“U lodha” kam thënë shumë herë përmbytur në mendime!
Ja e thashë dhe sot në datëlindjen time.
U lodha, jam dërmuar dhe unë si çdo njeri;
u rritëm dhe u plakëm, por shpirti mbet’ i ri!
E me grumbuj gërmash që bihen vet mbi letër,
filloj të nxij dy rreshta, një tjetër e një tjetër.
Nuk do dhe shumë logjika të shkel nga çmenduria
dhe pse përballë kam pushkën, unë shoh nga poezia.
Sa rrjedhshëm derdhen gërmat me shpirtin në “amin”!
Aty ku rrinë dëshirat dhe mllefet do të rrinë.
Flas për shpirtërat tanë, u lodha më kuptoni?
Gjithmonë në luftë me veten, (doni apo s’doni)!

“E mira” fantazon e largët, në çdo prizëm
Botë karikaturash…, fondamentalizëm.
Barut, uri, mizerje, gjithkund e në çdo skaj
“Hajde mbaje veten”! më thoni si ta mbaj?
Të përparojë kjo botë, ky na qenka shkaku
që paguhet shtrenjtë me monedha gjaku?
Ku ta gjesh “të mirën” në ç’ rruzull ta kërkosh?
Këtu na mbytën trimat që kokën e kanë bosh!
Por unë jam i gjallë dhe ti që po lexon
sado të them “u lodha” asnjëherë s’ është vonë
Shpirtin mirësisë dhe zemrën bëje hekur;
trim me mend në kokë, dhe mos vdis pa vdekur!






















