Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëroi në odën e këngës

1015
Endri FIFO
Dritëro Agolli, një nga penat e mëdha të mendimit dhe shpirtit poetik kombëtar, ishte dhe mbetet simbol i trajtimit dhe ripërtëritjes së folklorit në letrat shqipe. Kënga popullore folklorike në krijimtarinë e Agollit, mbetet si një nektar rrezatues e plot aromë. Kjo këngë e ardhur nga shekujt, nëpërmjet shpirtit të ngrohtë të popullit, bëri fole dhe në vatrën e një fshatari të fisëm atje në Menkulas. Në pragun e Agollinjve, pas flakëve të zjarrit,çdo natë, dëgjoje këngë e rrëfime popullore që te mbushnin me gëzim e energji për jetën dhe punën. Ishin këto këngë e valle, përralla e shprehje frazeologjike që do ta formonin artistikisht Dritëroin, njërin nga fëmijët e Rizait. Me një kujtesë të mahnitshme për folklorin, ky djalë i vogël, si një dallëndyshe, do të shtegtonte në shtigjet poetike të letërsisë shqipe. 

Po ku ndjehet folklori në krijimtarinë e Dritëro Agollit? 
Në çdo faqe romani dhe në çdo varg poezie ,ai do të skaliste estetikisht me shpirtin e penës mijëra zemra dhe mendje të lexuesve brenda dhe jashtë kombit të tij që e pëlqenin dhe e vlerësonin. Kultivimi i këngës popullore dhe elementeve të tjera të folklorit ,ndjehet në etnografinë , shprehjet frazeologjike dhe neologjizmat. Ky është mekanizmi që i jep jetë prozës së shkrimtarit si te;”Komisari Memo”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Arka e djallit” etj. Kënga popullore, veçanërisht vjen e bukur dhe elegante në çdo varg poezie më vete dhe në vëllimet poetike: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Fjala gdhend gurin”, “Devoll-Devoll”, “Teshtimat e lirisë” etj. Në çdo varg ndjejmë rimat që krijojnë ritme plot muzikalitet. Atje kumbon vargu 8-rrokësh që sjell temperamentin e Devolliçes që vjen me finesën e dashurisë, mbushur me thyerje valsi dhe me uraganin plot shpërthime ndezur nga rakia në sofër. Në vëllimin me këngë” Shpirti i gjyshërve”është një punë e drejtpërdrejtë e përpunimit brenda logjikës dhe ligjeve të folklorit të këngës dhe valles së kënduar. I ndarë në katër kapituj si; “Kopshti i thëllëzave”, “Shtegu i pëllumbave”, “Guri i skifterëve”, “Lëndina e qyqeve”, tregon edhe një herë siç thotë dhe studiuesi akademik Moikom Zeqo: “Pa këtë libër, nuk mund të kuptohet origjinaliteti i Dritëroit” Në këtë shkrim nuk dua të hyj në analiza të hollësishme të krijimtarisë së këtij shkrimtari të madh, por dua të sjell copa kujtimesh nga të shumtat interpretime që Dritëroi bënte në odat e këngës në shtëpinë e tij dhe të miqve që e deshën dhe e prisnin si djalin e tyre. Dritëroin e njoha duke kënduar dhe për herë të fundit u ndava fizikisht duke kënduar. Kjo kohë e gjatë, prej dyzet e pesë vjetësh, filloi me këngën “Çeli Manushaqja” dhe mbaroi me “ A s’më mban për krahu” që poeti i këndonte bukur dhe me shpirt. Isha dymbëdhjetë vjet, kur Dritëroi me Sadien dhe kompozitorin e madh Nikolla Zoraqi, erdhën në familjen e këngëtarit devolli, Zalos së dajë Kasëmit nga ana e gjyshes së tim ati, Rexhepit. Ashtu siç ishte zakoni,mblidheshim i gjithë fisi. Gratë e burrat përgatisnin darkën,kurse ne fëmijët të gëzuar se do të hanim gjera të mira, silleshim rrotull duke zbatuar urdhrat që na jepeshin për të lajmëruar të ftuarit. Sa më i madh të bëhej rrethi i sofrës, aq më i madh ishte respekti dhe nderi që i bëhej miqve. Më në fund, Dritëroin që e kisha ëndërruar ta takoja, e pashë në krye të odës ku ziente kënga dhe vallja e ku plumbat e kobures shponin tavanin. Pas disa këngëve që bënë burrat e fisit,ia thirri Dritëroi:
“Çeli Manushaqja,
S’bëra me shëndet
Të mora të vogël ,
dymbëdhjetë vjet”.

