Sejmen Gjokoli: Libri për komisarin e luftës dhe të penës Manxhar Binaj

237

-Rreth botimit më të fundit të Albert Habazaj,  “Prelud epik, komisar Manxhar Binaj, i luftës dhe i punës”-

Sigal

 

Jemi mësuar që librat me karakter monografik, përgjithësisht, të shkruhen për figura që e kanë mbyllur historinë e jetës, kryesisht duke ju referuar të shkuarës së largët, ndërkohë që nuk bëjnë përjashtim edhe ato me personazhe ende në jetë.

Si botimi më i fundit i Albert Habazaj, ku në fokus ka jetën aktive, gati tetëdhjetëvjeçare të Manxhar Binaj, një figurë e njohur e viteve të sistemit të kaluar, madje me cekje të viteve të Luftës në vitet e fëmijërisë e deri sot, që ende jeton e kontribuon në familjen e madhe të veteranëve të Luftës Çlirimtare.

Personalisht kam patur rastin të njihem edhe më parë me jetën e këtij biri të Kudhës-Gërhotit, një nga trevat emër madhe të Labërisë, për të thënë gjithashtu se disa nga vitet e jetës ja kam njohur nga afër, në kohën që shërbente në Tepelenë.

Jetën e plotë siç thashë më lart, e kam mësuar përmes botimit të vet Manxharit, përpara disa vitesh në librin titulluar “Dëshmi e një jete”.

Ky është një nga pesë botimet e personazhit të Albert Habazaj, në fakt një libër që për të kam patur rastin të flas hollësisht për të në ditën e promovimit, disa vite më parë në një aktivitet të organizuar posaçërisht nga shoqata “Labëria”.

Ndërkohë me botimin që po i referohem, poeti e shkrimtari Albert Habazaj, me një penë të kujdesshme, larg klisheve e teprimeve që jo rrallë vërehet në libra të ngjashëm, na bie me shumë vërtetësi e thjeshtësi rrugën e gjatë që Manxhar Binaj ka bërë gjatë një jete të tërë.

Rrugë e nisur si ushtarak e me “rraqe” në krahë nga një rreth në tjetrin, përfunduar në një nga strukturat e larta politike të kohës.

Mbështetur në të dhëna e fakte kokëforta me një gjuhë të zgjedhur tregimtare, Albert Habazaj ka ditur që ti sistemojë bukur në faqet e librit e të na i sjellë si të ndodhnin dje të gjitha lëvizjet, transferimet e pozicionet hierarkike, në një gjeografi gati marramëndëse.

Ishte vetëm njëzet e pesë vjeçar atë vit të 1955, kur nga Vlora do të nisej për studime në akademinë ushtarake të Moskës e, nga ku prej  mbarimit të saj, me pozicione e përgjegjësi të ndryshme nuk do t’i zinin këmbët dhe’, duke filluar nga Erseka, Gjirokastra, Përmeti, Shkodra, Vlora, Tirana, Tepelena, përsëri Gjirokastra e deri sa në vitet e para të nëntëdhjetës, do të kthehej përfundimisht në Vlorën e tij, si vendlindje e dashuri.

Natyrisht libri i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së një njeriu konkret me emrin Manxhar Binaj por mes rreshtash lexohet qartë edhe vetë jeta dhe historia e një brezi të tërë, një brezi që kontribuan e bënë sa mundën për çlirimin, ndërtimin e zhvillimin e atdheut.

Manxhar Binaj është shembulli më i mirë se, pavarësisht kornizave e sektarizmit të sistemit totalitar, jo pak njerëz në pozicione drejtuese të pushtetit apo parties, mbetën të papërlyer apo të njollosur në të bëmte që ajo kohë i kishte bashkëudhëtare.

E mbaj mend punën e këtij njeriu gjatë viteve në Tepelenë në pozicionin e të parit të partisë.

Aso kohe në këtë rreth, kishte jo pak probleme të krijuara prej sektarizmit të udhëheqies së mëparshme, ndërkohë që mençuria dhe vizioni i të sapoardhurit nga Tirana, falë mënyrës së tij të drejtimit e komunikimit, vendosi një ekuilibër që dallonte mes rretheve të tjerë.

Mbaj mend kujdesin e treguar ndaj minierës së Memaliajt, vizitat dhe takimet e here pas herëshme me punëtorët në sektorët e minierës, si fuqia kryesore industriale e rrethit, por edhe vëmendja ndaj zhvillimeve në kulturë, sport e aktivitete shoqërore të rrethit.

Më kujtohet një rast kur, në një prej ditëve, më takon Eqerem Risilia, të cilin e kisha punëtor në sektor.

Eqeremi ishte nga Vlora, violinist i talentuar, por për shkak të cenit në biografi e kishin larguar nga arsimi e kultura e, në vend të violins, duhet të mbartte shtratin e druve të minierës.

– Do aktivizohem me orkestrën e Tepelenës, më thotë i ngazëllyer,  më njoftuan ata të kulturës.

I kishte shkuar vetë sekretarit të parë dhe ia kish treguar historinë.

Dhe ja, kishin kaluar vetëm pak ditë kur kishte marrë njoftimin me porosi të vetë të të parit të partisë së rrethit.

Është rasti të sjell edhe një fakt tjetër që më ka mbetur në mendje, gjatë një bisede me personazhin e librit përpara disa kohe në Vlorë.

Ishte fjala për poetin e shquar tepelenas, Petrit Ruka.

Si duket “mjeshtrat” e degës e kishin vënë në shënjestër dhe kërkonin ta hidhnin në duar. Ishin vitet e rinisë e të nisjes së shkëlqimit të poetit, aty në shkollë e vendlinjen e tij të Turanit.

Mundoheshin, por për të vepruar u duhej patjetër firma e të parit të partisë.

-Lereni djalin të bëjë poezi, se i bën të mira – i tha sekretari i parë, apo komisari, si Alberti e pagëzon në libër, kryetarit të degës që kishte vajtur t‘i merrte firmën.

Më vonë e kam dëgjuar përsëri këtë histori tronditëse kur të tre, edhe me Petritin, ishim ulur të konsumonim një kafe e bisedë të paharruar në Vlorë.

Poeti Ruka që asokohe diçka kishte ndjerë e kishte dëgjuar së largu nga të tjerë, tani po e dëgjonte drejtpërdrejt nga njeriu që s’pranoi të hidhte firmë…

Ja pse ja vlen të lexohet ky botim i Albert Habazaj.

Nuk është fjala thjesht për jetëshkrimin apo begraundin e një njeriu, është jeta e një biri Labërie që në një kohë të gjatë me tallaze e vështirësi të panumërta jete, në të dy etapat, të luftës e të punës, bëri sa mundi për vendin e tij.

Me vetmohim e përkushtim, me dinjitet e personalitet, me dashuri e integritet, me moral të lartë njerëzor.

Si shumë e shumë njerëz të këtij vendi.

Një libër kushtuar një njeriu në vigjilje të ditëlindjes së nëndëdhjetë e një të jetës së tij.