Suplementi Pena Shqiptare/ Diana Çuli : Vrasje në kryeministri

485
Sigal

                                       (fragment)

 

Njerëzit u kthyen të gjithë nga ura, në pritje të projektimit. U shuan dritat dhe befas mbizotëroi një heshtje e thellë, ku nuk pipëtinte njeri. Në largësi vetëtinin katër minaret e Selimies, si katër raketa gati për të shpuar qiellin e zi e të pakuptueshëm. Beti mendoi se, sikur mbi kryet e tyre, mbi kryet e saj më saktë, të mos qëndronte rreziku i shpërthimeve dhe i burrave me dorën tek arma, do ta kishte shijuar thellësisht këtë atmosferë magjike. Por i duhej të rrinte pa u ndarë mes grupit të kolegëve e ndërkohë të hetonte me shumë vëmendje se çfarë ndodhte përreth.

Pranë tyre u afrua në heshtje zëvendëskryeministri turk bashkë me kryetarin e bashkisë dhe me disa të tjerë, gjithashtu autoritete.

Në atë çast u dëgjua një e rënë e fortë gongu dhe pas saj shpërtheu një dritë e kuqe që u përplas mbi urë, shoqëruar me tinguj të fortë muzike. Dhe gjithçka që pasoi ishte një shfaqje rrëqethëse dhe e veçantë, ku historia, dhimbja, lumturia, bukuria, mundimi dhe fitorja e njeriut shprehej përmes atyre figurave që krijonin dritat, ngjyrat dhe tingujt muzikorë përmbi muret e asaj ure. Muzika rënkonte, zvarritej rrëzë mureve, e mavinjtë, e gjelbër e thellë, e përgjakur, pastaj zbutej e lëshonte një klithmë shkretëtire, endej harqeve të urës, përkulej e verdhë, e kaltër, përsëri e gjelbër, pastaj zbardhëllente si agim e i sulej një bedeni, pështjellohej duke rënë në ujë e përsëri ngrihej…

Beti e ndiqte shfaqjen duke vështruar njëkohësisht njerëzit që mbanin frymën dhe, kur ajo mbaroi me një gong triumfues, ata shpërthyen në duartrokitje. Turma u derdh e vrapoi mbi urë duke rrëmbyer me vete edhe autoritetet e gëzuara e të ngazëllyera nga ajo natë magjike e qytetit të tyre; artistët e veshur me rroba tradicionale vërshuan edhe ata, si lulëzim shumëngjyrësh mbi urën historike të Meriçit, mbi të cilën kushedi sa ushtri, sa kuaj, sa artileri e sa njerëz të kërrusur nga jeta kishin kaluar. Ky imazh i fundit i erdhi në mendje Adrianit, i cili u mallëngjye, sepse u ngjeth herë-herë gjatë përpëlitjes së tingujve mbi mure dhe ngaqë mendoi, se jeta është e çuditshme dhe e vështirë, e mallkuar jo pak, se të tillë e bëjnë njerëzit dhe po njerëzit, përsëri dinë ta thonë atë që ndiejnë dhe se ky është një qerthull e një kurth ku mendja nuk duhej të kuturisej.

Atë çast shpërthyen fishekzjarrët që përshkënditën qiellin dhe mbytën të gjitha zhurmat e tjera. Fytyrat, që dukeshin ngjyra-ngjyra, u ngritën lart të përndritura.

Befas, turma u tkurr dhe u mblodh në një pikë, atje ku harku kulmohej dhe ku kishte një kafaz të gurtë rojeje. U dëgjuan thirrje të trembura e të alarmuara në turqisht, pastaj shumë njerëz, të shtyrë nga truprojat e autoriteteve, që papritmas u bënë të dukshëm, zbritën nga ura dhe qëndruan në shesh, me fytyra të shqetësuara, pyetëse, të shtangura.

Igli Morina u shkëput nga grupi dhe u fut mes turmës duke pyetur lart e poshtë në anglisht, se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që atje, te harkimi i urës së Meriçit, mbërriti ambulanca e urgjencës dhe disa makina policie.

Igli u kthye, i nxirosur në fytyrë.

– Zëvendëskryeministri turk ka rënë papritmas në lumë, – tha ai. – Po organizojnë operacionin e shpëtimit.