Prof. Dr. Gjergj Sinani: Mbetet ende shumë punë për të krijuar një “Shqipëri mendonjëse” me vizion perëndimor

-“Shqipëri mendonjëse”, duhet përkthyer në programe dhe aksione konkrete nga ana e aktorëve publikë, në arsim, botime, ide, mentalitet progresist

– Ne sot shohim dilentantë, që flasin për gjithçka, që e përdorin kritikën si kamzhik në favor të egoizmit individual ose të dikujt tjetër.

NOA

– Inteligjenca, duhet t’a mësojë popullin që të mendojë për të mos rënë pre e mashtruesve dhe lajkatarëve të çdo ngjyre.

– Një Komb nis t’a ndjejë e t’a drejtojë veten vetëm ahere kur nis të mendojë fatin e tij, kur arrin në një shkallë të lartë ndërgjegjeje dhe ka frymën kritike.

Prof. Dr. Gjergj Sinani

Mendimtarët e shquar shqiptarë që në kohën e rilindjes kërkonin për ta futur Shqipërinë në rrethin e popujve të qytetëruar. Por, çdo të thotë të krijosh një jetë mendore? Le ta dëgjojmë përgjigjen nga B. Merxhani, pasi është tepër aktuale. “Dhe jetë mendore do të thotë për Shqipëri, jo krijim shfaqjesh typografike, as ngrehje qendra dëfrimesh, pa princip, çap, kurajo për gjurmim shkencor, serioz, të vazhduar, për analizimin dhe shpjegimin e vonesave historike dhe sociologjike të jetës kombëtare. Vetëm mbi një punë të tillë mund të mbështetet mendimi dhe systemi i reformavet. Dhe vetëm pas një zbatimi besnik të kësaj pune, do të mundemi dhe ne të hyjmë një ditë në qarkun e popujve të qytetëruar”. E thënë në mënyrë filozofike, jeta mendore jona do të thotë që të kuptojmë qenien e të qenurit tonë, që do të thotë që ta hedhim vështrimin brenda vetes tonë, “brenda në Unën tonë shoqërore”, do të shprehej Merxhani. Kjo do të thotë se rrugët që na shpien në thellësi dhe në rrënjët e ekzistencës sonë hapen vetëm përmes një pune mendore. E thënë ndryshe, ne ende kemi nevojë që të reflektojmë dhe të njohim sa më mirë kushtet dhe mënyrën tonë të ekzistencës. Shkurt, mbetet ende shumë punë për të krijuar një “Shqipëri mendonjëse”. Kjo detyrë bëhet më imperative po të mbajmë parasysh faktin se shoqëria e tregut të lirë, që sapo kemi hyrë, ka edhe disa pasoja negative, siç është prirja për të ikur para mendimit, që e kanë vënë në dukje mendimtarët e kohëve moderne dhe bashkëkohore duke filluar që nga Tokëvili e deri te Haidegeri, Fromi etj. Shkurt, detyra për të krijuar një “Shqipëri mendonjëse”, pas një periudhe të gjatë të sterilizimit mendor, mbetet ende në rend të ditës, që duhet përkthyer në programe dhe aksione konkrete nga ana e aktorëve publikë, që duhet të prekë arsimin, botimet e këtyre autorëve si dhe mjetet e komunikimit masiv.

Të gjitha këto duhen me qëllim që trutë e njerëzve të fillojnë që të punojnë.

Këtu ata shikonin edhe rolin e inteligjencës, që t’a mësonin popullin që të mendonte për të mos rënë pre e mashtruesve dhe lajkatarëve të çdo ngjyre. “Ky popull, shkruante Merxhani, i lënë në varfëri dhe në injorancë, s’ka mundur akoma jo të hapë po as edhe të fërkoj syt e tij të mbyllura dhe është i thithur nga përpjekja për bukë. Do të shkojë shumë kohë që populli të nisë të dëftojë nevojat mendore më të larta”. “Një Komb nis t’a ndjejë e t’a drejtojë veten vetëm ahere kur nis të mendojë fatin e tij, kur arrin në një shkallë të lartë ndërgjegjeje dhe kur frymën kritike të mëndjes së tij e kthen nga fuqitë e natyrshme dhe instiktive, në të cilat ishte skllavëruar gjer dje”. Të gjithë këta mendimtarë kërkonin që populli të edukohej me frymën kritike, pasi të menduarit e kërkon kritikën dhe pa kritikë nuk kemi të menduar, por kemi konformizëm me autoritetin, sidomos me autoritetin politik. Nuk ka nevojë të tregojmë se çfarë pasoja solli konformizmi me autoritetin politik në vendin tonë. Ende duhet shumë punë dhe përpjekje për t’u çliruar nga fryma konformiste. Por, kritika kërkon edhe disa kushte që të mos shndërrohet si mulliri që bluan pa kokrra.

