Suplementi Pena Shqiptare/ Hyskë Borobojka: Disa kujtime për Lasgush Poradecin 

245
Sigal

Zogu i liqerit

Me vjersat e të Madhit Lasgush Poradeci jam njohur herët, qysh kur isha nxënës në Korçë. Bleva në librainë “Argus” “Vallen e yjeve”. Vjershat e tij më bënë aq për vete, sa gati i mësova përmendsh. Kur shkova për të vazhduar shkollën e mesme në Gjirokastër, mbeta i zhgënjyer, kur në orën e letërsisë, profesori na tha, se Lasgushi është që poet dekadent, që shkruan vjersha për vete e jo për popullin. Në vitin tjetër të shkollës, profesor i letërsisë erdhi Fejzi Dika, një shok i Poetit e njohës i mirë i veprës së tij. Në një bisedë jashtë orëve të mësimit, ai më shpalosi vargjet e pa përsëritshme të Lasgushit.. Ndosha i frymëzuar prej vjershave të tij për dashurinë, edhe unë si djalë i ri shkrova një vjershë “Dashuri krenare”, të cilën e dërgova për botim në gazetën “Letrari i ri”, që botohej në Tiranë nga Lidhja e Shkrimtarëve. Nuk kaloi shumë dhe lexoj në faqen e fundit të gazetës, në rubrikën “Posta e redaksisë”:

Shokut Gaqo Veshi, Gjimnazi “Asim Zeneli“ Gjirokastër.

Vjershën tuaj “Dashuri krenare” e morëm, por nuk mund ta botojmë. Ju humbisni frymën e Partisë në letërsi dhe jeni ndikuar nga një poet dekadent, siç është Lasgush Poradeci“.

Mbaj mend se në atë kohë kishte ardhur nga Tirana në Gjirokastër Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve, me nja dy a tre shkrimtarë të tjerë. Ata bënë një takim edhe me ne të rrethit letrar të gjimnazit. Unë mora guximin dhe e pyeta Sekretarin e Përgjithshëm për vjershat e Lasgushit, por mbeta i çuditur nga përgjigja që më dha: “Lasgush që mendjen na lasgushon!”, kjo është poezia e tij! – më tha.

Do të kalonin disa vite që ta njihja Poetin fizikisht. Kjo ndodhi  në vitet 60 në Pogradec, ku bashkë me mikun tim, shkrimtarin Sotir Andoni, dhe me estradën e Maliqit kishim vajtur për të dhënë shfaqje në këtë qytet. Aty, në “Turizmin e vjetër” Sotiri më prezantoi me një plak, veshur me një kostum të errët e të vjetër, me një republikë në kokë e me një bastun në dorë, që e shoqëronte një qen bardhosh i lezeçëm.

-I madhi zoti Llazar! (ai s’pranonte t’i thoshe shok) – më tha Sotiri.

Bëmë me të një shëtitje buzë liqenit. Me ne ishte edhe një aktore estrade, që recitonte bukur. Duke ecur, ajo recitoi me një zë të ëmbël, vjershën e tij “E mora shoqezën për krahu”. Poeti mbeti i ngazëllyer, duke vështruar valëzat lozonjare të gjolit. Sotiri e pyeti:

-Nga cila anë e gjolit e ke shkruar këtë perlë të letërsisë?

-Andej!

Dhe iku bregut të liqenit i shoqëruar nga qeni i tij, që e kishte pagëzuar “Cuci”, sikur donte t’i gjente vargjet e tij në valët lozonjare të liqenit.

Më vonë, kur shkova redaktor në revistën „Hosteni“ në vitet 70, Lasgushi vinte shpesh në redaksi, pasi kryeredaktorin e revistës, Niko Nikollën, që e donte dhe e respektonte shumë, e kishte patriot nga Pogradeci. Sa herë që vinte na tregonte ndodhi të ndryshme, si kishte bashkëpunuar me Tefta Tashkon, duke i bërë tekstet e këngëve, si “Fryn veriu në Mal të Thatë” e tjera. Një herë na tregoi me humor të lezeçëm, se si Instituti i Folklorit, donte t’ia merrte disa disqe të vjetër këngësh, sidomos ato të Tefta Tashkos. Lasgushi tregonte: “Ziniu (drejtori i Institut) me mustaqe si Stalini, më tha: “Na i jep disqet Lasgush!.”. “Pesë napolona flori copën, sa i kam blerë!”. “Ti kthejmë prapë! – më tha Ziniu, me mustaqe si të Stalinit”. “Jo, more- i thashë- Ti vjelish ti e pastaj t’i marr unë! Jo nuk t’i jap, mjaft më keni vjelë!”

