S’kam fuqi më as të trishtohem!
Jemi anije pa spirancë;
mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin.
Më jepni ju një copë ironie,
se nuk e gjej dot në veten time,-
një copëz ironie,
sa gjysmëz e krahut të zogut,
të mbrohem nga shirat e verdhë
të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë.
Tani gjithë dritaret e shpirtit
janë hapur, bymyer e kalbur
nga shirat e lotëve,-
dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë!






