Se si duhet të jetë ajo po risjell të plotë një analizë të studjuesit dhe mikut të shqiptarëve, Zef Valentinin.

Që kritika të mos jetë e gjymtuar ai shkruante që më 1935: “Kritika duhet të jetë “1– e saktë, due të tham e zhdeshun nga çdo paragjikim e interesë, kështuqi mos të ndrrohen, as mos të shtohen faktet, mos të shtrembnohen vështrimet me qëllim, qi me nxjerrë përfundime t’idenave të veta. 2 e plotsueme, qi të përmbledhë nji numër sa më të madh faktesh, për të shinue imtisht gjithçka e me hi thell në natyrë të çashtjes. 3 -e dallueme, ose e shkoklueme në të gjitha rrethanat, tue dallue shka asht thelbi e shka asht duka…Kush do me u shpërvjelë për të hi me kritikue nji gja, do t’hiedhi nji shikim vetvedit, a i ka ato cilsit qi u rreshtuen, e në t’endun e punim të kritikës do të përpiqet, qi të spikasë në të gjitha pikpamjet paanshmënia. Kritika asht nji kandil; e sikur kandili vyen për të dallue sendet qi nuk shifen, ashtu kritika do të përdoret për të shndritë ato, qi janë në terr. Kritika duhet të jet nji nxitje, e jo kurr nji kamzhik. Nga kritikat e drejta përfito; të padrejtat e ato, qi dalin nga pasionet përbuzi”. Ky i huaj që i donte sinqerisht shqiptarët, mesa duket i kishte vënë re fare mirë të metat e të ashtuquajturës kritikë. Për fat të keq, këtë gjoja kritikë e shohim edhe sot. Ne sot shohim dilentantë që flasin për gjithçka, që e përdorin kritikën si kamzhik në favor të egoizmit individual ose të dikujt tjetër, shikojmë klithma sipërfaqësore dhe diskutime që nuk prekin thelbin e gjërave. Përmes kritikës ngrihet shpirti i njeriut. Ky është mësimi kryesor i artit të zhvillimit të mendimit që na vjen që nga filozofia antike. Ku bashkohen autorët e këtyre viteve? Të gjithë autorët e këtyre viteve bashkohen në këtë pikë. “Faji ynë, do të shkruante Mitat Frashëri, ka qenë deri tash se nuk kemi dashur dhe nuk kemi ditur të lodhim mendjen, të qendërsojmë vullnetin, të meditojmë se qysh do të kemi një jetë shoqërore, një zhdrivillim politik dhe kombiar, për t’i bërë ballë vështirësive që na sjell jeta kah pikpamja ekonomike dhe njerëzore” . Ringjallja e jetës mendore të popullit duhet për të krijuar njeriun-qytetar. Ky përbën shqetësimin kryesor të mendimtarëve shqiptarë të kësaj periudhe, kur shtrohej çështja e ndërtimit të shtetit shqiptar.

Që ky shtet të bëhej demokratik, duhej të formohej qytetari.

