Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Shtigjeve të hershme të Historisë

244
Sigal

Ky libër është një produkt i ditëve të ngujimit nga “Corona virus”

Madje ishte një ngasje e mikut tim Robert Martiko, i cili kishte lexuar nja dy shkrime të mia historike dhe më kishte thënë se do kishin interes për një libër më vete… kjo ishte zanafilla. Dhe botuesi Astrit Muça arriti ta bëjë këtë realitet. Brenda katër mureve, i mbyllur, u përpoqa t’i jap formën këtij libri ku në parathënie shkruaj: “Gjithnjë e kam ndjerë nevojën për të njohur historinë dhe së pari historinë e vendit tim. Eshtë e habitshme se sa më shumë kërkon ta njohësh atë, aq më shumë zhytesh në atë botë të vjetër e të panjohur, aq më shumë ndjen joshjen e saj jo thjesht si kureshtje e dije, por si diçka të qenësishme, të lidhjes me popullin, të cilit i përket si dhe botës humane që të rrethon, pasi pa histori, çdo njeriu do t’i mungonin referencat themelore: cilët kemi qenë, cilët jemi, nga vimë dhe ku shkojmë, pasi pa histori nuk mund të projektohet e ardhmja. Historia mbetet gjithnjë një mësim i madh për Njerëzimin pasi historia e çdo populli, e çdo kombi, është diçka e gjallë, e lëvizshme duke bërë pjesë në një histori të madhe dhe pikërisht kjo i thyen barrierat e nacionalizmave, që shfaqen jo rrallë gjer në ditët tona. Sigurisht është e pamundur të rrokësh ngjarjet më thelbësore edhe pse të një periudhe mjaft të shkurtër historike. Ky libër është thjesht një panoramë e atyre ngjarjeve e personazheve, që personalisht më kanë lënë mbresa të veçanta siç janë jetët e profetëve, mendimtarët e parë të njerëzimit apo trubadurët si Homeri, ungjijtë dhe tekstet apokrifë të kristianizmit, ngjarje, që lidhen me Shqipërinë që nga luftrat e Cezarit dhe Pompeut tek luftrat mes normandëve dhe bizantinëve në trojet shqiptare.

Dashuria për librin, puna me bibliotekat, zbulimi i fakteve të reja historike, është një ngazëllim më vete dhe bibliografia e këtij libri e dëshmon këtë. Duke shkruar për epokat kur jetuan, Herodoti, Hesiodi, Platoni, Lucieni, etj., u kthyen në referenca të njohjes së një epoke apo mijëvjeçari ashtu si Plutarku, Apieni, Suetoni, Casius Dion etj, të botës romane. Dhe lexuesi i thjeshtë habitet të lexojë për luftrat e Cezarit dhe Pompeut në brigjet e Ilirisë, për normandët që luftuan kundër bizantinëve me rrethimin e kështjellës së Dyrrachium-it, rrethimi i parë i një kështjelle në historinë e Europës, apo për “Paqen e Devollit” dhe luftrat e Charles I d’Anjou, mbreti i Napolit ,por për një kohë dhe i Shqipërisë, i cili luftoi kundër bizantinëve në trojet shqiptare. Dhe kështu, nga një libër në tjetrin, nga një dokument arkivor në tjetrin, kam mundur të shkruaj disa shkrime historike. Në këtë libër janë vetëm një pjesë, të cilat i referohen kapërcyellit të shoqërisë njerëzore nga fundi i epokës para erës sonë në fillimet e erës së re. Luftra, beteja që hynë në histori, ndryshime kufijsh, heronj popullorë dhe pushtetarë tiranë e megjithatë, dhe në atë mugëtirë kohrash të rënda, njeriu i thjeshtë, shpirti human ka adhuruar gjithnjë të mirën, të bukurën, dashurinë njerëzore dhe ka ecur përpara drejt dritës së largët të ardhmërisë së tij për të ardhur deri në ditët tona…”