Meta dekoron katër heronjtë e Betejës së Topanasë: Qytetarët e Vlorës të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, tregoni fuqi përmes votës

125
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përkujtoi betejën historike të Topanasë së 18 tetorit 1942 në Vlorë, duke vlerësuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” katër heronjtë, të cilët dhanë jetën e tyre të re për lirinë dhe sovranitetin e Atdheut.

Kreu i Shtetit nderoi me Titullin e lartë (pas vdekjes) Hajredin Bylishin “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanasë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”;

Hiqmet Buzin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanas ë në Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Bajram Tushën “Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë interesit kombëtar dhe pavarësinë së vendit, Një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanasë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”;

si dhe Mumin Selamin “Si një ndër heronjtë dhe luftëtarët më të shquar në betejën e Topanas në Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Për kontributin e shquar deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe interesit kombëtar, duke u bërë shembull frymëzimi për shqiptarët e gjithë brezave.”

Presidenti i Republikës çmoi gjithashtu Heroin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare Resul Veli (Çelaj) “Për përkushtimin atdhetar, betejat e sakrificat deri në flijimin e jetës në mbrojtje të lirisë.

Një ndër heronjtë dhe luftëtarët legjendarë në qëndresën dhe drejtimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Burim frymëzimi për të gjitha gjeneratat e reja”.

Në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e vlerësimit të pesë Heronjve, duke iu drejtuar familjarëve dhe pasardhësve të tyre, veteranëve të LANÇ-it dhe të pranishmëve në Teatrin “Petro Marko”, Presidenti Meta u shpreh:

“Të nderuar veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare,

Të dashur familjarë e të afërm të heronjve të Topanasë si dhe të heroit Resul Veli Çelaj,

Të nderuar përfaqësues të shoqatave të ndryshme patriotike,

Të nderuar pjesëmarrës!

Jam i lumtur që jemi bashkë në Vlorën e Flamurit, në Vlorën e Lirisë dhe të Pavarësisë, këtu ku shqiponja jonë dykrenare ka folenë e saj të përjetshme!

Vlora dhe vlonjatët mishërojnë si rrallë kush aspiratën dhe luftën e gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi në të gjitha kohët.

Betejat e vlonjatëve dhe të gjithë Labërisë për mbrojtjen e trojeve tona të lashta janë betejat për mbijetesën e vetë kombit tonë.

Në çdo etapë të historisë, Vlora ka vulën e saj autentike, qysh nga Aulonët e lashtësisë, Principata e Aranitasve, kryengritjet e Pavarësisë, ngritja e Flamurit, epopeja e 1920-ës, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe deri në ditët e sotme.

Vlora ka hyrë në histori si qytet hero. Vetëm në Luftën e Antifashiste ajo i dha vendit gjakun e 870 bijve dhe bijave të saj më të mirë dëshmorë dhe 18 Heronjve të Popullit.

Të nderuar përfaqësues të shoqatave atdhetare!

Vjet festuam me madhështi epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës. Së bashku vendosëm në piedestalin e nderit shumë nga komandantët heroikë të çetave të kësaj lufte të rëndësishme për fatet e shtetit shqiptar!

Sot kemi kënaqësinë të vlerësoj disa prej figurave më të ndritura të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Qarkun e Vlorës:

4 heronjtë e betejës së Topanasë – Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Bajram Tusha e Hiqmet Buzi, si dhe Heroin Resul Veli Çelajn – komandantin legjendar të batalionit partizan ‘Halim Xhelo’, të cilët kanë rënë heroikisht në luftën kundër fashizmit.

Të dashur miq!

Lufta në lagjen ‘Topana’ mbetet nga më të lavdishmet e të paharruarat në kujtesën e kombit dhe mbarë vendit tonë.

Në tetor 1942, Heronjtë e Topanasë, të rrethuar nga fashistët në të gjitha anët, në një shtëpi prej gardhi e balte, iu përgjigjën vetëm me flakën e armëve thirrjes së pushtuesve për t’u dorëzuar dhe luftuan heroikisht deri në fishekun e fundit.

Lufta e tyre në Topana kundër 400 milicëve dhe xhandarmërisë fashiste zgjati përmbi 4 orë, e ashpër dhe e pandërprerë.

Dhe populli do të këndonte: ‘Përdhesë e vogël në Topana,

Kish mure kallamash, po u bë kala…’

Në fushë betejë i pari ra Hajredini Bylyshi, më pas dhe Mumin Selami. Dhe pastaj Bajram Tusha. Dhe në fund fare mbeti më i vogli 15-vjeçari Hiqmet Buzi. Dhe ai sigurisht nuk mund të dorëzohej. Ashtu si Vojo Kushi një javë më parë kur mbeti i vetëm me granatën e fundit dhe u turr drejt tankut, edhe Hiqmet Buzi i vetëm, u turr drejt fashistëve, duke rënë dëshmor në një moshë kaq të njomë dhe duke dhënë një shembull të jashtëzakonshëm herozimi.

