Suplementi Pena Shqiptare/ Cano Nora: Stinët këmbehen në rrudhën e nënës!

Këtë libër autorja Blerta Basha e kishte amanet të nënës ,dhe kërkonte që të nxitohej proçesi i botimit .që në 16 gusht të ishte gati , në ditën e ikjes së nënës nga kjo jetë.

Kjo kohësi, përveç të tjerash, kishte amanetin si përshpirtje, jo vetëm i të bijës për nënën, por edhe i redaktorit të këtij vëllimi poetik. Kishte përgjegjësinë e përcjelljes së emocionit në kohë dhe, që në vargje, të ruhej saktë metrika , jo vetëm metrikën dhe numrin e rrokjeve, por “gjuhën” e nënës së ikur dhe bijës së saj që e “qan” në poezitë e shumta… Malli për nënën, është gjetja në detaje, e asaj ç’ka lënë, detaje konkrete, të prekshme nga syri e dora, kaq e lidhur me nënën, aqsa edhe erën e saj, e ka konkrete, e njeh në njëmijë erëra të tjera…

Sigal

Ajo që s’mbyllet asnjëherë në poezi, është dera e shtëpisë, që del gjithmonë e hapur në çdo poezi, ku bija takon nënën, edhe pse nëna, është bërë si një rrudhë e bukur në hënë!

Blerta flet me nënën në poezinë e saj, bisedon fare natyrshëm, sikur të jetë gjallë, i përzgjedh vendet si detaje poezie… Kjo e bën që të ketë mijëra këndvështrime, sikurse dhe mijëra tema që nuk përsërisin asnjëherë dhe asgjë, qajnë e qeshin të dyja. Gjithë lotët që derdha, – thotë Blerta, sot i bëra poezi…Poezia e saj është sorum në venën e ikjes së nënës, është frymë, që të shtyjë sa më shumë jetën e saj, tashmë në mosjetë. Gjithë lotët që derdhi për nënën , sot Blerta Basha i ka kthyer në poezi. Secili varg është një copë drite në errësirën e mungesës , një stinë e kapur pas rrudhave të fytyrës së nënës , ku dashuria dhe kujtimi bëhen të përjetshme.

Poezitë e poetes nga Elbasani janë si pasqyrë e shpirtit ,ku çdo fjalë ndriçon një kujtim , ku çdo frymë dridhet nga dhimbja e humbjes dhe nga ngrohtësia e dashurisë, që nuk shuhet kurrë.

Në këtë libër lotët kthehen në dritë dhe dhimbjet në art duke krijuar një udhëtim emocional që lexuesi ndjen në gjithë qënien.Vargëzimi i Blerta Bashës është i thjeshtë dhe i fuqishëm , me imazhe që flasin vet, një rreze dielli mes hijeve , një çikë erë që përshkon kujtimet , një copë heshtjeje që bëhet poezi. Autorja di të japë momentet më të brishta të jetës dhe t’i shndërrojë në vargje që dridhen në emocione dhe në përjetësi. Libri më i ri i kësaj poeteje nuk është vetëm një kujtim për nënën ,por një amanet i thellë i dashurisë , një thesar që lexuesi ndjen në çdo frymë dhe çdo rrudhë të rrëfimit.

 

Shtegu hapur në korie,

i mavijosur te rrënja.

Mbledhur bashkë një grushtë me yje,

m’u në mes të tyre ,Nëna.

Hap një peizazh të brendshëm dhe të jashtëm njëkohësisht. Shtegu dhe rrënja lidhen me tokën dhe kujtimet e fëmijërisë , ndërsa “grushti me yje” sjell një ndjesi të magjishme , pothuajse mister. Prania.e.nënës në mes të yjeve e bën vargun të prekshëm dhe të ngrohtë ,duke lidhur figurën e saj me universin dhe përjetësinë. Është një strofë shumë e ndjerë dhe me imazh poetik e fortë. Ka një përzierje të bukur midis dhimbjes dhe dritës. Shtegu i mavijosur krijon ndjesinë e plagës  ,ndërsa “grushti me yje” sjell shpresën dhe pavdekësinë.

 

Dërgomë pak diell po deshe,

për të më bërë pakëz dritë.

S’e kanë ftohtë në buzëqeshje,

copëza akulli në shpirt.

 

Kjo strofë prezanton kontrastin e fortë midis dëshirës për ngrohtësi dielli dhe ndjesisë së ftohtësinë së brendëshme. Kjo krijon një tension emocional , ku ndjenja e mungesës përfshihet nga përpjekja për të gjetur dritën dhe ngrohtësinë.

Së bashku këto strofa përshkruajnë një udhëtim emocional nga kujtimi i dashurisë dhe ngrohtësisë së nënës te përballimi i mungesës dhe dhimbjes së shpirtit , por me metafora të fuqishme që kapin imazhe vizuale dhe ndjenja të thella brenda pak vargjeve.

