Suplementi Pena Shqiptare/ Hyskë Borobojka: I pastrehë deri në banesën e përjetshme

483
Sigal

HUMOR DHE SATIRË

I pastrehë deri në banesën e përjetshme

Edhe unë, o miq, si shumë të tjerë nuk kam qënë pa shtëpi e katandi. Nuk kisha një, por dy, të mëdha, me oborre e avlli të larta. Njërën ma përvëloi Italia fashiste në janarin e vitit 1943, se xhaxhai im, rahmet pastë, hodhi pushkën në sup e u radhit me shokët e tjerë, për ta shporruar zaptuesin, ashtu siç kishte bërë gjyshi më 1920-tën në Vlorë. Shtëpinë tjetër ma bënë hi e gërmadhë nazistë gjermane në janarin e vitit1944, bashke me disa “kallauzë” bashibozukë nga balta jonë. Si mbeta në ditë të hallit, duke u ngrysur e gdhirë dimrit, në haurin e dhive  e  verës nën hijen e pemëve, më në fund erdhi dita e fitores. Si shumë të tjerë, edhe unë sigurova një shtëpi banimi. Për fatin tim të mirë apo të keq, banesa, ku më strehuan, kishte qënë e njerit nga “kallauzët”, që “kontriboi” në djegjen e shtëpisë time gjatë luftës. Të qahem, me vret Zoti. U regullova e u rehatova për bukuri. Për çdo muaj isha i regullt dhe paguaja qiranë e vendosur nga shteti në Ndërmarrjen Komunale. Unë u regullova si më mirë jo, por edhe pronarit, që iu sekkruestua shtëpia e u kthye në pronë shtetërore, nuk e lanë të ngrohej në diell e të ftohej në dimër, por e sistemuan në një banesë shterore. Të dy ishim të qetë, unë në shtepinë e tij dhe ai  me kontratë të regullt në një nga banesat e ndërtuara nga shteti dhe e administratuar nga Ndermarrja Komunale. Erdhi një ditë e ndryshuan kohët. Sistemi i vjetër diktatorial u përmbys dhe vendin e tij e zuri sistemi i ri demokratik. Pushteti i ri, ndërmjet ligjeve e urdhëresave të reja, vendosi që banesat shtetërore, që administronin Ndërmarrjet Komunale, të privatizoheshin nga banorët e tyre (me aq lekë sa zor se mnd të ndërtohej një qymes për pula). Qiraxhinjte e vjeter u bënë pronarë të banesave dhe nxituan t’i noterizonin e t’i hipotekonin. Kur pashë se të gjithë po nxitonin t’i bënin të tyre  shtëpitë ku banonin, prona të shtetit, nxitova edhe unë, të mbushja dokumentat, të paguaja paret e të bëhesha, si shumë të tjerë, pronar i banësës. -Shtëpitë që u ka dalë i zoti nuk mund t’i privatizojmë, sepse shteti i ri ka hartuar e miratuar ligjin: “Prona t’u kthehet pronareve!” – më sqaruan -Por unë, kusurmadhi, përsëri pa shtepi do të mbetem. Njërën ma dogjën italianët, tjetrën gjermanët?! – shfryra. -Mos merr zjarr, si dëllinja e thatë në verë! – më thanë. – Bano i qetë e pa frikë atje ku je dhe vazhdo të paguash qiranë siç e ke paguar vite me radhe, vetëm më një ndryshim të vogël. Tani e tutje qiranë nuk do t’ia japish shtetit, por pronarit të saj! U qetesova e shkova në shtepi i gëzuar. Shteti do mendojë e do verë dorën në zemër edhe për ne, që s’patëm fat të banonim në shtëpi të shtetrore, por në të privatëve të sekuestruara?!  Ata që i privatizuan banesat e tyre (ashtu siç bëri edhe pronari i shtëpisë ku banoj unë) filluan meremetimet e zbukurimet e tyre. Prish një mur këtu e hap një derë atje. Hidhe poshtë zuvanë e vjetër xhunga xhunga e bëje të re, patinoje e stokoje sipas dëshirës. Hoqën dritaret e dyert e vjetra me gjithë kasa, që mezi hapeshin e mbylleshin e i zëvendësuan me të reja, dhoga të stazhionuara e me duralumin.. Pastaj filluan modifikimet, (më shumë pa leje se me ligje). Shto një dhomë e zgjero një koridor, ndërto një ballkon të madh me tri tënda, Mbyll një dritare e hap dy të tjera. Ata të kateve të para, i kthyen banësat në lokale lluksoze, duke bërë prishje e ndreqje, sa, larg qoftë, të bjerë ndonjë tërmet, rrezik që pallatet me disa kate të kthehen në gërmadha. Kurse unë i gjori, shih me sy e plas me zemër. Nuk mund të ngul dot një peronë gjikudi e kam mbetur për ibret, me mure të ciflosur, me ato dyer e dritare të vjetra, që po i hape nuk i mbyll dot. Ç’fryn jashtë futet