Kisha lexuar që herët vjershën “Lasgush Poradecit’ shkruar nga Sejfulla Malëshova, ku midis të tjerave thoshte  për Poetin: “Dhe ato duar që prekën zëmbakun/ Që fërkuan një leshverdhë nër pyje,/ Do të prekin vetëm duar xhelati,/ Do të prekin vetëm kartë dhe flori!”

Në vitet 70 i kishim zyrat e “Hostenit” në katin e parë të Ministrisë të Industrisë. Një herë, siç vinte shpesh Lasgushi, e pyeta për historinë e kësaj vjershe shkruar nga Sejfullai, ai u revoltua e më tha:

-Ja këtu në këtë sallë të madhe e kishte zyrën Sejfullai më 1945, kur ishte Ministër i Kulturës!

Zgjati shkopin e tregoi një tavolinë në ballë të sallës, ku punonte njëri nga redaktorët e revistës, dhe vazhdoi:

-Aty ishte Sejfullai, unë i kisha kërkuar takim. Ai më priti. Sa hyra në zyrë i bërtita: “Sejfulla! Cilit mbret bejlerësh i kam kënduar?! Kujt ia kam shitur ndjenjat e njoma?! Sa para kartë e flori kam marrë dhe cilat duar xhelati kam prekur!?“ Sejfullai kishte ulur kokën në tavolinë e nuk ktheu asnjë përgjigje.

Një ditë tjetër erdhi i revoltuar me një gazetë “Drita në duar, e na tha:

-Më kanë qethur shumë vargje, si xhelatët, këta të “Dritës” në poemën time për Muharrem Çollakun dhe na recitoi këtë vjershë:

Redaktorët tru kokallë,

                                    redaktojnë vjershëtorët.

                                    Pa më thoni, cilët vallë,

                                    redaktojnë redaktorët?!

                                                Redaktorët zemërpisë,

                                                fyes të poezisë.

                                                Shpirtkatran që më qortojnë,

                                                janë qenë që s’më kafshojnë!

Kështu jemi ne redaktorët, – i thashë me të qeshur, -Mos u mërzit se më shumë shqepim se qepim!

Lasgushi në dimër rrinte në Tiranë e në verë në Pogradec, në “kullën’ (si e quante ai) me tre kate. Ne katin e tretë të saj ishte një odë e vogël fare, „studioja“, ku punonte Poeti. Në katin e dytë një „odiçkë“. Për t’u ngjitur në „kullën“ e tij duhet të tregoje kujdes se mund të rrëzoheshe nga shkallët e larta e të ngushta. Kur vije në „kullën“ e tij, kishe të bëje me një enciklopedi të gjallë, që tregonte për ngjarje, letërsi, filozofi, madje edhe për vizatime, që nga vitet e shkollës e deri në pleqëri., ngjarje që shpesh i rrëfente me një humor të hollë.

-Ne vitin 1954, – më tha njëherë, – sipas urdhërit të Bedri Spahiut, Ministër i Arsimit dhe i Kulturës në atë kohë, bëra lutje për të dalë në pension.

-Dhe dole, zoti Llazar? – e pyeta.

-Bedriu hyri në burg dhe Lasgushi nuk doli në pension!

Një ndodhi në„odiçkën“ e katit të dytë të „kullës“, duke ngrënë bukë. Kishte përpara një copë sallam e disa rrotullamka kungulleshkash. Si më ftoi të ulesha me të, më tha:

-Është sallam i keq prej mbeturinave të damarëve të mishit të derrit. Këtë sallam e blenë fukarenjtë që janë në vështirësi ekonomike. Kurse këto kungulleshkat janë thekur me vaj kikiriku, jo me vaj ulliri, se kikiriku është më i lirë, por ka një erë të papëlqyer e të pa duruar. Por unë jam mësuar në tërë jetën time, që kam mbetur pa baba, që kur isha 16 vjeç e duroj dhe erën e kikirikut.