Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Poemë për babanë e për vete

268
Sigal

1.
O brezi im, u vrenjtët herët
Në rrugën e mjerimit;
Ti pe të parën ditë të errët,
Të parën të pushimit

Ti s’e mësove Shtatë Prillin
Në libër e gazetë,
Ti Shtatë Prillin me qefinin
E pe, e ndjeve vetë!

2.
Babai me botën zemërohej
Dhe bëhej pikë e vrer,
Dhe arave ngaherë ankohej,
Dhe thoshte: “Duam nder!”

Ka qenë i ri, ka qenë i zgjuar,
Me supe të mëdhenj
Dhe mund të ngrinte me dy duar
Dy dema, dy shkëmbinj.

Këto dy duar unë i pashë
Tek hiqnin me rrëmbim një dërrasë
Një tra, një hu, një gur…

Atje babai e mbante fshehur
Një pushkë me fishekë,
Që trashëgim i pati mbetur
Nga gjyshi im i shkretë.

E nxorri pushkën dhe e ngriti
Me sy të përlotur:
“O plaku im, të ndritte shpirti,
Na le një gjë të çmuar!”

Pastaj i vrenjtur si oxhaku
M’u kthye ballëlartë:
“Eh, ky dyfek që na la plaku,
Kërkon një dore të artë!

Tani me mua eja djalë,
Të dalim në fushim,
T’ia fshijmë tytën rrath-rrathë,
Së ndryshku na e grin

E grin i shkreti si veremi
Dhe pushka mbetet shterpë,
Fishekë pak në vezme kemi,
Se pula s’pjell fishekë

Ndaj pushkën, biro, ta gatitim,
T’ia njohim degë e rrënjë
Nga tyta plumbin kur ta nisim,
Të shkojë drejt në shenjë.

Babait një ditë i thashë prapë
Te kumbulla me fletë:
-Kjo pushkë e shkretë ç’do më japë,
Ç’do bëj më të në jetë?

I ngriti syte lart në pllajë
Dhe na tha të njëjtat fjalë:
-Që qeni shkopin mos ta hajë,
Pëllumbi im, o djalë!

Ka qenër plot kjo zuskë botë,
Kjo botë e turbullt shumë,
Në zheg na vijnë e në të ftohtë
Dhe kurrë s’kanë gjumë…”

Pastaj pas kumbullës mbështetur
Këndoi ngadalë i vetëm,
Sikur mundohej për ta gjetur
në këngë të vërtetën

”Lumi vjen i turbullt,
malet borë kanë,
Dale, pusht i Shagut,
Të ta shoh fustanë!

Po thërret tellalli:
E kujt është kjo pallë!
Devolliu i vogël
Tri pëllëmbë djalë!

Devolliu i vogël,
Takijen menjanë,
Në hendek me baltë
Hodhi kajmekamnë.

Dale pusht i Shagut,
Të ta shoh fustanë!…”