Është me interes të kujtojmë një parim të rëndësishëm të shoqërisë demokratike, që lidhet me qytetarinë. Qytetaria është burimi i pushtetit në sferën publike. Mund të jesh anëtar i një shoqërie, pa qenë qytetar i saj. Në qoftë se qytetari nuk ka akces në sferën publike, duke mbetur i mbyllur në sferën private, ai nuk mund të ushtrojë presionin ndaj qeveritarëve. Ky parim i rëndësishëm shprehet në formulën e famshme të Monteskjësë: “Qytetari mund të vdesë dhe njeriu të mbetet”. Një maksimë e tillë ka vlerën e një formule dhe ne e kemi provuar dhe po e provojmë çdo ditë. Çdo lloj despotizmi e zgjat jetën duke u mbështetur në karaktere të qullët, që karakterizohen nga shpirti i konformozmit dhe bindjes dhe jo në shpirtin kritik. Pyetja që shtrohet është: Kush duhet ta krijojë dhe ngrejë shpirtin kritik të njerëzve? Kush duhet t’i mësojë qytetarët se si të kenë akces në jetën publike? Ka vetëm një përgjigje. Këtë gjë mund ta bëjë vetëm klasa e ndriçuar e kombit. Por, a e ka realizuar një gjë të tillë kjo klasë? Në qoftë se jo, pse? Pse është thelbësore një gjë e tillë? Një konkluzion i tillë na vjen nga filozofia iluministe. Qytetaria nënkupton lirinë publike, pjesmarrjen në jetën publike dhe kjo mbështetet jo vetëm në zbatimin e lirisë së ndërgjegjes, por edhe atë të kompetencës. Shkurt, njeriu bëhet qytetar përmes edukimit. Një njeri që nuk drejtohet nga edukimi qytetar dhe dija mbetet një barbar. Një demokraci kërkon qytetarë me cilësi specifike. Kush është e rëndësishme në këtë rast? Është e rëndësishme që ata të jenë zot të vetvetes, xhelozë për lirinë dhe autonominë e tyre dhe të prirur për të bashkëpunuar me të tjerët. Nuk është demokratike të përhapësh urrejtjen dhe fanatizmin. Ky mbetet një parim shumë i rëndësishëm për shoqërinë demokratike. Për këtë nuk ka nevojë për komente të gjata, por do të doja të citoja një këshillë të Tokëvilit për politikanët europianë, që ai e nxorri nga përvoja amerikane. “Thuhet se sovranët e kohës sonë kërkojnë që të bëjnë me njerëzit gjëra të mëdha. Do të dëshiroja që ata të ëndërrojnë pak më shumë se si të bëjnë njerëz të mëdhenj; që ata të çmojnë më pak veprën dhe punëtorin dhe të kujtohen parreshtur që një komb nuk mund të mbetet i fortë, për një kohë të gjatë, kur çdo njeri është i dobët individualisht dhe nuk ka gjetur format sociale që të mund ta bëjë një popull energjik, duke e formuar me qytetarë të paguximshëm dhe të flashkët”. Edhe mendimtarët e viteve ’30 këtë gjë kërkonin nga elitat politike të kohës; formimin e qytetarit.  Rëndësia e kësaj ideje, po të mbajmë parsysh zhvillimet e të ashtuquajturës periudhë të tranzicionit, është shumë e madhe. Mendimtarët e demokracisë i kanë mëshuar fort rrezikut të manipulimeve me “instiktet demokratike të turmës” dhe rrezikun e manipulimit të tyre nga ana e sharlatanëve politikë, që dinë aq mirë t’i pëlqejnë popullit dhe të manipulojnë dëshirat e tyre për liri dhe barazi. Që njerëzit – qytetarë të marrin pjesë në jetën publike duhet që atyre t’u mësohet përmbajtaja e jetës publike dhe mënyrat e kontrollimit të saj.

Nevoja e edukimit demokratik mbetet një detyrë parësore edhe në ditët tona.

Uni ynë shoqëror dhe veset tona si formohen dhe si lidhen me tipin e njeriut që formon një shoqëri? Uni ynë shoqëror nuk mund të formohet pa njohur edhe veset tona, të cilat lidhen me tipin e njeriut që formon një shoqëri. Nuk është aspak nevoja këtu, për të provuar të vërtetën e thjeshtë, të cilën shumë njerëz e harrojnë, se përsosmëria e organizimit shoqëror, mbarësia dhe krijimtaria e shoqërisë në fusha të ndryshme, veprimtaria dhe fatet e saj historike, varen, para së gjithash, nga natyra e anëtarëve të saj.  Mendimtarët e viteve ’30 e kishin në qendër të vëmendjes tipin e njriut që ishte krijuar në shoqërinë shqiptare dhe ishin të parët që i kritikuan veset e këtij njeriu, në funksion të ngritjes së tij në nivelin e qytetarit. Ata e kuptonin se demokracia donte qytetarë. Cili është tipi i njeriut që është larg qytetarit, të cilin ata e shikonin si pengesë në zhvillimin shoqëror? Tipi i njeriut që ka të zhvilluara “instiktet e mërisë dhe pastaj instiktet e admirimit, po sidomos instiktin e superioritetit dhe të imponimit kundrejt të tjerëve. Tundet nga çdo anë. Nuk çan kurrë kokë të mësojë atë që duhej të dinte dhe atë që do të mundesh shumë bukur të mësonte. Me gjithë këtë, pa ditur se ç’do, e se ç’bën, se ç’flet, voton, bërtet, kërkon, urdhëron sikur di gjoja se ç’bën. Në çdo degë që të zihet është pika më e ulët, rekllamaxhi e gjysmak. Kështu nga ultësia e zhurmë e gjysmakërisë së tij ose e një çerek diturisë  së tij ose e një çerek diturisë së tij, gjithë të rrema dhe hilera, një ditë rrëzohet befas, kollaj, pa e ndjerë, në devocionin verbëronjës dhe në errësirën e fanatizmës”. E gjithë kjo vjen nga varfëria mendore dhe morale si dhe nga mungesa e ndjenjës së vetpërgjegjësisë dhe mungesën e një ndërgjegjeje kolektiviteti, dhe ka si pasojë “gjumin kriminal të fodullëkut dhe gjarpërin dinak të vetgënjimit”, nuk kemi jo vetëm shqetësime metafizike, po as edhe patriotike. “Kështu humbëm çdo ideal mendor dhe s’kemi më dëshirë që t’a fitojmë përsëri. I vetmi ideal ynë është të vëmë në dorë titulla, rroga e ceremonira, gëzimi i të miravet materiale, të shkuarit mirë. Ky është ideali ynë sot, të mbushim barkun, të bërbëlitim, të dalim në diell – i vetmi kuptimi ynë i sotmë!”. Shqiptari, do të shkruante Mitat Frashëri, ka ambicion personal fort të zhvilluarë; ky ambicion është vëlla e motër me kotësinë”. Cila është e keqja e kotësisë për të rinjtë? “Kotësia i jep nakar njeriut, e bën që të mos durojë një tjatrë më të mirë, më të diturë, më të pasurë, më të nderuarë se vetveten e tij. Kotësia është vesi, sëmundja më e përhapur në djemtë Shqiptarë: ajo është fara prej së cilës do të dalin të metat dhe fajet e pastajmë. Kotësia e ngurr zemrën, e ftoh shpirtin, e bën njerinë të ashpër dhe të egrë, e largon nga shoqëria dhe prej shoqërimi”. Besoj se ende vazhdon ky kuptim për jetën sot. Kjo analizë është një thirrje për kohën tonë në funksion të krijimit të kushteve që gjeneratat e reja të mos zhyten në hendekun e kotësisë, prej nga rrjedhin edhe shumë vese të tjera. Çfarë donin të krijonin ata? Ata donin të krijonin një djalëri intelektuale dhe idealiste, pasi në qoftë se njerëzit do të udhëhiqeshin vetëm nga interesi personal, atëherë organizmi shoqëror do të ndeshej me probleme të mëdha në të ardhmen. Kjo të kujton këshillën që dha Tokëvili, për rrezikun e demokracisë, në qoftë se ajo ka si ideal vetëm egoizmin material. Apo Hegeli që thoshte se nuk mund të ndërtohet një komunitet politik pa krijuar më parë një komunitet moral. “Vlerat morale kurrë nuk kanë zënë rrënjë në zemrën t’onë, shkruante Merxhani. Para një alternative interesash materjale. Shqiptari, në çdo kohë dhe në çdo rasë, ka preferuar kurdoherë të parat. Interesi materjal! – ky ka qenë gjithnjë “Ideal”- i ynë. Por ç’lloj ideali? Një ideal primitiv, i ngushtë, i ultë, sociologjikisht protoplasmic, ose siç do të thoshte një Levy Bruhl, “prélogique”” . Nuk gjen mendimtar të këtyre viteve që të mos e kritikojnë ashpër këtë tipar tonin, prirjen e theksuar ndaj interesave materiale dhe egoizmit individual.

