Nga Iliaz Bobaj, akademik, poet, fabulist, shkrimtar.
Çano Nora është një zë i veçantë në letërsinë dhe publicistikën shqiptare. Me një përvojë të gjatë në krijimtari, ai ka lëvruar me mjeshtëri poezinë, fabulën dhe zhanrin publicistik, duke sjellë në vëmëndje figura historike, tema kombëtare dhe reflektime njerëzore të thella. Pena e tij është e ngrohtë, e drejtë për drejtë dhe shpesh herë me mesazhe të qarta sociale e morale. Përmes fabulës ai u flet brezave me humor të hollë dhe kuptim të thellë; përmes poezisë, me ndjenja dhe shpirt atdhetar, ndërsa në publicistikë, me kurajo, memorie dhe pasion për të vërtetën. Çano Nora është autor i disa vëllimeve poetike, me temë lirike, sociale dhe atdhetare. Ai është një fabulist i spikatur me materiale të përfshira në shtypin letrar sidomos te rubrika “Pena Shqiptare” e gazetës “Telegraf”. Është një publicist aktiv dhe tepër i lexuar, me dhjetra intervista e reportazhe për figura të njohura.
Libri më i fundit është:”Edhe zemrat flasin…”, një vëllim intervistash me personalitete, që kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën tonë. Ka dhënë një kontribut në gazetën”Telegraf” me botimin e intervistave të herë pas hershme, me tema interesante, që i lexojnë dhe i pëlqejnë lexuesit. Ky autor është vlerësuar për origjinalitetin në fabula dhe ndjeshmërinë në poezi. Si një publicist kurajoz dhe pasionant, gjen dhe trajton tema historike, sjell intervista që zbulojnë fakte, emocione dhe histori njerëzore të pazbuluara më parë. Le të përmendim këtu intervistën:”Thanas Dino si e zuri mik Ismail Kadarenë dhe miqësia e tyre s’e humbi kuptimin asnjëherë”, historia e pazakontë e familjes vllahe,që zë fill në Cërrik dhe kujtohet me dhimbje edhe këtu në “Andon Poçi” të Odries,etj.

“Edhe zemrat flasin…”
Është më shumë se një libër intervistash. Është një urë e ndërtuar me kujdes midis së kaluarës dhe së tashmes, një dialog i gjallë me historinë përmes zërave që nuk janë shuar kurrë plotësisht.
Në këtë vëllim publicistik, autori Çano Nora, na fton të dëgjojmë me” veshin” e shpirtit, zërat e atyre që kanë mbetur si gur themeli në kujtesën kombëtare.
Dhjetë intervista, dhjetë dritare të hapura mbi figura historike, që kanë lënë gjurmë. Disa prej tyre janë të njohura gjerësisht, të tjerë janë rikthyer në dritë pas një harrese të padrejtë. Secili rrëfen në mënyrën e vet, duke n’a ndihmuar të kuptojmë më mirë vuajtjen, vendosmërinë ,pasionin dhe njerëzoren e kohërave që kemi lënë pas,dhe që vazhdojnë të jetojnë brenda nesh.Çano Nora nuk ndalet vetëm te faktet ,por e udhëheq lexuesin në rrëfime të ndjera , ku njeriu flet me zemrën , ndërsa historia merr trajtë përmes emocioneve. Ai ka ditur të zgjedhë jo vetëm bashkëbiseduesit, por edhe pyetjet që nxisin thellësi reflektimi dhe shpesh edhe heshtje domethënëse. Ky libër është një dëshmi e asaj që historia nuk është vetëm kronikë, por edhe ndjenjë. Sepse edhe zemrat flasin…Dhe kur e bëjnë këtë, ne duhet vetëm t’i dëgjojmë.
-ÇDO TË THOTË PËR JU NJË LIBËR MË SHUMË PËR PUBLIKUN, ME PERSONAZHE, QË KANË BËRË HISTORINË E SHQIPËRISË?
Në këtë libër portretizohet figura që kanë bërë historinë shqiptare.Ai shkrinë gjuhën shkencore në rrëfim të kuptueshëm ,duke e bërë trashëgiminë historike të prekshme për këdo. Në libër bëhet një rikthim i historisë në bisedat e përditëshme.Historitë e personaliteteve shpalosen me stil publicistik. Ato kthehen në tema bisedë në familje, në media e rrjete sociale. Rrugëtimi i figurave që kanë sfiduar kohën si model, lexuesi gjen në to motive krenarie kombëtare, por edhe shembuj konkrete vullneti e sakrifice. Libri ruan fakte, intervista, dokumente e dëshmi gojore që mos të mbeteshin vetëm të mbyllura nëpër arkiva. Me një penë narrative, faktet historike, marrin jetë artistikea, kjo e bën leximin më të këndshëm dhe ndihmon që mesazhi të mbetet gjatë në mëndjet e njerëzve.Një libër i tillë nuk është thjeshtë shtim titujsh në rafte , por një mjet edukimi,dialogu që i shërben shoqërisë së sotme dhe brezave që vijnë.





















