Shqipëria nën ujë, politikanët show me çizme në facebook

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetim kryesisht pas situatës së rëndë të krijuar nga reshjet e dy ditëve të fundit, ku qyteti dhe zonat përreth u përmbytën, ndërsa një 54 vjeçar humbi jetën. Flasin ekspertët: Kur argjinaturat çahen, kanalet mbulohen nga ndërtimet, përrenjtë dalin nga shtrati, lumenjtë ngushtohen nga betonizimi, kanalet  mbingarkohen që në minutat e para, dhe rrugët përmbyten faji është i motit të keqë por i atyre që kanë injoruar rrezikun hidrologjik 

Shqipëria nga jugu në veri nën ujë, politikanët show me çizme në rrjetet sociale

Sigal

Shqipëria është zhytur nën reshje të dendura shiu dhe një valë përmbytjesh që ka prekur pothuajse çdo qark të vendit. Shtëpi nën ujë, toka të dëmtuara, qindra njerëz të evakuuar dhe rrugë të pakalueshme janë realiteti i përditshëm i mijëra qytetarëve.Ndërsa situata në terren është e zymtë dhe dramatike, rrjetet sociale kanë shpërthyer me një fenomen tjetër po aq të fortë sa reshjet: politikanët me çizme, xhupa dhe foto për rrjetet sociale.Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, në një postim publik, këshilloi qytetarët të shmangnin lëvizjet e panevojshme. Mes këshillave “qëndroni në shtëpi” vlen të kujtohet se është mesjavë, njerëzit punojnë, fëmijët shkojnë në shkollë, dhe jeta nuk ndalon.Ndërkohë, disa prej përfaqësuesve të qeverisë kanë zgjedhur versionin klasik të emergjencave: çizmet e larta, terreni dhe pozat heroike.Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari vizitoi burgun e Durrësit  kati i parë i të cilit u përmbyt ndërsa pamjet e “ndihmave” të ministrit për të burgosurit nuk munguan.Në Shkodër, prefektja Holta Duda është në terren në Obot, zonë ku përmbytjet janë bërë pjesë e jetës sezonale.Por partia demokratike nuk ka mbetur pas. Pas show-t të deputetit Josa Hysaj me çizme dhe uniformë kamuflazhi, stafeta e pozimeve në baltë kaloi tek Klevis Balliu.

Shqipëria në pushtetin e shiut dhe dëborës, situatë problematike në 6 qarqe

Prej 4 ditësh, në shumë zona Shqipëria vijon të jetë e përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.

Në disa zona të Elbasanit si dhe në veri, shiu i ka lënë reshje dëborës, e cila ka shkaktuar vështirësi në qarkullim në shumë akse.

Në Vlorë, niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë.

Në Shkodër ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë. 15 banesa janë të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.

Në Lezhë rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Është bërë evakuimi i dy familjeve, rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll, rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.

Në Durrës, një nga zonat më të prekura, po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale; disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.

Në Krujë si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.

Në Shijak ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.

Në Gjirokastër, si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar; po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore; ka nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.

Po ashtu, ka rritje të niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.

Në Korçë ka disa rrugë të pakalueshme në Devoll si dhe janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas. Në Maliq ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.

Rreth 95 ha tokë bujqësore nën ujë në Berat. Ëshë evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum. Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.

Rreth 200 ha tokë bujqësore e përmbytur në Fier. Ka prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra; në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.

Përmbytjet në Durrës vënë në lëvizje prokurorinë, nisin hetimet për afera nga strukturat; në lupë edhe tenderi për Hidrovorin

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetim kryesisht pas situatës së rëndë të krijuar nga reshjet e dy ditëve të fundit, ku qyteti dhe zonat përreth u përmbytën, ndërsa një 54 vjeçar humbi jetën. Organi i akuzës po heton dyshimet se përmbytjet masive, me rreth 250 hektarë tokë nën ujë dhe mbi 1.000 familje të dëmtuara, lidhen drejtpërdrejt me mosfunksionimin e Hidrovorit.

Hetimi përfshin veprat penale “shkatërrim i pronës me përmbytje”, “shkatërrim i pronës nga pakujdesia”, si dhe “shpërdorim i detyrës”. Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se persona me funksione publike kanë kryer veprime ose mosveprime që kanë sjellë pasoja të rënda në pronën publike dhe private, si dhe humbjen e jetës së një qytetari.