Këndonte e gjestikulonte duke sjellë një harmoni mes kuptimit të këngës dhe gjuhës së trupit. Ai këndonte dhe babai im ia mbante. Zëri ishte i ngrohtë e me kolor prej një devolliu. Muhabeti vazhdonte. Pas dollisë, fillonte një këngë. Dritëroi diskutonte dhe tregonte pjesë nga historia që ato mbartnin. Kështu bëri me këngën: 

“Qan Rehova,
Qan Nivica
Për Kalemin nga Rakicka
Gjithë krahina brinjë- brinjë,
Lufton nipi për dainë”

Atë natë , u kënduan shumë këngë epiko-lirike si; “Ne plepi i Bilishtit”, “Ne çezma e Gradecit”, “Tridhjetë e nëntë mos ardhsh kurrë”,”Ka dy tre vjet ne Komitet, o Gano medet-medet”etj. Ne fëmijët, si mbaruam së ngrëni ato që na shtruan, rrinim e dëgjonim. Herë pas here, i bëja shenjë dajë Aliut, që ishte më i moshuari i tavolinës, të na vinte dhe ne të këndonim. Ai ma kthente me një shenjë: “Sht..!” Dritëroi e kuptoi dhe tha: “Lërini të këndojnë kur kanë qejf. Ashtu kemi bërë dhe ne, njëherë mirë, njëherë keq, po u mësuam. Hajde merrjani!” Me kushëririn tim Terzikun, me britma fëmije, kënduam këngën “Ditën e dhjetë korrikut, Labinoti zjarr lëshoi” -Lëre se na kënaqët,-tha Zalua. –“Këta kanë pasion dhe një ditë do të këndojnë si ne e më mirë se ne,-foli Dritëroi -Janë në formim të personalitetit vokal e artistik.” -Më vonë do të duket rezultati,-ndërhyri profesor Nikolla Zoraqi që gjer në ato moment nuk kishte folur, por mbante shënime të këngëve në një bllok. Si kënduan dhe gratë, profesor Nikolla ndërhyri përsëri -Me gjithë këta zëra tradicionalë e kualitativë, Zalua ka një ansambël Ajo natë zgjati shumë. Unë, edhe pse më thanë disa herë që të largohesha, nuk ikja. Dëgjoja e nuk ngopesha. Regjistroja në memorie këngë që do t’i mësoja më vonë. Krismat e revoles që shpuan tavanin, zgjuan ndjesi të tjera folklorike. Filluan vallet e kënduara. Pas disa viteve, Dritëroi, Niko Nikolla, Dalan Shapllo dhe skulptori i madh Kristaq Rama erdhën në shtëpinë e gjyshes sime që banonte në Dvoran. Unë kisha mbaruar gjimnazin. Gjatë kësaj kohe, isha aktivizuar me veprimtaritë folklorike si valltar dhe këngëtar në Ansamblin “Devolli” dhe me grupin folklorik të rrethit të Korçës në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1978. Dritëroi, si mbaroi një dolli, m’u drejtua mua: -Pa, hë, të shohim sa ke mësuar të këndosh ? Unë ia nisa e ai ma mbante : 

“Sapo shkrepi dielli,
Turqit zunë po vijnë
Kërkojnë të zenë, 
Trimin devollinë”

