Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Ndize një qiri

Ndize një qiri në heshtje,
në një kishë apo xhami.
Ndize për Zotin në qiell,
Zotin që na jep fuqi!

Ndiz dhe një qiri për miqtë;
miq të rinj apo të vjetër.
Ndize për njerëzit e mirë,
që janë rralluar kaq tepër!

NOA

Ndize një qiri, o mik,
për brengat që s’kanë të sosur.
Ndize dhe për ata,
që kanë shpirtin e plagosur!

Një qiri dhe në varreza;
Asnjëherë nuk duhet fikur!
Për ata që s’kemi më,
për ata që na kanë ikur!

Ndize një qiri në heshtje,
Të ndriçosh kudo shtëpinë,
Ndize për copën e bukës
Që kemi mbi tavolinë!

Ndize një qiri në heshtje,
për ata që flenë pa ngrënë.
Ndize për të gjithë jetimët,
që nuk kanë baba e nënë!

Ndize një qiri në heshtje;
Në një strehë a në një portë.
Ndize për njerëzit e ligj,
Zoti i madh i mëshiroftë!

Ndize një qiri në heshtje!
Ndize, miku im i shtrenjtë,
për atdheun ku kemi shpirtin,
për atdheun tonë të shenjtë!

Ndize një qiri në heshtje,
në një kishë a një xhami!
Ndize për Zotin në qiell,
Dhe për nënën Shqipëri!

Ndize një qiri në heshtje…