Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ti do të jesh gjithnjë ajo…

123
Sigal

 

 

Ti do të jesh gjithnjë ajo:

okra në kapërcimin e diellit.

Do të jesh zjarri që mban zgjuar natën

dhe që sjell gjithë shend agun e ditës.

Do të jesh flladi i syve të dehur, që ende s’janë shuar

tek presin hapat e tua të shkelin në qiell

e të vijnë drejt meje

me shegën e çarë që rezëllin,

me portën që shtyhet…

Ti do të jesh gjithnjë ajo

me ijet e tua të nxehta,

përvëlim dëshire

që s’di ç’të bëjë nga marrëzia e puthjes së lëngësht

thua se pjergullat e botës kullojnë veç nektar!

Ti do të jesh ajo që me sytë e mjelmët,

qiejt do t’i shtysh dhe kohën do të ndalësh,

sprovat e përrallës së vjetër do përballosh për mua.

Edhe pse plagët s’më lanë ta fitoja këtë luftë,

ti do të jesh gjithnjë ajo që ecën drejt

me hapa dhe sy shenjti,

me hijen e kërrusur dhe kokën gjithnjë pas,

duke të pritur!

Nëse nuk do mund të vij një ditë

të të zgjoj në ëndërr dhe të puth gishtërinjtë

duke pëshpëritur ngadalë « Zonja ime ».

Ti do të jesh gjithnjë ajo

në spektrin e horizontit

një “pas de deux”,

një kërcim në ajër që të sjell sërrish tek unë.

Edhe pse mund të jem veç një hije,

ti do të jesh gjithnjë ajo, që si shamanët

gojën tënde do vendosësh në timen, në ditë jermi,

për të më dhënë frymën çudibërëse të ringjalljes.

Ti, vogëlushja e legjendës, që nuk e zbuloi asnjëherë

enigmën e dashurisë,

ti do të jesh gjithnjë ajo…