Si përfunduam këngën,më thirri pranë e më përqafoi: -Të lumtë !Tani je bëre këngëtar. Do të mundohesh të mësosh çdo këngë që dëgjon! -Kjo këngë,-vazhdoi Dritëroi,- është që në kohën e Turqisë. I këndohet luftëtarit anonim, po daton në shekullin XVII dhe diku përmendet një Arif Devolliu që herë del si Arif Bektashi. Si mbaroi sqarimin Dritëroi, në derë hyri Shkëlqimi , djali i xhaxhait tim. Nusja e tij kishte lindur fëmijën e parë që ishte djalë. Gjyshi ynë, Gurja iu drejtua Dritëroit: -Emrin do t’ia vesh ti Dritëro! -Dale, Gure, ta pyesim të atin!-foli Dritëroi. -Fjala e gjyshit është me vend. Ju si mik i kësaj shtëpie, do ta pagëzoni djalin, -foli Shkëlqimi prerë. Dritëroi mori gotën e mbushur me raki, mori një qëndrim të ëmbël dhe tha: -Martin do ta ketë emrin! Ta gëzojë e me jetë të gjatë! Ja me fund! Si e mbaroi gotën, m’u drejtua mua: -Mbama! 

“Penxheret e larta
anë e mbanë me tel
ku është Martin beu
që nuk po na del
E ka marrë e ëma
po e përkëdhel
po i jep llokume
velur me sheqer”

Martini i diplomuar për mjekësi, sot ka krijuar familje dhe shërben si mjek në Gjermani. Këngët me Dritëronë nuk kanë të mbaruar. Në çdo odë nga një histori. Në kujtesën time dhe të shumë miqve, ai mbetet një portret i dalë nga bukuritë dhe virtytet më të mira të shpirtit të popullit. Në moshën madhore, si një rilindës i thinjur e madhështor, një ditë u ul në odën e miqve të shtëpisë sime. Edhe këtu kënga dhe rakia s’kanë munguar kurrë. Nëna ime, tani e ndjerë, sapo kishte ardhur nga puna e lodhshme në kooperativë, po për miqtë që nuk ndjente lodhje e mërzi kurrë, iu drejtua tavolinës: -Dritëro dhe ju miq, mirë se na erdhët! Gëzuar e ju lumshin këmbët! Mos na i vini re, tani me këto që na u ndodhën. Në darkë do ta shtrojmë ndryshe. -Shumë mirë e ke shtruar. Mezeja më e mirë është kënga e këtij djalit tënd dhe e këtyre burrave. Ja gëzuar! Endri, zjeje atë të Gani Butkës: 

“Malet e Gramozit qajnë,
qajnë Gani kapedanë,oi..,oi..!”

Si e mbaruam së kënduari, ngritëm gotat. Poeti e mori fjalën: -Këtë këngë Sali Butka e ka shkruar dhe kënduar, kur përkujtoi një vjetorin e vrasjes së të birit. Saliu, veç si patriot i madh, ka qenë dhe poet. Në vitin 2006, në katër-vjetorin e formimit të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Miqtë e Dritëroit”, bashkë me Sadien e tij të dashur erdhën në Inonisht (vend i shenjtë në Devoll). Atje bashkë me artistin Ali Kondi, kënduan këngën e tij të preferuar:

“Turballi të qofsha falë
më trego Kasëm Babanë”
Si mbaroi të parën, ia mori këngës labe:
“Të kam thënë, preji, moj, 
gërshetat e gjata”
Unë ia prisja me aq sa dija labçe e të tjerët zjenin. Si mbaroi, filloi përsëri këngën nga Dibra:
“Hajredin Pasha, o po vjen, o Radikës

O po ku janë, o k’to malet e Dibrës?”
.Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë me këtë lloj kënge. Këndonte dhe gjestikulonte sikur po i binte dhe çiftelisë. Sadia shikonte, tundi kokën dhe duke qeshur tha: -Po i mori krahinat me radhë, Dritëroi nesër mbaron së kënduari. Sa ishim aty e shprehëm kënaqësinë, duke e uruar për mirësinë e këngës me trokitje gotash. Unë, për t’ia bërë qejfin dhe Sadies, ia mora këngës shkodrane: 

“Tuj shëtit’un’ n’mal’e n’’kodër
Tuj’prek lulet gjith’me dor’
Ne nji’kopsht’m’a t’bukrin n’Shkodër
Ty të gjeta lul’e bor’”