Por, mos kujtoni se kjo karakterizon vetëm ne dhe jo të tjerët.

Problemi është se popujt europianë ditën të ngriheshin mbi këtë prirje të ngushtë egoiste. Në këtë shqetësim të mendimtarëve shqiptarë duket sikur dëgjon thirrjen e Fihtes për popullin gjerman. “Egoizmi e arrin shkallën e fundit të zhvillimit kur, duke pushtuar më së pari, me përjashtime shumë të rralla, qeveritarët, përfundon në pushtimin e të qeverisurve dhe bëhet i vetmi impulsion jetësor i tyre”. Ndërsa mbrojtësi i çështjes shqiptare dhe që e donte sinqerisht Shqipërinë, Zef Valentini, do të na thoshte: “Në vend të kultit të pares, burim i sa e sa të zezavet, duhet të përpiqemi të largojmë at zemërgurësi, qi na shtyem të pasurohemi me mjete të palejshme, e përkundra të rranjosim në zemër të të cilit, dashtnin e zellin për punë e për fitim të ndershëm. Ne vend t’egoizmit duhet të ngjallim kujdesin e mishërirën për t’afërmit e për punëtorin; mos t’a mbajmë t’afërmin tonë si vegël qefi e fitese; në një fjalë të ngjallim dashtnin vëllazërore, pa të cilën s’kemi pse presim dit të mira”. Për ta plotësuar këtë kuadër është edhe egoizmi intelektual. “Njerëzit t’onë të mësuar nuk janë të formuar ende mirë nga pikëpamja e karakterit intelektual. Nuk kanë një jetë mendore të sinqertë një herë për veten e vet. Jemi pedantë. Çdo njeri prej nesh zbret në tokën shqiptare drejtë për së drejti nga qielli. Vetëm na i dijmë që të gjitha… Nuk duam të dëgjojmë… Buja është mjeshtria jonë. Shkencën e urrejmë. Për systeme s’kemi nevojë!”, shkruante Merxhani. Shkurt, kur egoizmi i ngushtë material bëhet i vetmi motiv lëvizës i shoqërisë, atëherë ajo rrezikon të mos krijojë institucione të shëndoshë dhe realisht përfaqësuese dhe liria, si vlerë shoqërore, do të mbetet përherë e kërcënuar.