Rrjedh një pikë e vogël loti,
dhe ndriçon në fund të faqes,
siç ndriçon vesa e marsit
mbi qerpik të manushaqes.
Rrjedh një pikë e vogël loti!
Udhë bën në faqen tënde.
Lot nga syri i një vajze.
Lot nga shpirti i një nëne.
Zbret një pikë e vogël loti,
Si kristal te gusha jote.
Lot nga syri i një vëllai.
Lot nga zemra e një motre.
Del një pikë e vogël loti!
Lotin s’ka forcë që ta ndali:
Lot nga dhimbja e një burri.
Lot nga syri i një djali.
Shpesh një pikë e vogël loti,
rrjedh, o rrjedh, e kurrë s’ndalon,
nga një lule që kanë shkelur,
nga një re që shtegton…
Zbret një pikë e vogël loti!
Loti që s’ka kurrë të sosur.
Lot në faqen e sorkadhes,
për kaprollin e plagosur.
Rrjedh një pikë e vogël loti,
(Më së shumti rrjedh tek nëna),
Nëse nuk do ishte loti,
si një qelq do thyhej zemra.
Rrjedh një pikë e vogël loti,
dhe ndriçon në fund të faqes,
Siç ndriçon vesa e marsit
mbi qerpikun e manushaqes.






















