13 prill 2016
Dje isha te im atë. E kishim lënë që një ditë më parë që të asistoja në banjon e tij, pasi mami ndjehej e pafuqishme dhe plot merak se si mund ta përballonte dushin babi. Mora me vete dhe nja dy shishe verë të kuqe e nga ora 11 u nisa për në shtëpi.
Pallati i hirtë si përherë, me ato shkallët e ftohta e pak të frikshme për mua; depot anash sheshpushimeve të kateve, disa prej tyre të hapura e ndonjë e mbyllur; disa me hapësira të banuara nga pëllumba e me gugatje dykaslucësh e disa të mbyllura me kyç e misterioze.
Babi po më priste në sallon, i menduar si përherë, me dyshime e pasiguri, por prapë me vullnet e vendosmëri për të realizuar ato objektiva të pakta të detyrave të përditshmes së tij.
– Hë o babush, do bëjmë një banjo të shpejtë?
– Po, po, ja sa të pi një cigare – dhe tymoste i menduar … Ndoshta me keqardhje që mosha e detyronte të mos përballonte vetë ato nevoja e detyra që më parë jo vetëm i kryente me dëshirë, por edhe me kënaqësinë që i jepte larja apo pastrimi i vetvetes.
Pasi i ngroha ambientin dhe përgatitëm ujin së bashku me mamin, si një fëmijë i bindur babushi u ul në karrigen plastike për të larë kokën fillimisht.
– Jo një, por dy herë larje me shampo të kokës duhet – thoshte, – pasi hera e parë heq të madhen papastërti, kurse hera e dytë pastron e shkëlqen më mirë flokët.
Kishte pak ftohtë e na hiqte vërejtjen mua dhe mamit:- Mos e masni me veten tuaj temperaturën e ambientit, pasi ju lëvizni, kurse unë jam i lagur e nuk lëviz. Domosdo që kam ftohtë.
Pastaj lau trupin; ja fërkova kurrizin dhe sqetullat e më dukej aq i dobët , me nishana kaf të errët te pjesa anësore e brinjëve … më dukej i pafuqishëm e i pamundu , por prapë i dëshiruar për t’u larë e për t’i kryer vetë veprimet e larjes.
Kështu babushi im, bëri banjë me sukses, veshi rrobdëshambrin që ja kisha sjellë unë e duke nënqeshur e bërë shaka, thoshte:- Po ky qenka aq i mirë e i bukur sa mund të dalësh dhe shëtitje me të!
Ndejti pak sa u ngroh dhe pasi u vesh u ulëm për drekë. Hëngri pak djathë bebe e proshutë, pasi gjella jahni me mish, nuk i pëlqeu.
Nisi të më tregonte pastaj, historira për kohën e pasluftë , periudhën e punēs për tharjen e kënetës së Maliqit…
– E di, ta kam treguar ndonjëher ? Mes aksionistëve isha edhe unë. Por, ra një morr i madh, morri i kuq i thonim. Dajo im, dajo Aliu, burrë shumë i mençur, i thoshte aksionistëve:- Bëni një zjarr të madh e shkundni rrobat në zjarr…
Dhe kur kërcisnin morrat duke u djegur, të çuditeshe …
Dajo Aliu më pas i rruajti kokën të tërëve…
Kurse mua, më hyri morri në vesh e më bënte zhurmë. Më çuan në spital, bënë ç’bënë e morri doli, por që atëherë nuk dëgjoj mirë nga ai vesh. Morri i kuq, i tmerrshëm – tregonte babi …
E vijoi me ngjarje të tjera me dy dajot e tij, Elmazin dhe Aliun.
Ra më pas të flinte; mami duke u kujdesur që t’i vinte aparatin e oksigjenit e babushi të pushonte i qetë.
U nisa për në zyrë sërish. Isha e dërrmuar. Sa ndjehesha e përplotësuar që kisha kryer një detyrë e mirësi për babushin tim, aq edhe e trishtuar, e mallëngjyer … aq shpejt kaluan vitet e babi u moshua! Ah sikur koha të ndalej e të mos vijonte të paktën plakja e mëtejshme!