Jemi ulur të dy në stolin tonë, në parkun plot
me zëra fëmijësh, që, kushedi pse, heshtin sot;
me gjethet e rralla që bien mbuluar me vetmi,
me ftohtësinë stoike të flokëve të dëborës nën
një qiell melankolik, që nuk shfaq asnjë ngjyrë.
Matem të t’them se të dua, se je ende pjesë e
shpirtit tim, me gjithë brishtësitë e tua, ashtu
si kjo ditë që dridhet në ngricë dhe dridhma
më lë mbi lëkurë. Matem të t’afrohem, të të
ledhatoj, por druhem se, si gjethe vjeshte, ti
do t’më mbetesh në dorë.
Sjell ndër mend shëtitjen tonë përgjatë lumit,
që e ndante qytetin në dy pjesë. Ujërat ishin
të turbullta dhe të paqeta, por shpirti im dukej
i kthjellët si një pikë vesë. Oh, isha e brishtë
si një gjethe vjeshte që lumi i tërbuar e merr
dhe në breg e çon, po ty të doja aq shumë sa
dhe fantazia vetë s’mund ta përshkruajë dot.
Papritur, ti m’u afrove dhe më more në krahë,
doje të më puthje, por unë të thashë “jo”, pa
e ditur se nuk do të t’shihja më kurrë e zemra
tek ai çast do të mbetej peng përgjithmonë.
Dhe do ta merrja me vete atë përqafim përtej
deteve, kufijve, përtej kohës vetë e parfumin
tënd si të një trëndafili do ta ruaja ndër vite të
mbyllur në thellësi të shpirtit tim, me kujdes.
Kanë kaluar muaj e vite, skenarin e asaj dite
e kam ndryshuar mijëra herë; atë “jo” që unë
e shqiptova ashtu kot, e transformova shpesh
në “po”. Nëpër muzgjet e mia të vetmuara të
kam puthur me pasion. Skenarin e asaj dite e
kam ndryshuar mijëra herë, por jo ndjenjën
për ty, që vazhdon të rrijë me parfumin tënd
aty, thellë, në sëndukun e shpirtit tim…