Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Çipi: Djajtë kundër Seferit

463
Sigal

Më vinte shumë keq për Sefer Dautin. Atë e kishin arrestuar me bujë dhe e kishin dënuar me shumë vjet burg për agjitacion e propagandë… Ish-marangoz, pasi kryen disa vite universiteti në Gjermani, ishte kthyer pas prishjes së marrëdhënieve të shtetit tonë me “demokracitë” e lindjes dhe punonte si specialist mobilierie. Duke pasur besim politik, si ish-punëtor dhe anëtar i Partisë së Punës, dërgohet në një grup pune për pak ditë në Suedi. Kthehet prej andej i shokuar. I sinqertë e baballëk, siç ishte, në rrethin e vet shoqëror, por edhe më tej, shpjegon me entuziazëm çuditë e para atje, shumë më interesante se edhe të Gjermanisë Lindore, ku kishte studiuar dhe punuar për disa vite. Duhet të kishe kujdes edhe kur ecje, se ty të dukej zbrazëti, por mund të ishte derë xhami transparente dhe ti asaj mund t’i bije me kokë e të bëje hatanë. Pallate të tëra me xham, si në përralla. Dritë, shkëlqim, pastërti kudo. Si dita dhe nata njësoj: plot jetë, gjallëri dhe ndriçim verbues. Ne, kot që rrojmë… Hanëmja, gruaja ime, që punonte me të në zdrukthëtari dhe kishte respekt, si gjithë të tjerët, do ta kujtonte gjatë, çastin e arrestimit të tij publik e të bujshëm. Erdhi shoku i tij i fëmijërisë, zëvendëskryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, një shpirt djallëzor, dhe në mes të sallës së madhe të mbledhjes, në prani të gjithë punëtorëve të zdrukthëtarisë, të grumbulluar aty nergut, tha: Kemi ardhur sot këtu të arrestojmë armikun e Partisë dhe të Popullit, Sefer Dautin. Hidhini prangat! Prangat shpejt, qenit, se i kam dalë borxhit disa herë. Seferi, me pranga në duar, shoqëruar me policë, del nga salla e mbledhjes, me dhembje e lot në sy e me kokën kthyer pas, drejtuar zëvendëskryetarit: Po vajzat e mia të vogla, gruaja e sëmurë, shtëpia e pambaruar, borxhet? Ik, qen! Mos mendo tani për to. I laj më parë borxhet Partisë, për ato që ke bërë e ke thënë. Në burg do të kalbesh! Dhe Hanëmja, zgjohej natën e llahtarisur për shumë kohë. I kujtohej me tmerr ngjarja e dhimbshme. Nuk e di pse, po dhe unë u dëshpërova sa s’thuhet nga përshkrimi prekës i kësaj ngjarjeje, që dhe më pas më la gjurmë të thellë. Ishte një padrejtësi e madhe. Nuk dyshoja që Seferi kishte folur, por kishte shprehur, pa të keq, të vërtetën, siç e kishte parë. Për të vërtetën duhej arrestuar dhe dënuar me burg? Më dukej se edhe unë, si punonjës i pushtetit lokal, kisha pjesën time të fajit. Ç’të bëja? Diç duhej bërë. I them shokut tim, Harillës, që ish Ministër dhe me përgjegjësi në Parti. Ai më dëgjoi me vëmendje dhe më tha se do të interesohej te kolegu i tij i Ministrisë së Brendshme, po duket më kot. Kaloi gjysma e dënimit dhe, sipas ligjit, kishte një mundësi tjetër: lirim të parakohshëm me kusht. Kryem procedurën e kërkesës, që kalonte nga “Fronti Demokratik” në lagjen e tij. Nga Seksioni i Organizimit përgatitej materiali dhe përfundimisht shtrohej çështja në Komitet. I them shokut tim të punës, juristit Petro, nëse është e mundur të kalohet pozitivisht kjo kërkesë e Frontit të Lagjes. Mos u bëj hiç merak, Luan. E qëndis unë këtë çështje. Flije mendjen, mos çaj kokën fare. S’e kam për gjë, një orë punë…Të nesërmen, Komiteti Ekzekutiv, si forum, në këto raste vetëm kalonte me miratim materialin e Seksionit Operativ, si zakonisht, pa asnjë ndryshim. Kështu bëri dhe këtë radhë. Jemi dakord me propozimin e Seksionit. Por, propozimi na paska qenë refuzimi i kërkesës për lirim para kohe me kusht. Pse kështu, more Petro? Kaq poshtërsisht! Pse dyfytyrësh? Djall i vërtetë! – Si, pse? Më mirë kështu. Riedukohet plotësisht. Për këtë punë i kemi burgjet tona. Pastaj, ç’më duhet mua, o vëlla, të zbus luftën e klasave…

Libri: “Për të qarë e për e për të qeshur”