Suplementi Pena Shqiptare/ Giammaria Biemmi: Falenderojmë Qiellin për njeriun e madh Gjergj Kastrioti Skënderbeu 

260
Sigal

Në vijim po botojmë një fragment nga libri i Giammaria Biemmit, “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scanderbeg” të përkthyer nga shkrimtari dhe publicisti shqiptar Sami Imami, i cili prej rreth 27 vjetësh punon e jeton si emigrant në Itali. Giammaria Biemmi lindi në Prevallë Brescia më 2 shkurt 1708 dhe ndërroi jetë në Breshia më 27 dhjetor 1784. Ishte prift italian, që ka botuar shumë vepra, por kryesoren e ka shkruajtur për Skënderbeun titulluar “Historia e Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, që u botua për herë të parë në Breshia në vitin 1742 dhe u ribotua disa herë. Ai pohonte që në punën e tij kishte të dhëna më të hershme se ata të veprës së  Marin Barletit. Biemmi pohon se ka gjetur një vepër të publikuar në Venezia në vitin 1480, por nuk ka arritur të gjejë emrin e autorit, i cili sipas tij, ishte shqiptar nga Tivari në Mal të Zi. Sipas këtij biografi, vëllai i tij ishte një luftëtar në truprojen e Skënderbeut dhe vepra kishte humbur disa faqe, në të cilat analizohej rinia e Skënderbeut. Autori e thërret me emrin Antivarini ose Anonimo. Vepra e Biemmit vjen si kundërvënie ndaj veprës së Barletit, të cilën e vlerçson shumë të fryrë. Megjithë këtë, vepra e Biemmit e lartëson më shumë figurën e Skënderbeut, çka dëshmon gjenialitetin e shumanshëm të kryeprijësit të popullit shqiptar.

Biemmi shkruante:

Unë nuk di që në të gjithë historinë e vjetër dhe të re të kujtohet një hero, që mund të ketë shkrirç në vetvete shumë përparësi, shumë kualitete, me një shpirt dhe trup shumë të shkëlqyer. Gjithashtu pohohet se Skënderbeu mund të ketë qenë luftëtari më i guximshëm, komandanti më i kujdesshëm ose princi më i zgjuar. Dhe duke filluar përshkrimin e tij nga këto veti që i ka dhënë natyra, ishte shtatlartë, i drejtë, dhe paraqitej jo me pak autoritet se sa mirësi: me një trup të fortë, dhe i skalitur mirë në të gjithë pjesët dhe veçanërisht në krahët, ku vihej re një elegancë e mirëfilltë bashkuar me fuqi të jashtëzakonshme. Kualiteti i tij ishte një forcë e tillë që kurrë nuk tërhiqej në çdo situatë të vështirë dhe mundimet e mëdha mund t’i përballonte: dinjitoz, i palëkundur si një statujë bronxi në të ftohtë, në të nxehtë, në shi, në borë, në erë etj. Kur ushtritë turke hynin në Shqipëri, ai nuk humbte asnjë moment kot, por ishte gjithnjë në lëvizje dhe në aksione të vazhdueshme: njëlloj si natën ashtu edhe ditën, kontrollonte rrugët, rishikonte situatën e vendit, njihej me lëvizjen e armiqve, bënte roje, vizitonte të gjitha lagjet, dhe vepronte që çdo gjë të ishte në rregull, siç donte ai. Vazhdimisht ishte i mbuluar me pluhur, djersë, kurrë nuk largohej, por gjithnjë i fuqishëm, gjithnjë i sinqertë, me vrullin e pandërprerë për të ndërmarrë mundime të reja. Ai ishte i pari që hynte në betejë dhe i fundit që largohej. Ai jo vetëm vështronte, por vetë si person ishte në të gjithë sulmet, hynte në përleshje, godiste armiqtë ashtu si një luftëtar i thjeshtë, duke bërë llogari që të jenë vrarë vetëm nga dora e tij më shumë se dy mijë turq. Por cilësia më e mirë përfaqësuese e tij ka qënë gjithëfuqia e krahut të tij, që vlerësohet si motivi kryesor i mrekullisë së tij që vlerësohet i madhërishëm në bisedat e burrave. Ai vetëm me një goditje me shpatën e tij ndante në dysh një buall, priste helmetat, zinxhirët e hekurt dhe çdo lloj armature: dhe në fund arrinte të ndante në dysh me një goditje të vetme një ushtar të armatosur nga koka tek këmbët.

