Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Dy fjalë për poezitë e vlonjatit Kujtim Murataj

877
Sigal

Çdo ditë mëngjezeve në Skelë në kafenenë me emrin e çuditshëm ‘’Da Capo’’ do të gjesh poetin Kujtim Murataj të shoqëruar  nga shoku i tij, shkrimtari i talentuar Astrit Xhaferraj, ndoshta i vetmi që i ka bërë pemët e lulet të flasin me gjuhën njërëzore; me  ish-futbollistin Koto Zilja, shokun e tij qysh në rininë e hershme, me një ëndër të madhe të përbashkët për tu bërë fubollistë të njohur. Shokë të tjerë të Skelës së tij të dashur si Lad Daupi, Vilson Haskaj, Ruhi Xhani, Niko Gajo, Nasip Imeraj, Fadil Iljazi, Etem Kurti etj.  tashmë të thinjur, por jo të kërrusur, me shpirt të gjerë, të thellë e të pastër si deti pranë të cilit janë lindur e rritur, ulen e pijnë kafe me të, duke kujtuar plot mall e nostalgji vitet e kaluara. Kujtimi nuk ia doli të bëhej futbollist ashtu si kishte ëndërruar megjithëse talenti i tij spikaste mbi të gjithë moshatarët. I vënë në shënjestër nga diktatura u dënua si armik  dhe pasardhës i një fisi ‘’të deklasuar’’ thënë me gjuhën e komunistëve. Në librin e tij me poezi, nën me titullin ‘’Pa emër,’’ ai do të shprehet plot trishtim për këtë çast të jetës së tij:

Pa nisur fluturimin/ Më prenë krahët/ Madje mi shkulën fare/ Pa nisur këngën/ Më prenë gjuhën.

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Fatos  Lubonja do të shkruante midis të tjerash në parathënien e librit: ‘’… Poezitë e Kujtim Muratajt janë poezitë e shpresave të vrara, që prapë rilindin, e të dashurisë, që kthehet e rikthehet si melhem të zbusë dhimbjen dhe zhgënjimin.’’

