Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Lotët e gruas

 

Lotët e gruas duke numëruar
ndjen dridhje shpirti,
ndjen lagështirë thellësish.

Sigal

Shenjti, thonë, duke i yjëzuar
bënte me to paragrafë shenjtërish.

Pa ato rruaza do të zotëronte shterpësia,
pa ato rruaza do të zotëronte shkretëtira.
Lotët e gruas duke numëruar
bëhesh më njerëzor, i gjerë sa hapësira.

Eja…

“Eja… eja”!…
më thotë nëna.
(S’është si nën’ e Eseninit)
s’e kanë thyer dot dy gjëma,
më të tmerrshmet e njerëzimit.

Shkel mbi shkallën tetëdhjetë e shtatë!
S’mban as shkop,
s’mban as syze.
Vjen e mpakur ca në shtat,
ballin plot fidanë e sythe.

“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
zërin zog në celular.
“Tani s’ më bëjnë fajde ëndrrat,
as më ngroh virani zjarr”

“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
Fllad i shpirtit zë i saj.
Mua s’di pse m’ u drodh zemra
si një zog i zënë në faj.