Suplementi Pena Shqiptare/ Bledi Ylli: Dashuri

DASHURI…

Ti më prek e unë tundohem
si i djegur bëhem hi.
Kur largohesh, dëshpërohem!
Të jetë vallë kjo, dashuri?!

Sigal

Ti më flet e unë i humbur,
të vështroj… E humb më shumë,
s’gjen themel zemr’ e lëkundur
rrëmbejnë ndjenjat si një lumë!

Ti më do edhe m’a thua.
Mirëpo unë s’di s’i ta them!
Të pohoj “dhe unë të dua”
është një varg, jo një poem’.

Sepse thjeshtë, ndjenjat e mija
nuk i nxë veç një fjali,
Nuk mjafton as poezia
do me dhjetra, poezi!

Ti më prek, unë shkrij si hekur:
Përpëlitem, bëhem hi,
kur largohesh, jam i vdekur
Pikë. Kjo quhet dashuri.

 

VEÇ ATËHERË

Atje ku bashkohen dy hënat!
Atje, në asgjëkund,
dhe dashuria ime për ty
atje e gjen një fund.

Ku dielli bëhet akull
e deti bëhet shkrumb,
dashuria ime për ty
atje e gjen një fund.

Kur të gjesh fundin e botës
e tokën ta bësh dy,
atëherë dhe mund të masësh
Atë ç’ka ndjej për ty.

Në ndodhtë apokalizëm
Mbarë botës, shkatërrim.
Atëherë gjithçka do zhduket,
jo ti nga shpirti im.