Atje në burgjet e errëta e të shurdhëta të diktaturës ku vuajtja dhe vdekja ishte e pranishme çdo ditë, e vetmja rreze shprese për të burgosurit ishte bota e librave dhe mendimi, se liria nuk mund të burgoset përjetësisht. Lindi apo u bë poet Kujtim Murataj atje në burgun e diktaturës? Te poezia ‘’Udha’’ lexon: E gjeta dritën/ Atje ku terri, më thoshte vdis./ Dhe papritur, shkrova vargun e parë/  Në muret e qelisë… Shumë e ndjerë është poezia ‘’Katër stinët’’. Ndërsa ato ndërrohen rregullisht me të gjitha bukuritë dhe ngjyrat e tyre, në ferrin-burg, qorr e shurdh ka vuajtje, mjerim, koha ka ndalur dhe asgjë nuk ndryshon. Stina e vjeshtës jepet me vargjet: Në ferrin-burg të diktaturës/ Do më gjente nënë dhunë/ Të gozhduar në kryqin e atdheut/Megjithëse Jezusi nuk isha unë. Sigurisht që Kujtimi dhe gjithë të dënuarit politikë nga diktatura e proletariatit nuk ishin shenjtorë, por qëndresa që ata i bënë diktaturës dhe ruajtja e vlerave njerëzore e shenjtëruan Kujtimin dhe ata qindra heronjë të tjerë si ai. Si të tjerë poetë e shkrimtarë të ‘’Letërsisë së Burgut’’ Kujtim Murataj, do të dëshmojë për atë që ngjau. Etja për të thënë të vërtetën, nevoja uluritëse për tu kujtuar njerëzve gjëmën që kaluan, për të mësuar të vërtetën e bëjnë të ngrerë gishtin tregues dhe të sokëllijë me vetëm katër vargje monumentalë: Në luftë vranë dhe zotin/Për të vënë në krye një djall/Dhe në paqe hapën tunele/Për ata që mbetën gjallë. Kjo është sipas poetit historia dyzet vjeçare e diktaturës komuniste në Shqipëri. Kujtim Murataj beson se e vërteta nuk mund të mposhtet sado thellë ta zhysin. Ky besim, dëshira për jetën dhe ndoshta fati, bënë që nga burgu ai të dilte gjallë. Nga dashuritë e tij që e mbajtën shpirtën e tij të pamposhtur dhe bënë të shihte dritë në fundin e tunelit ishte dhe qyteti i tij i lindjes, Vlora. Dëshira për më shumë liri i është mëkuar nga historia e qytetit të tij, që në çaste vendimtare është shndërruar në një Mekë për shqiptarët. Ai i drejtohet Vlorës qytetit të tij të dashur pa asnjë pendesë dhe gjithë mirënjohje: Mora nervin tënd qytet rebel/Po ashtu ca ëndërra të zhbëra/Por mostra më plasi në Burrel/Ngaqë kërkoja rrugë më të gjera. Një  ditë pavarësisht vuajtjeve ai do të kthehet në qytetin e tij: Do të kthehem pa pyetur kënd/Dhe si skifter do të vij në agim/Të falem fort para altarit tënd/Se ti je bërë/ Meka e vendit tim. Pas daljes nga burgu në liri, poeti në realitetin shqiptar nuk gjeti atë që mendonte. Ashtu si mijëra të tjerë, që pas përmbysjes së diktaturës  ëndërronin për një atdhe, ku njerëzit të ishin të barabartë para ligjit dhe e vërteta të kishte më shumë vend, shprehet i zhgënjyer: Dhe duke kërkuar njerinë e drejtë/ Do gjeja mjerisht vetëm maska… Kjo e trondit aq shumë njeriun e mirë Kujtim Murataj, sa me gjithë forcën kërkon të ruaj shpirtin dhe virtytet, që nuk u ndotën as në burgjet e tmerrshme të diktaturës. Ka shumë trishtim dhe forcë në dy vargjet vazhdues: … Sakaq u futa brenda vetes/ Për të nxjerrë djajtë e mi përjashta. Në jetë mund njeriu mund të ndodhet para sfidave, të papriturave dhe situatave absurde, por ai duhet të zgjedhë i patundur rrugën e tij të jetës: Ndodh të humbasësh dhe të jesh i fituar/Ndodh të fitosh/ Dhe të jesh i humbur/ Ndodh të vritesh/ Dhe të mbetesh  gjallë/Ndodh të jetosh/ Dhe të jesh i vdekur.    Janë shumë të ndjerë vargjet e dashurisë. Atje në errësirën e burgut, duke soditur qiellin e paanë ëndërron e ëndërron  për një vajzë yll, e shpreson që ndjenjat e saj të mos shuhen: Shpesh yjet rrinë kokë më kokë/Ndofta është çasti kur thonë të dua/Ndërsa një yllkë ndodhet në tokë/Dhe gjithë kohën ndriçon për mua.   Në poezinë ‘’Amadës’’ kushtuar vajzës së tij  ai dëshiron që jeta e saj të jetë e lumtur. Madje nuk do që ta lëndojë me kujtimet e tij për jetën e kaluar në burgjet e diktaturës dhe i lutet të mos i kërkojë të flasë për jetën e tij  skëterrë…Nuk dua të shohësh madje kurrë/Nëpër honë bishash/ Poetët e vrarë… Jeta vazhdon me gjithë hallet e dertet e kaluara por tashmë: Ndërsa ti bijë/ do të jesh përherë /Një fashë dritë/ Që ke hyrë te unë. Ia vlen që këto shënime për librin e Kujtim Mutratajt të mbyllen me fjalët e vajzës së tij Ornelës, me dedikimin kushtuar të atit, pas botimit të këtij vëllimi me poezi: ‘’Të falënderoj baba që forca jote e hekurt i rezistoi kohës! Sepse ti kurrë nuk ke dashur të përcjellësh te ne rininë tënde të pa frymë, pa liri dhe pa dritë! Të falënderoj baba për modelin dhe aspiratat që më ke dhenë në jetë… Unë e kam pasur një hero në jetën time…’’Për shembuj e heronjë të tillë ku virtytet dhe vlerat njerëzore bjerren çdo ditë ka nevojë rinia e sotme. Të gjithë ata që do të vinë  kanë nevojë për poezi të tilla, veçanërisht nga shkrimtarët e ‘’Letërsisë së Burgut’’,  që të mos humbin rrugën dhe të mos përsëritet historia.

                   Dimër                    

Rrezet sot nuk po na ngrihin

Dhe krahët ka shtrirë shqota

Kanë nisur zogjtë e këndojnë

Nëpër hapësira më të ngrohta.

*

Ky dimër qenka i marrosur

Sikurse është kjo jetë e tharë.

Dhe këto re që s’kanë të sosur

Ndoshta qajnë poetët e vrarë.

 

           Këmbana

Bjeri këmbanës madje fort

Edhe sikur bota të bëhet shkrumb

S’do hiqemi zvarrë deri në mort

Sikur ca kavje në bodrum

*

Sa turp është që s’dimë të vdesim

Kur jeta është një neveri

Ka ardhur ora prangat t’i presim

Dhe xhelatët të japin llogari.