Është fjala këtu për librin “TRUPI i NJERIUT DHE SHËNDETI”(2026),botimi më i fundit me rreth 600 faqe i shkruar nga prof.dr.Luan Memushi,i cili vjen në kohën e duhur. Ky publikim vlen jo vetëm për studentë të disiplinave shkencore humane dhe ato të përafërta me to, por për të gjithë ata që duan të zgjerojnë njohuritë diturore për këtë pasuri të pasurive, shëndetin (R.Baker), si edhe thesar për njeriun (Platoni).
Përmbajtja e librit është mjaft e laryshtë dhe aty paraqiten 20 kapituj,ku shtjellohen një gamë e gjerë tematikash.Dhe çdo krerë të tillë lexojmë një bibliografi të pasur dhe të freskët nga autorë të ndryshëm botërorë.Libri nismon qysh me organizmin aq të ndërliksur të njeriut, me bazat kimike të jetës,qelizat dhe indet, trashëgiminë,mikroorganizmat sëmundjeshkaktuese,me lëkurën,qarkullimin e gjakut dhe grupet e këtij të fundit me aq rëndësi gjatë përditshmërisë të urgjencave mjekësore.Po ashtu,në faqet e mëtutjeshme,i mëshohet edhe sistemeve të tjera jetike,si atij nervor,kardiak, endokrin, imunitar, limfatik,urinar,artikular,kockor,për shqisat e ndryshme,pa lënë mënjanë aparatin riprodhues etj.,të shoqëruara të gjitha me sëmundjet dhe sindromat e tyre përkatëse . Shtjellimi i kapitujve është bërë në mënyrë mjaft të imtësishme e të sistemuara kujdesshëm,si edhe në kritere të qarta shkencore dhe akademike. Një veprimtari e tillë e gjatë për dekada me radhë e prof.Luan Memushit,ka ndikuar për të na dhënë një vepër kaq madhore.Me këtë rast mund të kujtojmë atë që thoshnin latinët se rrënjët e shkencës janë të hidhura,por frutat i ka të ëmbla.

Autori i’a ka dalë që me përpikmërinë e tij të spikatur,të na paraqesë një vepër,e cila do t’i rezistojë gjatë kohës.Në hapësirën e këtyre studimeve,të përmbledhura në një libër më vete, është një meritë e madhe e prof.Memushit, i cili ka ditur të na japë probleme sa më thelbësore si nga sfera teorike dhe praktike. Çdo kre i librit shoqërohet me figura dhe skema të shumta me ngjyra për t’a bërë sa më të efektshme dhe të kuptueshme atë. Kjo kuptueshmëri del në pah më qartë, kur shikon se autori përdor një gjuhë të pastër për t’u patur zili.Ai jo vetëm nuk ka rendur kah fjalëve të huaja,por shumë prej këtyre termave dhe emërtesave,na i ka dhënë me gjuhën shqipe tonë. Është kjo gjuhë,që është jo më pak e pasur se të tjerat;madje nga studiuesit e huaj konsiderohet në tri gjuhët kryesore të botës.Po prof.Luan Memushaj gjithashtu është treguar i vëmendshëm, ngase nuk ka rënë në një purizëm të skajshëm(siç vepruan disa anatomistë disa dekada më parë në fjalësit e tyre të këtij lloji). Ky botim monografik,në fund për t’u bërë më i kuptueshëm dhe i qartë,autori na jep,jo pak,por në 16 faqe një fjalor me shpjegime dhe zbërthime termash e fjalësh më të përdorshme në shkencat humane.Po ashtu më tej në po kaq faqe të kursyera(16), gjejmë edhe një tregues për t’a pasur më të thjeshtë për të kuptuar sa më mirë çdo temë e trajtuar aty. Janë këto libra që nuk thonë kot,se ato kanë fatin e tyre në çdo kohë e situatë.Sot mund të marrësh edhe një informacion në rrjetet e ndryshme e jo rrallë mbytëse,po njohuri të tilla nuk janë dije të mirëfillta,se siç ka theksuar A.Ajnshtajni “Informacioni nuk është njohuri.”Po duhet thënë se pa traktatin apo tekstin akademik apo shkencor,nuk mund të marrësh asnjë profesion për të qenë në jetë.Gati 20 vjet më pare neuropsikiatri amerikan,David Levi, ka hedhur i pari në përdorimin e përditshëm Sindromën Trukokoshkë. Ne thjeshtësisht mund të themi se edhe informacioni i ngjan atij misrit që kthehet në kokoshkë dhe këtu, si të thuash,përfundon cikli i tij. Po,dihet,se kësisoj shprehet ndonjëri,i cili i ka mbyllur librat me Abetaren. Filozofi anglez Frensis Bekon ka shkruar se :”Disa libra janë për t’u shënuar,të tjerët për t’i gëlltitur dhe pak prej tyre për t’u përtypur dhe tretur ”.Çdocili të vendosë vetë se ç’marrëdhënie duhet të ketë me librat,por e di mirë se libri “TRUPI I NJERIUT DHE SHËNDETI” i prof.dr.Luan Memushit do të jetojë gjatë dhe do të gjendet për kohë të gjatë në duart e lexuesve që dinë dhe duan të lexojnë e të përfitojnë sa më shumë.Libra me nivel të lartë shkencor,kanë ardhshmëri të sigurt. “Doctus cum libro”,kanë thënë latinët,çka do të thotë,”i ditur me libra “.



















