Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Nderi i qenit

177
Sigal

Ishte ditë e vrenjtur, kur një njeri i ndershëm po kthehej në shtëpi nga puna ku paguhej si çirak tek një pasanik. Papritmas, duke çapitur i lodhur, i vajtën sytë tek një ceprruge. Ishte skenë që e preku shumë të varfërin e ndershëm: Një qen i varur në litar! Ia turbulluan kokën shumë mendime, se cila do të kishte qenë arsyeja që aksekush nga njerëzit e këtushëm, kishte kryer atë veprim aq të shëmtuar e të rëndë duke i marrë jetën një qeni me anë të litarit. Por askund nuk po gjente dot një shkak bindës. Ai kishte parasysh thëniet e të atit që e pat porositur dikur se nga kafshët, miku më i mirë i njeriut është qeni dhe atë frikësoje, por mos e vra!” Kjo që po shihte iu duk e pahijshme, e pamerituar, madje e tmershme, ndaj vendosi që të ndihmojë qenin për ta shpëtuar. Qeni, në gjendjen gati për t’u mbytur, me nuhatjen e tij proverbiale e ndjeu se njeriu i mirë do të afrohej dhe mundi që t’i kërkonte ndihmë: ”Aman, o njeri i ndershëm, më shpëto!” Njeriu zemërmirë nxorri biçakun, preu litarin dhe qeni shpëtoi. I gëzuar sa nuk përshkruhet, qeni i tha njeriut shpëtimtar: “Të jam shumë mirënjohës. Nderi shpërblehet me nder.” Dhe u ndanë. Qeni i lumtur që iku prej kthetrave të vdekjes dhe njeriu i gëzuar që shtoi në arsenalin e tij të bamirësive edhe një rast të rrallë. Rrodhën ujra e frynë erëra. Ranë gjethet e pemëve në fundvjeshtë dhe çelën përsëri në pranverë. Po mbushej viti nga ajo ditë kur qeni dergjej i varur në litar dhe u shpëtua. Njeriu i ndershëm një pasdreke të mjegullt, pasi kishte marrë pagën javore, kaloi rastësisht anash një plevice. Sytë i zunë një kolibe dhe vuri re se atje, brenda saj, jetonte pikërisht qeni, të cilin e kishte pasë ndihmuar që të shpëtonte nga litari në fyt. Njeriu fisnik e dinte se qeni e ruan në “kujtesën” e vet të nuhatjes aromën e një trupi të gjallë deri në shtatë vjet. Dhe me këtë ide, natyrshëm, deshi që ta pyeste qenin si po jetonte… por mendimet e tij të çiltra i ndërpreu një sulm i egër i rrufeshëm për ta kafshuar në pulpë të këmbës. Qeni iu vërsul me egërsinë e një kafshe, që armë kryesore ka dhëmbët. Njeriu i ndershëm, i habitur dhe njëherazi i tronditur e i trembur, duke u mbrojtur, i thotë qenit me zë të lartë: “O qen! Jam unë që të shpëtova jetën nga litari që të kishin vënë në fyt, para një viti!” Dhe qeni sakaq ia kthen: “E kujtoj fare mirë; ti bëre nderin tënd si njeri dhe unë tani po bëj nderin tim si qen!” Morali i fabulës është i kthjellët dhe i përhershëm.