brenda, sepse, siç thashë, banësës i ka dalë pronari e unë pres t’ia dorëzoj nga dita në ditë, me të më sistemuarnë një banësë tjetër. Prit me ditë, me muaj e me vite. Por hiç gjë. Një ditë vjen i zoti i saj vjen e më troket në derë. -Urdheroni! – e ftova me mirësjellje të hynte brenda. -Nuk kam ngre për brenda! – m’u përgjigj prerë. – E di ti se kjo shtëpi ku banon zotrote është prona ime e duhet të ma lirosh sa më parë?! -Mua ma ka dhënë shteti, me kontratë të rregullt qiraje, ashtu si ta dha edhe ty shtëpinë, ku banon! – i thashë. -Po ligjin e miratuar nga qeveria, që “prona t’i kthehet të zotit” e ke kënduar zotrote?! – më pyeti me shpoti Kujtova se me këtë sqarim që i bëra e zgjidhëm davanë, por ai  nuk më ndahej. Java shtatë e ai tetë vjen e më troket në derë. -Kur do të ma lirosh pronën time? – më thotë. -Mirë e ke ti, por unë lumëmadhi, ku të vete të mbytem?!. -Ku të duash! Prona është e shënjtë dhe e paprekshme! – s’më shqitet ai, si rrodhe. Një ditë mora guxhimin e i thashë: -Sikur të binim në “konsensus”! -Si, si?! – pyeti i habitur. -Në marrëveshje! Unë të vij të banoj në shtëpinë, që ta ka dhënë shteti dhe ti të kthehesh në pronën tënde! -Je në metro?! – m’u hakërrua. – Shtëpinë ku banoj e kam privatizuar, e kam noterizuar e hipotekuar, kurse këtë, ku ke kaq vjet që po banon dhe e shfrytëzon zotrote, ma ka lënë trashëgim im atë, i ndritët shpirti atje ku ka rënë. Madje kam hyre në pazar me dy burra të nderuar. Njërit t’ia lëshoi me qira të majme, se, helbete, kam bërë gjithë ato shpenzime për regullime e shtojca. Tjetrit, që ka zbritur nga fshati në qytet, t’ia shes, i cili është gati t’i paguaj paret në dorë që sot! Kur ngula këmbë se nuk mund t’ia liroja dot shtëpinë, pasi nuk kisha ku të vija, ai më përmendi ligjin e vitit 2001 për “privatizimin e banesave”, se mund të merrja një kredi bankare për të blerë, jo një shtëpi sidokudo, por një vilë, të cilën mund ta shlyeja për 20 vjet, duke deklaruar se kisha mbetur pa shtëpi si “rezultat i fatkeqësive natyrore”. -Unë, mor zotni, kam mbetur pa strehë, si rezultat i “fatkeqësive të luftës”! – e ndërpreva. Por atij arsyetimi im për “shkak të luftës” nga një vesh i hyri e nga tjetri i doli, dhe vazhdoi: -Se mos je vetëm ti i pastrehë. Ka shumë të tjerë që vazhdojnë të mbahen me shpresa me sot me nesër. Shteti dhe qeveria jonë, ka vënë dorën në zemër për ju të pastrehët, duke caktuar si mesatare çmimin me të cilat janë shitur e shiten banesat në tregun e lirë. Po deshe jam gati të ta shes edhe unë shtëpië time, ku bnon ti, sipaa vendimit të qeverisë me “çmimin e tegut të lirë! -Qeveria ka ngatërruar adresë. Ajo u drejtohet atyre që marrin 6 mije leke në muaj për çdo njeri e jo mua e plakës timë, që të dy bashkë mezi marrim 2500 lekë pension! – e kundërshtova. -Me që i ke plotësuar “kriteret, si i pastrehë” mund të marrish një banësë me “qira sociale”. Por mos harro se për qiranë e kësaj banese, sipas “kriteve” të vendosura nga qeveria, nuk duhet të shpenzoni më shume se 25 për qind të ardhurave tuaja mujore. Mirë e ka qeveria jonë e nderuar dhe pronari i shtëpisë, që pret t’ia dorëzoj banësën sa më parë, por ata i kanë bërë hesapet pa hanxhinë. Valllë a e dinë se sa lekë marrim në muaj të dy me plakën. Nga këto 25 duhet t’i paguajmë  për qiranë e “banesës sociale”, 4 mijë e ca lekë për shtatë sëmundjet e mia që kam në trup, dy më pak se nëntë plagët e Gjergj Eles Alisë të legjendës. Po ilaçet e plakës, e me radhe… Pagesë për energjinë elektrike, për ujin, telefonin e pastaj taksat e ndryshme, që te pastrimi e deri te gjelberimi. Kështu që qesia ime, katandiset kokoshi një thelle. Nga gjithë udhezimet e sqarimit që mora, mesova aq shumë, sa m’u fry koka e m’u bë daulle dhe barku do të më mbetej dërrasë. Me ç’dëgjova dhe u sqaeova, m’u mbush mendja top, se do të mbetem i pastrehe deri sa të vetë në banësën e përjetëshme.