Gjirokastra përmbi gur
Një re u ngrit mbi Gjirokastër,
dhe se ku shkoi nuk e pashë më!
Nga portë e vjetër e kalasë,
dalin legjenda një nga një…
Oh, jo nuk janë vetëm legjenda,
që shekujt pranë na i ka prurë,
përveç legjendës së Argjiros,
shumë histori janë përmbi gur.
Mbi gur qyteti hodhi rrënjët,
të ish i sigurtë ballë stuhive,
me gur i shtroi edhe rrugicat,
mbi gur ua gdhendi emrin bijve.
Qyteti ynë në jug të vendit,
me gjuhë të gurit di të flasë,
me gur i ngriti dhe shtëpitë,
kala të vogla rreth kalasë.
Mbi gur është shkruar historia,
mbi gur është gdhendur dhe flamuri,
e zgjodhi gurin për mbiemër,
dhe patrioti Idriz Guri.
Me gur ndërtoi të gjitha urat,
që lidh çdo breg e çdo kodrinë,
me gur e bluan dhe kafenë,
në gur e gdhendi bujarinë.
Me gur ndërtoi vazo për lulet,
ndaj lulet s’i munguan kurrë,
dhe është qyteti ndoshta i vetëm,
ku mbijnë lulet përmbi gur.
Dhe dashurinë për mëmëdheun,
e gdhendi mbi çdo gur e portë,
së pari e gdhendi në zemër,
por vetëm zemra se nxën dot.
Gjithçka në gur qëndron e gdhendur
se veç me fjalë nuk mund të thuhet,
krijoi qyteti nëpër shekuj,
më shumë lavdi sesa i duhet.
TROKITJE
Troket një natë kur bie muzgu
Troket pas saj edhe një ëndërr
Troket një yll në portën tënde
Troket një zemër tek një zemër…
Troket dhe hëna pas një kreshte
dhe pak nga pak fillon e del.
Troket ngadalë në portë të dimrit,
një degë bajame që po çel…
Troket çdo vit Shën Valentini,
kjo ditë e bukur dhe e shenjtë.
Trokasin djemtë në zemra vajzash,
dhe vajzat nëpër zemra djemsh…
Troket një vjeshtë dhe bien gjethe!
Ca hapa shkelin përmbi të.
Trokasin foshnjat që do lindin,
trokasin dasmat një nga një…
Troket një natë kur bie muzgu;
një natë e bukur dhe me ëndrra;
trokasim gotat ne të dy.
Troket një mall i ngrohtë në zemra…






















