Të kesh frikë nga frika që fle në lëkurë.
Të kesh frikë nga lajka që të deh pa pirë.
Të kesh frikë nga gjarpëri që përgjon nën gurë.
Të kesh frikë rrëken që rrjedhë në rrëpirë.
Të kesh frikë nga frika që frymon si lepur.
Të kesh frikë nga Hadi, kur ende s’ke vdekur.
Të kesh frikë nga hija që të ndjek nga pas.
Të kesh frikë nga qelbsi që e ndot keq ajrin.
Të kesh frikë nga deti që dallgët përplas.
Të kesh frikë vetminë që marros të marrin.
Të kesh frikë nga frika,
që gjallon mesh nesh,
në zgrip të greminës zvarritur si breshkë.
Të kesh frikë nga frika.
Të frymosh i mekur,
Njëmijë herë më mirë në varrezë i vdekur.
Shtegu i artë
Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret,
mos shoh një rreze drite, një trëndafil kërmëz.
Këtej e nisi rrugën, mbi shteg e vuri këmbën.
Këtu e la tek unë a pas e mori ëndrrën.
Sa zogj e prekën shtegun, sa drerë qanë aty,
po mua më ka zënë, do mbaj shtegun në sy.
Mbi të fërshëllen era, tufani shfryn si ujk,
po unë rri e pres, i heshtur mbledhur shuk.
Gjithë natën gjer sa zbardh, gjithë ditën gjersa ngryset,
aty numëroj yjet, aty numëroj sythet.
Mbi shteg e pres pranverën, si hyn edhe si del,
mbi shteg shoh jargavanin, si zhvishet e si çel.
Më ëndërrtar i flaktë a gjendet vallë në botë,
që prêt te shteg’ i artë e prej atij nuk lot?
Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret,
gjithmonë si shkabë mali dhe asnjëherë si shterg.
Bregu i brengës
M’u thërmua breg i brengës,
po durimi nuk m’u sos.
Në kafaz
tërbim i zemrës
pikëllimin ma rropos.
Në rrëpirën shkëmb e gurë
qielli im loton i kaltër.
Pse kjo xhungël-
katrahurë
mbeti tempulli i varfër?
Edhe pse plot ajër e diell,
heq gërmuqur sa më s’ka.
M’u thërmua breg i brengës,
krahërori keq m’u ça…
* * *
“Vetëm në varrezë gjen prehje udhëtari”.
Vetëm në varrezë… Po ku tjetër?
E ka thënë me mendje ari,
ndjesë pastë, i urti i vjetër!



















