“Kukësi në rrethim”, Basha: Rama të tërheqë forcat speciale

620
Pas mbledhjes me aleatët, kreu i PD-së Lulzim Basha, i bëri thirrje kreut të qeverisë, që të largojë forcat policore që kanë rrethur Kukësin.
“Dënojmë dhunën barbare kundër protestuesve. Rama të largojë menjëherë forcat policore që kanë rrethuar Kukësin. Shqiptarët të mos gënjehen nga kryeministri i paskrupullt që i ka futur në varfëri këto 5 vite, Të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha Basha.
Të pranishëm në takimin që u mbajt në selinë blu, ishin kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili, deputetja Klajda Gjosha, kreu i PR-së Fatmir Mediu si dhe deputetë dhe ish-deputetë të PD-së.
Lidhur me taksën për kalimin e rrugës, në emër të opozitës, Lulzim Basha tha se Rama duhet ta pezullojë plotësisht atë.
Reagimi i opozitës erdhi pas deklaratës së sotme të kryeministri Edi Rama. Kryeministri Edi Rama foli për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit. Rama foli për kazan polik që e përdori këtë protestë ndërsa tha se për të gjithë banorët e zonës do ketë abone me çmime të reduktuara. Rama iu përgjigj edhe ftesës së kryetarit të Bashkisë së Kukësit për të biseduar dhe do e takojë atë të hënën.
“Me qytetarët që e kundërshtojnë se është e lartë do sillemi siç na e do vizioni. Do bashkëbisedojmë, do dëgjojmë me vëmendje e do shpjegojmë me durim të gjitha të drejtat e shtrembëruara prej gënjeshtarëve dhe sharlatanëve të kazanit politik e mediatik”, tha ai.
Gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit do marrin përgjigjen qershorin e ardhshëm, tha ai, duke u shprehur se është opozita ajo që qëndron pas ngjarjes së Kukësit.
“As populli i krejt Shqipërisë, as populli i vetë Kukësit, nuk ka asnjë lidhje me këtë shfaqje të ulët vandalizmi dhe asnjë lidhje me dëshpërimin tuaj agresiv. Dhe përgjigjen prej Kukësit dhe gjithë Shqipërisë gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit që tërheq zvarrë opozitën do e marrë qershorin e ardhshëm, pa diskutim dhe më shembulloren se sa e morën qershorin e shkuar. Të tërë bashkë mbledhur në kazanin politik me votat e zakonshëm të këtij vendi, këta nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveç asaj që kanë bërë gjithnjë të tallen me pakicën për të nxitur rrëmuja e zjarr ndezje e për të bërë e hapur gropa në çdo fushë të jetës shqiptare sa herë janë në pushtet. Këtë të vërtetë të hidhur për ata e di mirë shumica dërrmuese e shqiptarëve të arsyeshëm që vetëm rritet në numër dhe në vetëdije se Shqipëria që duam nuk bëhet dot as me përralla, me gënjeshtra, logje Parlamenti po me reforma të thella, nganjëherë të dhimbshme, me durim e sakrifica. Fati i politikës mizerabël të përrallave dhe shkatërrimi me benzinë në gojë e çizme në dorë është i shkruar dhe mbetet vetëm ta lexojmë deri në fund. Kukësi nuk mund e nuk do të kthehet kurrë në mish për zjarrin që duan të ndezin kartat e djegura të politikës së Tiranës”, tha Rama.
Sigal