Në qendër të vëmendjes është edhe tenderi për ndërtimin e Hidrovorit të ri, me vlerë 19 milionë euro, i fituar nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe Vëllezërit Hysa. Kompania Adriatik zotërohet 50 për qind nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizimeve.

Sipas të dhënave të Open Data, kompania 2T zotërohet 20 për qind nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë Tepelenë dhe ish drejtues i Gardës së Republikës. Këto lidhje kanë ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës.

Nga hetimet paraprake rezulton se vdekja e shtetasit A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, dyshohet të ketë ardhur si pasojë e rrjedhjes së fortë të ujit. Ai kishte shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet. Prokuroria po verifikon përgjegjësitë e strukturave që kishin për detyrë mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e emergjencës, ndërsa dosja pritet të zgjerohet me emra konkretë në ditët në vijim.

Shqipëria nën ‘pushtetin’ e ujit: 1 i vdekur në Durrës, situatë e rënduar në të gjithë vendin

Përmbytjet e këtyre ditëve, nuk janë një surprizë meteorologjike. Ato janë një provë stresuese për një shtet që prej vitesh e di se nuk është gati. Instituti i Gjeoshkencave paralajmëroi me kohë reshje intensive, prurje të larta në Drin-Bunë, Mat, Shkumbin dhe Vjosë, si dhe rrezik të shtuar për përmbytje në qarqe kyçe si Vlora, Durrësi, Shkodra, Lezha dhe Fieri. Paralajmërimi ishte teknik, i qartë dhe publik. Reagimi institucional ishte, si zakonisht, i vonuar dhe i fragmentar.

Në Durrës ranë 44.6 mm shi në 24 orë, me intensitet ekstrem prej 23 mm në vetëm 15 minuta. Shifra të larta, por jo të paprecedenta. Vetë meteorologët kujtojnë se qyteti ka përballuar në të kaluarën deri në 180 mm shi në 24 orë. Problemi nuk është sasia e reshjeve, por mungesa kronike e kanaleve kulluese funksionale dhe një sistem urban që nuk e përballon më asnjë stuhi mesatare.

Pasojat u panë menjëherë: rreth 800 banesa dhe objekte u përmbytën në Durrës, qindra persona u evakuuan, ndërsa rrugët kryesore u kthyen në kanale uji. Në Shkodër dhe Lezhë u përmbytën mijëra hektarë tokë bujqësore, uji rrethoi banesa dhe rrëshqitjet e dherave bllokuan akse të rëndësishme. Në Vlorë, Vjosa kaloi kuotën kritike, përmbyti qindra hektarë tokë dhe përmbyti dhjetëra shtëpi, duke detyruar evakuime për njerëzit dhe bagëtitë. Në Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Dibër u përsërit i njëjti skenar: ujë, izolim, ndërprerje energjie, dëme materiale.

Institucionet reaguan me Forcat e Armatosura, policinë, pompat, borëpastrueset dhe thirrjet për kujdes. Një reagim i domosdoshëm, por gjithmonë pas faktit. Ajo që mungon nuk është angazhimi emergjent, por parandalimi afatgjatë. Shqipëria nuk përmbytet sepse bie shi, por sepse infrastruktura urbane dhe rurale nuk është projektuar, mirëmbajtur dhe mbrojtur për realitetin klimatik që tashmë dihet.

Argjinaturat çahen, kanalet mbulohen nga ndërtimet, përrenjtë dalin nga shtrati, lumenjtë ngushtohen nga betonizimi, ndërsa rrjetet e kanalizimeve mbingarkohen që në minutat e para të reshjeve intensive. Këto nuk janë pasoja të motit ekstrem, por të planifikimit të dobët, të investimeve të copëzuara dhe të një modeli zhvillimi që ka injoruar rrezikun hidrologjik.

Viktima e Durrësit, e gjetur e mbytur në një kanal kullues, është kujtesa më e rëndë se përmbytjet nuk janë thjesht problem ekonomik apo estetik. Janë çështje jete. Dhe çdo herë që përmbytjet përsëriten, bëhet më e qartë se problemi nuk është mungesa e parashikimit, por mungesa e përgjegjësisë.

Reshjet do të vazhdojnë. Prurjet do të përsëriten. Pyetja është nëse shteti do të sillet ende sikur këto janë “ngjarje të paparashikueshme”, apo do të pranojë se përmbytjet në Shqipëri janë tashmë një dështim i strukturuar i qeverisjes publike.

