qe afruar Vjollcës dhe, duke e vështruar në sy, e pat pyetur: – A ka vjedhur ndonjëherë yt shoq në Hipotekë? Vjollca u gjet krejt e papërgatitur për pyetjen, por shpejt e mori veten. – Nuk ka vjedhur, doktor. Për këtë ve dorën në zjarr. Vetëm njëri i dha 150 milionë lekë për një nder që i paskësh bërë im shoq dikur. Vetëm 150 milionë, por të vjetra ama. – Dakord, dakord, por çfarë bëri yt shoq me ato lekë që mori si dhuratë? – Ka ngritur një objekt për biznes… – Ku e ka ngritur? – shpejtoi të pyeste doktori Dulla. – Në një truall, të cilin e pretendon ta ketë të tijën një pronar maskara… Sakaq Dulla hapi sërish atë librin që pat hapur ca minuta më parë dhe, pasi bëri sikur lexoi diçka në të, iu drejtua sërish Vjollcës:
– Dëgjo, sot është e hënë; nesër e martë, të mërkurën do të ma sjellësh tët shoq këtu. Dakord?
Për një çast Vjollca pat mbetur e menduar. Teksa kish parë që doktori vazhdonte të priste përgjigje, ia pat kthyer: – Të mërkurën nuk mund ta sjell, se jemi në një seancë gjyqësore me atë maskarain e truallit, që nuk po na le rehat. – Atëherë, silleni ditën e xhuma. Dakord? – Më fal, doktor, por edhe të premten nuk mund ta sjellë dot. Këtë të premte më duhet ta shoqëroj tim shoq në Komisariatin e Policisë, ku i kërkohet të jap disa shpjegime lidhur me një akuzë që i është ngritur fare kot nga një batakçi, se gjoja paska marrë ryshfet për çështjen e regjistrimit fals të një trualli shtëpie … – Atëherë po e lemë të hënën e ardhshme. Dakord? – As të hënën nuk mund të vijë. Të hënën do të jemi në Presidencë. – Në Presidencë?! – u pataks i habitur Dulla. – Po, po, sepse bashkëshortit tim do t’i dorëzohet një dekoratë e lartë nga ana e Presidentit të Republikës për performancë të shkëlqyer në Hipotekë… – Ashtu!  Dulla kish vënë duart në kokë dhe kishte dalë nga dhoma.

 

Sigal