Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi: Brirët e qumështit

 

-rrëfenjë sipas I.K. për një emigrant

NOA

Erveheja  qe martuar me mblesëri me Nuriun. Kishin lindur dhjetë fëmijë. I rritën me shumë

e shumë mundime, sakrifica dhe punë të ndershme aty në fshatin Bregas. Por ama asnjë nuk u sëmur dhe asnjë nuk bëri shkelje ligjesh për t’u dënuar. Edukatën ua dha e ëma,i ati dhe shkolla e fshatit.  Ikën vitet,  fëmijët  u martuan e krijuan familjet e tyre, por prindërit kurrë nuk i harruan. Babait i thërrsnin’ Lala’ dhe nënës ’Nënoke’. Ishin të gjithë të lumtur në ato pak të ardhura që kishin nga  punët në kooperativën bujqësore dhe në ndërmarrjet shtetërore. Klima e fshatit ishte e shëndetshme dhe fqinjësia qe njësoj si vëllazëri. Pas vitit 1990 disa prej tyre iu lëshuan kurbetit për një jetë më të mirë dhe për të parë botë me sy. Disa mbetën në punët e qytetet ku ishin, këtu, në atdhe. Asnjëri nuk qëndroi me prindërit. Erveheja, shpesh ankohej kur bisedonte me shoqet e mëhallës:” Të bësh dhjetë fëmijë e të mos kesh një që të të japë një gotë ujë në pleqëri?!E ç’jetë është kjo? Sa kohë e keqe erdhi!?”Tekiu, i fundit i fëmijëve, pas shumë   peripecive të emigracionit të jashtëligjshëm përfundoi në periferitë e Lionit në Francë. Me shkollë në atdhe kish fituar zanatin e  mekanikut, por aty në shtetin e huaj mezi gjeti një punë në pastrimin e tubetave të ujrave të zeza. Kaluan dy vite dhe fati e bashkoi me një vajzë të bukur me ngjyrë. Edhe ajo emigrante, afrikane nga Gana. Punonte ku të gjente punë. E thërrisnin Lukuale Tabio. Vendosën dhe u martuan. Erdhi shpejt edhe fëmija i parë. Me që të dy kishin probleme me dokumentet, asnjëri prej tyre nuk mund të shkonte në vendlindjen e vet. Por fëmijët e Ervehesë e Nuriut  kishin bërë një marrëveshje që çdo gjashtë muaj t’u dërgonin prindërve euro e dollarë  që ata të jetonin disi mirë, me veshmbathje,ushqim dhe të blinin sende të vogla, midis tyre edhe telefon secili e televizor në çdo dhomë. Një mbasdite me shi  të rëndë, me bubullima dhe erë, ra zilja e telefonit të Ervehesë. Ishte Tekiu. Ja se cila kish qenë biseda në telefon që u zbulua pas asaj gjëme që ndodhi disa orë më vonë.

Djali: Si je nënoke? Po lala si është?

Nëna: Tu bëftë nëna kurban, ne jemi shumë mirë, po kemi merakun tuaj. Po ti si je?

Djali: Jam mirë.Nënë, unë u martova me një vajzë. Është shumë punëtore dhe do të të pëlqejë kur ta takosh.

Nëna, e gëzuar: Hë më të lumtë, or bir!Të trashëgohesh dhe pastë këmbën e mbarë!

Djali:Dhe na ka lindur një djalë, nënoke!

Nëna, shumë e lumturuar e ndërpret:” Pastë ardhur me jetë të gjatë, more bir! “

Djali: Por ç’e do se nusja nuk ka qumësht të mjaftueshëm për ta ushqyer dhe kemi marrë një

mendeshë  nga ato esmeret që të pijë.Jam bërë merak se djali sa vjen e po bëhet i zi, nga që pi atë

qumësht.Nëna, me zë të tronditur e paksa të dridhur:”O të keqen nëna ty, more bir! Edhe unë me tët ‘atë linda dhjetë fëmijë dhe  qumësht nuk kisha aq sa donit ju.Milja lopën  që kisha në katua dhe ju ngopeshit; por me brirë vetëm ti më paske dalë!” Dhe këtu ndërpritet biseda papritur.

Të nesërmen në mëngjes ganezja Lukuale Tabio vërejti e tmerruar që burri i saj, Tekiu nga

Shqipëria, nuk u ngrit më nga krevati.Ai ishte vet helmuar…