124 milionë euro grante të tjera nga ËBIF për Durrësin e Lezhën, por të dyja qytetet lundrojnë në ujë

Shqipëria ka siguruar së fundmi një nga paketat më të mëdha të financimit evropian për sektorin e mjedisit, ku përfshihen 124 milionë euro grante nga Ëestern Balkans Investiment Frameëork (ËBIF), të destinuara për projekte infrastrukturore në Durrës, Lezhë e Sarandë. Vendimi përfshin zgjerimin e Impianteve të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Lezhë dhe Sarandë, si edhe përmirësimin e Impiantit të Durrësit, të shoqëruar me rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve në zonën historike të qytetit.

Sipas njoftimit të SASPAC(Agjencia Shtetërore e Programimit Strategji dhe Koordinimit të Ndihmës), zgjerimi dhe modernizimi i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Lezhë, Sarandë dhe Durrës pritet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e ndotjes urbane dhe të ulë presionin mbi ekosistemet bregdetare dhe ujore, veçanërisht në qytete me flukse të larta turistike. Rehabilitimi i sistemit të kanalizimeve në zonën historike të Durrësit synon gjithashtu mbrojtjen e trashëgimisë urbane dhe përmirësimin e shërbimeve bazë për banorët dhe vizitorët.

Ndërkohë, realiteti në terren vijon të tregojë një kontrast të fortë mes fondeve të akorduara dhe efikasitetit të investimeve. Përmbytjet e përsëritura, në këtë rast në Durrës dhe Lezhë, edhe pas reshjeve të fundit, kanë nxjerrë sërish në pah një problem strukturor: mungesën e një qasjeje të integruar dhe efektive në planifikimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës urbane dhe mjedisore.

Në këtë kontekst, sfida për Durrësin, Lezhën dhe bashkitë e tjera nuk është më sigurimi i fondeve – pasi ato tashmë ekzistojnë – por transformimi i këtyre investimeve në infrastrukturë funksionale, të qëndrueshme dhe të integruar me zhvillimin urban. Përndryshe, përmbytjet do të vijojnë të jenë simboli më i dukshëm i një hendeku të thellë mes financimeve të disponueshme dhe rezultateve reale për qytetarët.

 

Ministri Gonxhja: Monitorim i vazhdueshëm për mbrojtjen e pasurive kulturore

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor me prioritet, mbrojtjen e pasurive kulturore.

Gonxhja thekson se në qarkun e Shkodrës dhe zonat përreth reshjet kanë vazhduar, ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës.

“Në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor. Në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës. Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit.

Në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.

Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim.Monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm”.

 

Ministri Salla: Qeveria në ndihmë të banorëve

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla zhvilloi këtë të enjte një takim me Shtabin e Emergjencave Civile, ku u analizua situata e krijuar nga përmbytjet, kryesisht në bashkitë Lezhë dhe Kurbin. Gjatë mbledhjes ishin të pranishme strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave.

Salla tha se situata është nën kontroll, ndërsa theksoi se qeveria do të ofrojë mbështetje për banorët e prekur nga përmbytjet. Sipas tij, strukturat përkatëse vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe për ndërhyrje të menjëhershme në rast nevoje.

Balluku në Novoselë: Po përgatitet një paketë dëmshpërblimi për familjet dhe bizneset e prekura

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka shkuar në Novoselë të Vlorës për të parë nga afër problematikat e shkaktuara nga përmbytjet. Balluku bëri të ditur se po përgatitet një paketë dëmshpërblimi për familjet dhe bizneset e prekura nga situata e krijuar si pasojë e motit të keq.

Balluku njoftoi se nesër në orën 08:30 do të zhvillohet një mbledhje e Komitetit Ndërqeveritar të Emergjencave, ku do të ketë edhe një adresim nga Kryeministri, jo vetëm për zgjidhjen e situatës, por edhe për procesin e dëmshpërblimit, i cili është thelbësor për familjet dhe bizneset e prekura.

“Kryeministri së bashku me ministrin e Financave, janë duke projektuar një paketë e cila do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore ashtu dhe për banesat. Nesër në 08:30 do ketë një mbledhje të Komitetit të Emergjencave Ndërqeveritare, ku do të bëhet edhe një adresim i kryeministrit jo vetëm për zgjidhjen e situatës, por edhe dëmshpërblimet që janë të rëndësishme për familjet dhe bizneset e prekura.

Sistemi energjetik ka parformuar maksimalisht, pavarësisht kushteve atmosferike shumë të vështira. Nuk kemi pasur ndërprerje të gjatë, por kanë qenë momentale. Në 24 orët e ardhshme presim erëra të fuqishme”, tha Balluku.