Suplementi Pena Shqiptare/ Fabula, Besnik Caka

470
Sigal

“Komplot”

 

Ç’e gjet’ dhinë: Ngado të shkojë,

Pas, si bisht, një paranojë…

 

Bën të flejë e nuk fle dot:

“Kolegët thurin komplot”!

 

Turfullon e dot s’e ndan:

Komplotet, janë për luanë…!

 

Protestë

 

Në një fshat (quhej Pocestë),

hidhen dhitë në protestë.

 

Fjalën merr ndër dhitë, më dhija:

“Të ikë Baloja nga shtëpia!”

 

Çoban ziu gjuhën nduku:

“Mblidhni mendtë, ju shqeu ujku!”

 

Shoqëri

 

Ujku plak-ujkut bir:

“Çakalli s’është shok i mirë,

zgjidh një më të mirë se veten…”

 

“Dëgjoi” biri,

javën tjetër,

zuri të dashur një… dhelpër!

 

 

Gomarica dhe fshatari

 

Gomarica priti gjatë,

më në fund, ja, pjell binjakë…

 

Prej gëzimit sa s’po lot:

“Dy, ta mbushin gojën plot!”

 

Shpejt fshatari fre i vë:

“S’mbushet goja me…çdo gjë!”

 

 

Qesëndisje

 

Mjekër e bardhë  qesëndis

faqen e zezë të zotërisë…