Suplementi Pena Shqiptare/ Fulvia Shtëpani: Romano « Mëkati Justinës » i Luan Ramës

61
Sigal

Oscar wilde thotë: “Misteri i vërtetë i botës nuk qëndron në të padukshmen, por në të dukshmen…

Pikërisht tek kjo e dukshme ordinere për shumicën, po ndjellëse e magjike për Luanin, ai ndërton narracionet e tij filmike, me një lloj ngjizje metafizike brenda vetes sikur të kishte jetuar disa jetë.

Në formimin e tij arketipal, si dhe në të gjithë krijimtarinë e tij, qoftë kjo poezi apo prozë, është tharmi lirik ai që grish tisin narratorologjik e ndërton skeletin e tij fabular.

Shkrimi në shumë raste ngjan me një pikturë, ku autori sikur ndien që lexuesit i duhet shprehur në një mënyrë të tillë për të parafytyruar me kthjelltësi atë që ka parë vete.

Si gjithmonë, Luan Rama vjen në libër me kulturë historike dhe letrare, me ndjesi refleksive, me njohje e vizion të çdo detaji të përshkruar.

Narracioni lundron përmes tensionesh të ankthshme, të zëshme e të pazëshme, në të cilat artikulohet i qartë dhe elegant mesazhi i dashurisë për jetën.

Eshtë kjo dashuri që e bën autorin të na sjellë natyrshëm fuqinë e fjalës, të pamjes, të figurës, duke zbuluar njëkohësisht kuptimin dhe absurdin e mozaikut tonë njerëzor në plotëninë e vet, në hapësirën dhe kohën e relievit shpirtëror dhe fizik të saj.

Në këtë roman nuk e ndjen veten kurrë vetëm. Ai i ngjan jehonës, e cila rikthehet mbas një klithme e amplifikuar, duke krijuar jashtë nesh një imazh lëvizor që na ndjek si hije frymëmarrëse nga ankthi për fatin e Justinës, të cilën fillojmë ta duam marrëzisht, po aq sa autori, që në faqet e para të rrëfimit.

Luani Rama është ndër ata krijues ku miksohet tradita me modernitetin. Ky modernitet, do të gjejë shprehjen e vet, veçanërisht në zbulimin multidimensional të psiqikës dhe shpirtit të njeriut, duke e parë atë në mënyrë komplekse, ku gërshetohen racionalja dhe irracionalja, të njohurat dhe misteret, ana sociale dhe biologjike e njeriut.

Origjinalitéti i autorit spikat në aftësine për të krijuar suspensë pikërisht në pikën ku prodhohet « kuptimi në të pakuptimtën ».

Në misterin e kësaj të « pakuptimte », autori na udhëheq në një lloj hipnoze konstruktive, ku duke na prezantuar në detaje thjesht një gur të rëndomte, që i përket mureve të kullës së mallkuar, na bën të rindërtojmë në imagjinacionin tonë imazhin e saj të plotë.

Në roman misteri nuk qëndron në « padeshifrueshmërinë » e fjalëve apo figurave të përdorura, por në tisin me të cilin atmosfera e tyre mbështjell lexuesin.

Duke u zhytur në skutat e të gjithë thellësive të mundshme e të pamundshme të jetës së personazhzve të tij, autori zbulon dhe vë në dukje gjatë kompozimit, gjithë gamën e ndjesive humane të përveçme; si të dashurisë që thyhet në filizë, të kohës që ndëshkon ëndrrën, të botës ku përtejfjala bëhet gijotinë e copton zemrën, ku shikimi meskin që dënon pafajësinë…

Pamjet e përshkruara shpalosin para syve tanë një botë sa racionale aq edhe iracionale, ku ngjarjet janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njera-tjetrën, ku fati i personazheve që magnetizon dhe elektrizon gjithçka duket sikur është i varur në fillin e flijimit fetar, i cili drejtohet nga një proces krejtësisht absurd (shembull i eklipsit të diellit…).

Teksti është në vetvete një lloj metafore me një befasim tronditës (demi që turfullon si i tërbuar, zogjtë e vdekur, etj…).

 

Në aurën mistike të rrëfimit gjithçka është ndryshe, madje sikur ajo udhëhiqet nga ligje të tjera, të çuditshme, ose ku nuk ka kurrfarë ligjesh.

Në këtë « jashtëbotësi », jeta përkufizohet si një spektakël grotesk. Heroina (Justina) me vezullimin e saj magjik dhe lartësinë e saj shpirtërore të duket sikur i përket përjetësisë.

Me personifikimin e bukurisë dhe me naivitetin e saj fëmijëror, megjithëse është kundra çdo lufte barbare e antinjerëzore, është e gatshme për të vdekur (do shkoj të takoj atin tem… ), por njëkohësisht e gatshme për të jetuar e për t’u kujdesur për vajzën e saj të vogël, Mrikën).

Në roman Zoti « tokësor » është një protagonist i mishëruar ligësisht në figurën e priftit, një personazh përkundur në djepin e krimit, që ngjan me një qenie të çfytyruar përtejkohës e përtej hapësirës.

Krimi endet mes njerëzve (kënga e korbit që ndjell zi…) duke i ngujosur ata shumë larg përjetimit të gjërave më të bukura të jetës.

Ky llloj mospërjetimi është gjithashtu një krim. Autori duke njohur mirë dy dimensionet e ngjarjeve, ato toksorë, real, dhe ato transhëndental, (perëndi, fe, univers…), përpiqet të zbulojë raporte të reja të njeriut me kohën, me hapësirën, me faktet dramatike të jetës, të vdekjes, apo të eposit të të « paguxueshmes ».

Mesazhi që përcjell libri është njëkohësisht sa i thjeshtë aq edhe kompleks, sa human dhe aq mitik. « Pa mite çdo kulturë humbet pjellorinë e shëndetshme të energjisë së vet të lindur, vetëm një horizont i përvijuar nga miti mund të sigurojë unitetin e qytetërimit të gjallë, që ai mbyll brenda » (F.Nietzsche, 1872).

Të jesh «njeri», apo të bëhesh njeri, ja ku ndodhet miti më i madh i të gjithë kohërave.

Në fshatin Qershizë, ku zhvillohen ngjarjet, lufta vërtetë kishte mbaruar, por paqja që mbretëronte ishte edhe më dinake dhe e vështirë se lufta për banorët e tij..

Libri ka fragmente që të trondisin, sidomos në faqet e tij të fundit, që kurorëzohen me ekzekutimin makabër të protagonistes kryesore, Justinës.

I vetmi krim që shpirti i saj i pastër kishtë bërë, ishte bukuria e saj fizike, kjo « dhuratë e të madhit zot » për të cilën ajo lutej ditë-natë që mos ta kishte më.

Në disa rrethana të caktuara apo shtresa të realitetit që ekzistojnë njëkohësisht, njeriu në limitin e fundit të tij, alienohet, dorëzohet nga të qënit human dhe kalon deri në zbatimin e instiktit kafshëror. Gjurmët e civilizimit mijëra vjeçar që ne kujtojmë se i kemi brënda vetes (empatia, dija, kodet etike, sofistikimi…), zhduken sa hap e mbyll sytë (skena tragjike e djegies gjallë të Justinës dëshmon më së miri për këtë)…