Suplementi Pena Shqiptare/ Katerina Kostrista: Kur dashuria për muzikën s’njeh limite

906
Lorenc Hasrama është një nga artistët e rinj më premtues në tregun e muzikës shqiptare. Korrektësia, vullneti dhe përkushtimi ndaj pasionit të madh për muzikën e bëjnë atë jetë gjithnjë duke hedhur hapa të sigurt drejt sukseseve të mëdha. Pas eksperiencës në “The Voice of Albania 5”, Lorenci nuk e ka pasur aspak të vështirë t’i rrëmbejë zemrat e publikut me vokalin e tij të admirueshëm dhe aq shumë të dashur nga të gjithë. Falë talentit, punës dhe dashurisë së madhe për muzikën, duket se Lorenci tashmë ka evidentuar qartë një parathënie të bukur të sukseseve të mëdha që do e pasojnë atë në rrugëtimin e tij të bukur në muzikë.

Lorenc, cili ka qenë pikëtakimi yt i parë me muzikën dhe kur e kuptove se pikërisht muzika do të ishte pararendëse e hapave tuaj në art?
Pikëtakimi im me muzikën ka ndodhur që kur unë isha ende i vogël. Pasioni dhe dashuria për muzikën kanë lindur dhe janë rritur së bashku me mua. Mbaj mend se që kur isha i vogël bëja muzikë me çfarë të mundesha, instinkti më çonte tek muzika dhe jo tek lojërat e zakonshme të fëmijëve. Prandaj në klasë të dytë nisa të studioj për piano.

Dashuria për muzikën është e pakrahasueshme me gjithçka tjetër për ty, pasi luan njëkohësisht në piano, kitarë, violinë, bateri dhe kompozon gjithashtu. Si është t’i gërshetosh të gjitha këto dimensione muzikore në një?
Asnjëherë nuk i jam imponuar vetes, çdo gjë ka ardhur natyrshëm dhe gradualisht, duke qenë se muzika është habitati ku më fle shpirti. Tek të gjithë instrumentet që luaj gjej veten nga pak dhe normalisht dhe më kanë plotësuar goxha si artist.

“The Voice of Albania 5” ishte pikërisht skena që të afirmoi dhe të solli më afër publikut, si e kujton këtë eksperiencë?
Në fakt nuk e di si mund ta përshkruaj, ndoshta fjala “ëndërr” do ishte shumë e vogël për një eksperiencë të tillë. Di vetëm të them se nga “The Voice” kam përjetuar emocione pa fund, isha i hutuar, gjithçka ndodhi aq shpejt. Megjithatë e gjithë kjo eksperiencë ishte jo vetëm një ëndërr e jetuar, por edhe një katapult shumë i madh për një karrierë të mirë.

Je aktiv në jetën e natës, live-t marrin një tjetër kuptim në fakt kur ju ngjiteni në skenë me një repertor të larmishëm që prek shumë zhanre, por që je gjithnjë aq shumë i duartrokitur dhe i pëlqyer nga publiku. Cilat janë ndjesitë që përfton në netët live të jëtës së natës? 
Çdo natë për mua është e ndryshe, unë jam gjithmonë aty duke u munduar që çdo herë të jap diçka më shumë. Dinamika, adrenalina dhe suporti që marr nga publiku në netët live më bën të përjetoj emocione të forta. Prandaj nuk gjej dot mënyrën se si mund t’i falënderoj të gjithë ata njerëz që më mbështesin aq shumë. 

Një artist i ri dhe shumë premtues në tregun e muzikës shqiptare. Deri më tani ke sjellë për publikun dy projekte muzikore që janë përqafuar nga dashamirësit e muzikës dhe fansat e tu, cilat janë projektet e së ardhmes, do të kemi një këngë të re? Nëse po mund të na zbulosh ndonjë detaj rreth saj?
Projektet në muzikë s’do të ndalojnë kurrë. Për momentin jam në një proces pune, ku kam shumë projekte të hapura dhe nuk e di se cilin do të vendos si të radhës . Ama një gjë di të them, që unë gjithmonë dua të qëndroj sa më pranë stilit dhe vetvetes. Sigurisht, shpresoj që çdo gjë të shkoj me sukses.

Cila është muzika e preferuar dhe shembulli më i mirë në muzikë për ty, prej të cilit frymëzohesh?
Hmm… nuk mendoj që kam një përgjigje të saktë për këtë pyetje. Më pëlqen të dëgjoj rryma të ndryshme, mjafton që të jetë muzikë e mirë. Sa i përket një shembulli të caktuar, unë kam disa idhuj dhe prej tyre më pëlqen të marr më të mirën.

Një pyetje që vjen në fund, por jo më pak e rëndësishme është që ti së bashku me grupin tënd çelët siparin e koncertit të “Natës së Bardhë” në kryeqytet ku e ftuar special ishte Emeli Sande. Një ogur i mirë, një përzgjedhje profesionale dhe aspak rastësore. Më thuaj diçka më shumë rreth ftesës për të qenë ju ata që do të çelnit siparin e kësaj nate dhe sensacioneve që morët nga ajo natë?
Të jesh suport i emrave të mëdhenj siç ishte dhe Emili Sande është emocion që nuk përjetohet çdo ditë, ose e thënë ndryshe jo si çdo koncert tjetër që luajmë. Ky ishte viti 3-të që nga John Newman të përzgjidhemi për hapjen e këtyre organizimeve. Sigurisht që është privilegj i madh dhe pa dyshim një eksperiencë e mrekullueshme.
Sigal