 

Sipas Antivarit kur ishte në momentin e zemërimit mund të priste me një goditje të vetme për gjysëm trupat e dy turqëve. Tregon Antivari që Mehmeti (Sulltan Mehmeti – S. I ), duke imagjinuar që ato goditje të gjithëfuqishme që kishte dëgjuar për famën e shpatës së tij se ishte e mirëtemperuar, ndërkohë që ishte në momentin e paqes, i lutet që t’ia dërgonte atij. Por, pasi e kishte provuar dhe as me dorën e tij dhe të atyre më të fuqishmëve që e rrethonin nuk kishin bërë prerjen që duhej, ja kthen duke u ankuar që nuk ishte ajo arma, për të cilën tregoheshin shumë histori; Skënderbeu i ktheu përgjigje se duhej krahu i tij për ta përdorur. Cilësitë e trupit të tij ishin të jashtëzakonshme qe e veçonin nga njerëzit e zakonshëm. Gjithashtu më të shquara dhe më të denja, më me shumë mrekulli ishin ato të shpirtit të tij. Në fakt për t’u bërë gati për beteja dhe për të marrë Shtetin e tij nga duart e Turqëve, pa tjetër i ndjekur nga treqind luftëtarë, guxoi të sulmojë në fushë të hapur ushtritë armike, që ishin dy herë më të shumta në numër. Asgjë se frikësonte nga rreziku i Sulltanëve të frikshëm si Murati dhe Mehmeti, që me ushtritë e tyre të shumta vërshonin mbi shtetin e tij. Këta janë demostrime të një kuraje të lartë kundër çdo lloj frike, dhe i aftë për të ndërmarrë dhe për të guxuar çdo gjë. Duke e kundërshtuar turkun, duke mos e përfillur kurrë, duke e thyer edhe në kulmin e fuqisë morale: duke vazhduar një luftë të paepur me atë Fuqi, forca e të cilës dridhte Europën dhe gjithë Lindjen; kjo tregon, përveç një zemre të madhe, dhe një vizion, që kishte për aktualen dhe të ardhmen, që paralizonte dhe i bënte të padobishme mjetet e armikut, të gjithë forcën e atij ndërkohë, që asnjë Princ tjetër nuk mund t’i rezistonte. Fitorja kundër rebelit Amesa (Hamza Kastrioti, nip dhe sekretari i Skënderbeut, i cili e tradhëtoi Skënderbeun dhe luftoi me ushtrinë turke kundër xhaxhait të tij S. I.), shfaq në mënyrë të veçantë veprimtarinë e tij të mrekullueshme, dhe shkathtësinë për të drejtuar dhe udhëhequr deri në fund edhe projektet më të vështira luftarake. Të paktë janë gjeneralët që kanë ditur të përdornin mirë strategjitë si ai; dhe kjo është një nga rrethanat më të vlerësueshme të historisë së tij. Nuk ka zhgënjyer kurrë me të gjitha taktikat e tij ushtarake,qç kanë dalë të gjitha me sukses sipas vizionit e dëshirave të tij. Gjithashtu Princi i mbante ushtarët shumë pranë vetes në shërbim të tij, dhe kështu ata kishin besim të plotë në drejtimin e tij, nuk kishte asgjë që të mos besonte te ato dhe ato tek ai: kështuqë nuk kishte trupa më të stërvitur dhe më të disiplinuar se të atij. Sapo ai jepte shenjën për të hyrë në betejë, të gjithë viheshin në lëvizje me një shpejtësi maramendëse, të gjithë në një rregull të admirueshëm: ndërmjet ushtarëve dhe oficerëve nuk kishte dallim nga armatimi dhe në fund në mes të tërësisë dinte të aktivizonte atë pjesë, që mund të komandonte gjenerali më ekspert…Në shumë beteja ku ai merr pjesë personalisht, është gjithmonë aty ku lufta është më e zjarrtë, nuk u plagos kurrë nga armët e armikut, por u plagos në njërën shpatull dhe në një krah prej rënies nga kali. Gjithashtu për të ekzaminuar aksionet e tij, edhe ne duhet të pajtohemi me atë që ai kurrë nuk i është nënshtruar fatit dhe që mund të udhëhiqte me gjysmën e virtytetve: mirë maste forcat e tij, vështirësitë e betejave: dhe me shumë masa paraprake dhe shumë profesionalizëm parashikonte në detaje çdo veprim, pa i lënë asgjë në dorë rastësisë ose fatit. Ishte një shfaqje e shkëlqyer ta shikoje kur dilte i armatosur në krye të trupave të tij me atë frymën e kurajos, i qeshur, shkëlqente në pamje, në zë, në xheste, në sjellje, dhe frymëzonte ushtarët me sjelljen e tij ushtarake: dhe shumë më i shkëlqyer ishte spektakli kur luftonte, dhe futej mes ushtarëve turq me sytë si rrufeja, dhe me ashpërsi, … ku godiste, dhe udhëhiqte si një vetëtimë duke shkatërruar çdo gjë: ku shkonte: dhe në fund me forcë, dhe me autoritetin e tij i detyronte të sprapseshin ushtri të tëra turke.  