Refrenin e plotësuan të gjithë. Dritëroi këndonte duetin me Sadien e sipas përmbajtjes së këngës i drejtohej asaj. Bukur. Vërtet një lidhje shpirtërore këndonte bukur. Për gjithë ata që nuk e dinë, familja e Dritëroit i përket sektit të bektashinjve. Një lidhje e tillë e bëri që kumbar për djalin e parë të xha Rizait që lindi më 13 tetor 1931, u bë baba Ahmeti i Pilurit. Ky emër na shpuri në Teqenë e Kuçit, atje ku mes misionarëve baballarë të Teqesë, simbolikisht qëndron dhe një varr me një pllakë ku shkruhet emri i baba Ahmetit. Si u afruam te porta improvizova një këngë:

“Ngrehu, baba Ahmeti, ngrehu!
Se të erdhi djali!
Të ka ardhur Dritëroi,
Shpirt zemër behari!”
Hymë brenda. Sadia ma dha aparatin fotografik. Rastisi poza e fundit. Nxora bashkë dy njerëz të mençur, të mirë e me shpirt shenjtori, që janë lidhur historikisht dhe familjarisht me njëri-tjetrin. Kur u ulëm jashtë në oborr,për të pirë kafen që na i solli një grua që banonte pranë Teqesë, Dritëroi me të qeshur tha: -Unë nuk jam besimtar, por e respektoj fenë thjesht për qytetari. Më ka hyrë ky lugat marksizëm në bark e s’më lë rehat. Si mbaruam së qeshuri, Dritëroi ia mori: 

“Në Pazar të Korçës
një dervish Ali
me dorën e mirë më bën hajmali
Ca për të sëmurë, ca për dashuri”

.Dritëroi tregoi për sektin e bektashinjve,ku hyn dhe familja e mendimtarëve frashërllinj. Dashuria e Dritëroit për këngën ishte shumë e madhe. Ca vite më parë në familjen e tij kishte shkuar poeti Agim Vinca me vajzën e tij. Unë sapo kisha mbaruar filmimin e këngës: “Po këndon Devolli, për Dritëro Agollë”. E mora në telefon dhe si përherë e mbaruam me këngë: 

“Apo Merjeme,moj çupë,
o ç’të pata thënë…”

Agim Vinca filmonte në shtëpinë e tij dhe tek unë filmonin djemtë e TVSH. Vitet kanë kaluar e Dritëroit veçse i ka kënduar zemra. Nga shumë duete së bashku, vetëm njëri më ka mbetur në mendje. Ishim në Netët e Poezisë Korçare. Rastisi që e morëm me tonalitet të lartë. Si mbaruam, m’u drejtua: -Ti këndon më mirë, po unë të kam mësuar. Vërtet, miku im ishte një arshivë e madhe dhe një mësues shumë i mirë për mua dhe shumë këngëtarë të tjerë, ku mësova shpirtin e popullit tim. Herën e fundit, kur shkova me djalin tim të madh Donedin, më dhuroi librin: “Shpirti i gjyshërve”. Më shpjegoi për kapedanët dhe për këngët që duhet t’i këndoj e që më shkojnë në vokal dhe në karakter interpretimi. Na përcolli gjer te shkallët dhe ia mori: 

“Mbamë Endri, mbamë.
Se rashë nga shkallët.
Malli më ka marrë
Të të puth në ballët.
Nuk kam pirë shumë,
S’ishte plot filxhani
Po raki e shkretë,
Qenkërshke prej mani.”

Ky ishte Dritëroi. Gjithë jetën me penë në dorë e me këngë në gojë. Në shtëpinë e tij dhe tonat, zjente veç kënga dhe dollia. Sadia dhe Elona, kur shkova për kafe pas vdekjes, më thanë : -Dritëroi në spital e hiqte gypin e oksigjenit dhe i thoshte doktorit: -Haj, t’ia marrim një kënge, se do të këndoj! Në librin e shënimeve, ditën e funeralit i shkrova: -Të njoha duke kënduar dhe u ndamë duke kënduar: “Çeli Manushaqja, S’bëra me shëndet”. Këtë këngë, miku im, do ta këndoj gjithë jetën. Do ta këndoj, kur të martoj djemtë e mi, nipërit dhe mbesat e tua që t’i i doje aq shumë. Ti do të jesh atje nëpër vargjet e këngës dhe në ison që do të stolisë odat me nuse e me dhëndurë.
Sigal