Dilemën e pyetjes “më thuaj ku të të gjej”, e ka zgjidhur në këtë libër, sepse ajo e gjen me vargje, sepse ky libër, më shumë është “Gjurma Nëna”, është vendi ku rrinë rrobat te shtrati, që i zgjon nga gjumi i rëndë dhe i mbushet shpirti me aromë nëne, e vë kokën në jastëk, që aty të marrë erën e nënës, që pastaj, t’ia bëjë erë poezisë…

Një poezi malli që mbyllet me dy vargje:

“Loti që më rri në sy,

është vesë, apo është shi?!”

Është në fakt aprovim i shpirtit të saj, se ai lot është poezia e saj e pambarimtë për nënën, është fytyra e saj në prehër të nënës, që i ledhaton vargjet dhe kreh ondet e metaforave me erëfrymën e muzës së mallit. Blerta e ndjek ikjen e nënës me orë, me ditë e me muaj, herë me sy e herë me mendje, herë me cicërimat e një zogu, që çukit në dritare, si një bisedë e prerë në mes, me dritën e poezisë në ballë për të gjetur shtegun e saj. “Stinët këmbehen në rrudhën e nënës”. Në fakt stinët është në numrin shumës, tani nëna e Blertës ka vetëm një stinë, atë të ikjes, një rrudhë që flet me heshtje, ajo fle me hënën dhe bisedon me yje, ku midis tyre është më e ndiçuara. Në poezinë e Blertës, ndjehet aromë e bukës së thekur, sepse ajo e thek vargun në vatrën e vendlindjes, në shullënjtë e mallit të nënës dhe motrës së ikur, në diellin e “Ishullit të lotëve”, ndaj kërkon shpesh një copë diell:

 

Dërgomë pak diell, po deshe,

vetëm një copë e një çikë,

se kam ngricë në buzëqeshje,

copa akulli në shpirt!

 

Dëshira e poetes në mërgim, është të puthë gjurmën e Atdheut, (a thua se është vetëm një), por ajo do atë gjurmë ku i vjen aromë buka të thekur, në kërcën e të cilës, është i shkruar emri i nënës. Poetja e bën gjurmë në Atdheun e saj poezinë që shkruan!

Blerta këput një rrudhë për të matur shpirtin e saj! Duket sikur shpirtin e shtrinë në rrudhën e saj, që zgjatet përtej ballit, jo si pjesë e tepërt, por si shtrat lumi, për të mbajtur të ngrirë, të heshtur dhe të pafjalë, vetëm dhimbjen dhe mallin për nënën.

Epitetet e përdorura me mjeshtëri, pa i shpërdoruar në masë, por në gjysma përmendjeje, dyfishojnë masën e perceptimit të një emërtimi konkret, a abstrakt qoftë ai, si për shembull, një hije gjysmë e prerë, një fole zogu që tundet e vetme në erë.

 

Aty bëjmë bashkë një dyshe

në mes të udhës një dilemë,

çukisim mallin si dallëndyshe,

zërat na tunden nëpër degë!

Këtë zë nëne, poezia e fut në metrikë, si audio që të çmall dhe epitet të gdhendur në hije.

Poezia një dilemë, që ka mbetur jetime, pa ty moj nënë!

Librin e quan qiellin e ëndrrës së bukur, jo thjesht për madhësinë sipërfaqësore dhe shpresën, që përcjell ngjyra, por si një telajo poezie, ku le “Gjurmën Blerta”…

Te libri kanë folenë zogjtë e malit,

bilbilat ia thonë këngës me gëzim,

dallëndyshet hapin krahët e mallit,

në çdo faqe shkundin nga një cicërimë…

Zërin e bën frymor dhe i jep moshë, se atë çast, tingullin e parë e kanë bekuar perënditë, si belbëzimë, jo si trill. Ashtu si guri që ka moshën e mosplakjes, zëri i nënës nuk plaket kurrë, kur thotë: “ Bija ime”. Poezia e Blertës ka aromë fshati, erë që zbret nga pemë e monopate, blegërimë qengji e buzë të gjakosura të kecit që ha majën e gjembit. Vargjet nga faqja e parë e këtij libri dhe gjer në faqen e fundit të tij , janë më shumë se vargje mbi letër , ato janë një udhëtim i ndjeshëm drejtë kujtimeve,humbjes dhe dashurisë së pakushtëzuar për nënën. Çdo varg dridhet me emocione të vërteta , çdo metaforë ndriçon një cep të shpirtit. Libri i saj është një amanet , një thesar i përjetshëm që i bën lexuesit të ndjejnë praninë e nënës në çdo rrudhë , çdo frymë dhe çdo stinë që kalon.