Heronjtë e rinj të Topanasë përsëritën madhështinë e aktit të mikut dhe udhëheqësit të tyre të ngushtë, Qemal Stafës, epopenë e heronjve të Shkodrës, të Jordanit e Kadisë, bashkë me Perlatin nga Vlora, atë të ‘Kodrës së Kuqe’ në Tiranë, ku Vojo Kushi së bashku me Sadik Stavalecin e Xhorxhi Martinin u përleshën heroikisht me fashistët.

Heronjtë e Topanasë me betejën dhe vetëflijimin e tyre të pashoq për çështjen e Atdheut ndezën flakë zemrat e shumë rinjve dhe të rejave vlonjate, gjithashtu nxitën aksionet dhe mbushën malet plot me të reja e të rinj nëpër beteja.

Jehona e pushkës së tyre u përhap në të gjithë Labërinë dhe mbarë Shqipërinë.

Të nderuar miq,

Krahas tyre ne nderojmë sot edhe heroizmin e Resul Veli Çelajt, komandantit të batalionit ‘Halim Xhelo’, i cili ra heroikisht duke luftuar në betejën e madhe kundër pushtuesve nazistë në Qafën e Kiçokut në 7 dhjetor të vitit 1943.

Në këtë betejë të pabarabartë, Komandant Resuli, Komisari Kastriot Muço së bashku me shokët e tyre, shkruan me gjak një nga faqet më të ndritura të heroizmit, atdhedashurisë, vetëmohimit dhe trimërisë së popullit shqiptar në luftë kundër fashizmit.

Komandant Resul Veli Çelaj ka mbetur i gdhendur në kujtesën e kombit si mishërimi i patriotit të madh, luftëtarit lab, birit trim e të ditur të Tërbaçit dhe pasuesit të komandantëve historikë të Vlorës, i brumosur me atdhedashuri dhe besnikëri ndaj kombit!

Të nderuar pjesëmarrës!

Flakët e betejave të Lagjes ‘Topana’ dhe të Qafës së Kiçokut kanë ndriçuar edhe më tepër ëndrrën për liri të çdo vlonjati e të çdo shqiptari që nga ajo kohë!

Ndaj ne jemi mbledhur të përkulemi me mirënjohje përpara figurës dhe kontributit të tyre të ndritur, dhe në cilësinë e Kryetarit të Shtetit kam kënaqësinë t’u akordoj sot Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.

Gjithashtu dua t’ju siguroj se do të jemi edhe në të ardhmen me të tjera vlerësime duke nisur me lagjen ‘Partizani’, ku çdo rrugicë e së cilës mban një emër dëshmori dhe nga e cila u arrestuan dhe u internuan në kampet e vdekjes 104 vlonjatë, prej të cilëve vetëm dy i mbijetuan ferrit.

Vlerësimi i gjakut të derdhur prej tyre për Shqipërinë është borxhi, që ne të gjithë u kemi për të gëzuar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin në saje të sakrificës së tyre sublime.

Është detyrimi ynë dhe i çdo brezi ndaj historisë sonë të përbashkët, por edhe ndaj së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Ky nderim është edhe vlerësimi e respekti ndaj vetë integritetit dhe dinjitetit tonë si shqiptarë!

Ne sot nuk duhet të lejojmë nga askush që të eklipsohet drita e flakës së lirisë që ata ndezën!

Lirinë mund ta mbrojmë vetëm duke forcuar demokracinë dhe duke refuzuar çdo lloj shtypje shoqërore.

Ndaj i ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe të tregojnë dinjitetin e tyre, dhe njëkohësisht edhe fuqinë e tyre përmes votës së lirë e të barabartë!

Në përfundim, në cilësinë e Presidentit të Republikës, do të doja t’i shpreh falënderimet për propozimet e Shoqatës Kulturore Mbarëkombëtare ‘Ismail Qemali’, Shoqatës Kulturore dhe Atdhetare ‘Labëria’, si dhe Shoqatës Kulturore Atdhetare të fshatit Tërbaç, të cilat me aktivitetin e tyre mbajnë gjallë tek brezat e rinj kujtimin e heronjve të luftës për liri dhe dashurinë për Atdheun!

Urime e suksese!

Rroftë populli Vlorës!

Lavdi kujtimit të ndritur të heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut!”