Për këtë duhet thënë që mund të argumentohen arsye se përse një shtet i dobët si Shqipëria mundi të përballojë një fuqi të tillë, që sundonte pjesët më të mira të Azisë dhe të Europës, që nuk kishte mbretëri dhe perandori që mund t’i rezistonte. Iu dha një ushtrie një komandant me një kurajo të pacak, i vendosur, i sigurtë dhe me fuqi, që shtrihej në gjithçka, nga një përvojë të kalitur në përdorimin e armëve, që dinte në çdo rast të përfitonte nga përparësitë e tij. Më shumë nga shembulli i tij ushtarët mësojnë se çfarë duhet të bëjnë. Udhëheqjen e tij ata e miratojnë plotësisht dhe janë të bindur që fitorja nuk mund t’u mungojë atyre nëse ndjekin me përpikmëri urdhrat e tij: nuk do të ndodhë kurrë që këta luftëtarë t’i nënshtrohen mizorisë së armiqve. Edhe pse janë inferiorë në numër janë të mjaftueshëm për ta kthyer fitoren në favor të tyre. Prandaj një nga idetë më të qarta që rilevohet nga leximi i kësaj Historie është, që një njeri i vetëm vlen sa një ushtri e fuqishme; dhe fitimi i betejës më shumë përcaktohet nga dhuntitë e komandantit se sa një mori ushtarësh. Por këta nuk janë tjetër veçse vlerësimi i virtyteve të tij ushtarake, që duke i përmbledhur tregojnë një luftëtar të madh. Gjithashtu më i bukur është  imazhi i formuar prej virtyteve të tij morale, që formojnë vërtet meritat e Princit, dhe lumturia e vërtetë e këtyre popujve që prihen prej tyre arrijnë deri në përsosjen kristiane. Njerëzit e çdo shtrese shoqërore ishin të mirëpritur prej tij. Ata mbeteshin të kënaqur nga durimi dhe mirësia me të cilat i dëgjonte. Të gjitha faljet që mund të bënte pa qenë i detyruar nga të tjerët, dhe pa cënuar drejtësinë kishin përpikmëri të tillë, që ai ishte i kënaqur kur përfitonin edhe të tjerët. Ai u ofronte të tjerëve më shumë mundësi për të përfituar…  Ai kishte respekt shumë të madh për detyrat që kishte ndërmarrë dhe shqetësim të madh që asnjë të mos ankohej për fjalën e tij, dhe tregonte se nuk kishte gjë më të keqe se sa trillimi, dinakëria dhe gënjeshtra: dhe bindja e fisnikërisë së tij dhe sinqeriteti i sillnin jo pak gëzim. Pavarësisht kësaj, kishte lidhje të forta dhe ruante bashkimin e princave shqiptarë. Dhe kur u ngjit në fronin e të parëve të tij objekti kryesor i kujdesit të tij ishte të njihte talentet e personave si dhe shkallën e aftësive të tyre derisa t’i jepte çdonjërit pozicionin e tij, dhe t’i jepte një punë sipas meritave të tij, dhe të bënte që çdo gjë që ishte e mirë e vartësit e tij i aktivizonte për të mbrojtur publikun. Por një virtyt më i denjë, i admiruar, ishte mëshira, e cila ishte po aq heroike sa guximi i tij. Dënimi më i rëndë që arriti t’i japë Amesa e Stresso, si kriminelë dhe tradhëtarë, të ciëlt ishin të bindur për dënimin më të ashpër, ishte ajo e burgimit dhe në fund ua fali gjithë dënimin… Humanizmi i tij njihej edhe nga turqit. Ai nuk mund të lejonte që të burgosurit të keqtrajtoheshin me mënyra të ashpra dhe të tmerrshme, duke qenë i vendosur në zbatimin e ligjeve parimore dhe urdhëronte që në burgje asgjë të mos i kursehej turqve të dënuar në mënyrë që të mos kujtojnë ata që janë në duart e armikut. Një tjetër virtyt nga më të admirueshmit ishte mëshira, virtyt i rrallë ndër njerëzit e profesionit ushtarak… Virtyti i tij ishte edhe moderimi: mund të themi që Skënderbeu modeli më i arrirë i një luftëtari të dëlirë, ai ishte edukuar në qarqe të larta, ku kënaqësitë sensuale janë shumë të lira, në harkun e jetës së tij nuk ka shfaqur kurrë asnjë pasion dhe nuk ka joshur asnjë femër, gjithmonë është larguar nga çdo gjë që i zbuste shpirtin. Sipas shembullit të tij, sipas pastërtisë së jetës së tij u formuan edhe trupat ushtarake, te të cilët nuk shihej asnjë shenjë lakmie, asnjë shenjë zbutje, por nga çdonjëri zbatohej disiplina, çdonjëri kishte kostumin moral dhe ushtarak. Është gjithashtu për t’u mrekulluar që bekimi i Zotit ka shoqëruar armët e një Princi gjithashtu të mençur, të drejtë, të moderuar dhe që ka bërë të përparojë me shumë suksese dhe avantazhe: shqetësimi i Skënderbeut mund të jetë përllogaritur si një ndër ato shembuj, në të cilën Providenza ka zgjedhur të dobëtin (me numër të vogël ushtarësh – S. I.) për ta mposhtur më të fortin… Përfundojmë gjithashtu Historinë duke falenderuar Qiellin që në atë kohë ogurzezë i ka dhënë Krishtërimit një Njeri të Madh që me fitoret e tij mbante gjallë lavdinë dhe nderin e besimtarëve, uli krenarinë dhe mëndjemadhësinë e turqëve.

Përktheu: Sami Imami